Aktivitet përkujtimor në Spaç me letërsi dhe muzikë

Në një nga godinat e ish-kampit famëkeq të Spaçit u organizua aktiviteti përkujtimor me letërsi dhe muzikë në 40-vjetorin e pushkatimit të ish të burgosurve të Spaçit, Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Xhelal Koprencka. Aktiviteti përkujtimor u organizua nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë dhe Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave te Komunizmit, me mbështetjen e Ambasadës së Austrisë, "Fondacionit Konrad Adenauer" në Tiranë dhe Bashkisë së Rrëshenit.
Ambasadori Austriak, Johann Sattler, bëri një apel për të mos e lënë Spaçin në harresë, për të mos lejuar të degradohet në një gërmadhë dhe për t'u kthyer në një vend kujtese dhe reflektimi për të rinjtë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti theksoi sidomos nevojën për dialog mbi të shkuarën, që duhet të përfshijë edhe vendet e kujtesës dhe ruajtjen e tyre. Drejtori i ISKK-së, Agron Tufa, deklaroi se Spaçi është lënë në harresë nga politika dhe se qeveritë e mëparshme thjesht kanë bërë premtime për të kontribuar në kthimin në muze të këtij kampi, por këto premtime nuk janë mbajtur. Apeli i tij ishte për t'u vënë fre shkatërrimeve të mëtejshme të vendeve të memories.
Drejtorja e IDMC, Jonila Godole, e vendosi theksin te disidenca brenda burgjeve komuniste si akt rezistence ndaj regjimit. Ajo u prezantoi të pranishmëve "tre rebelët e Spaçit", të burgosurit politikë Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Koprencka, të cilët u pushkatuan më 28 maj 1979. Dy të parët u u dënuan me vdekje pas dërgimit të letrës së tyre në Komitetin Qendror ku kritikonin largimin nga Bashkimi Sovjetik, dhe ku kërkonin shkarkimin e Enver Hoxhës. Kurse Xhelal Koprencka u dënua për një letër ku i kërkonte Byrosë politike afrimin me SHBA-në.
Fatos Lubonja lexoi fragmente nga libri i tij, "Ridënimi", pikërisht pjesën që lidhej me arrestimin e grupit "armiqësor" të Spaçit më 1979, ku përveç Lezhos, Kokomanit dhe Koprenckës ndodhej edhe ai vetë. Prekës sidomos ishte përshkrimi i çastit kur Lubonjës i tregojnë fotot e tre miqve të tij të ekzekutuar, ndërsa i kërkojnë të thërrasë "Rroftë Partia!". Bedri Çoku tregoi momente nga Revolta e Spaçit më 21–23 Maj 1973, meqenëse kishte qenë një nga personat kyç të saj. Kurse Shkëlqim Abazi, solli një përshkrim të detajuar të kampit në pesë vitet që kishte kaluar aty si dhe të Revoltës së Spaçit.
Veçantinë aktivitetit ia shtuan dy instrumentistë nga Austria, Bertin Christelbauer (violonçel) dhe Zamir Kabo (piano), të cilët luajtën për publikun pjesë nga një repertor i zgjedhur klasik, si Bach, Shubert, Shostakoviç etj., të cilat u mirëpritën nga të pranishmit si një risi për aktivitete të tilla përkujtimore.