njoftime

Ditët e Kujtesës 2018, 10 ditë aktivitete nën moton "Identiteti dhe kujtesa"

Publikuar më

Aktiviteti DITËT E KUJTESËS që organizohet çdo vit nga Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC) në partneritet me fondacionin gjerman Konrad Adenauer (KAS) dhe aktorë të tjerë në fushën e kujtesës do të sjellë në edicionin e tij të tretë mbi 10 aktivitete të ndryshme nën moton "Identiteti dhe kujtesa", në datat 22–31 tetor 2018. Këto aktivitete synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimin e dialogut mbi të shkuarën.

DITËT E KUJTESËS do të hapen në një ceremoni të veçantë te Tirana International Hotel në orën 17:00 dhe do të përshëndeten nga organizatorët e këtij aktiviteti, Dr. Jonila Godole, drejtoresha ekzekutive e IDMC dhe z. Walter Glos, drejtues i fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri. Po ashtu aktiviteti do të përshëndetet edhe nga ambasadorja gjermane, znj. Susanne Schütz dhe z. Reshat Kripa, ish-i persekutuar. Nga Bosnja dhe Hercegovina do të vijë për këtë aktivitet Dr. Karsten Dümmel, disident dhe shkrimtar gjerman i cili do të mbajë fjalën kryesore të këtij aktiviteti titulluar "Identitetet e Penguara në Gjermaninë". Ndër të tjera prezantimi i tij do ta njohë audiencën me dokumente sekrete, urdhrat e Sigurisë Shtetërore, të dhëna rreth disiplinimit dhe izolimit sistematik si dhe masat ndaj kritikëve të regjimit. Këto të dhëna do të theksohen pas tij përmes ekspozitës së BStU, "Monitoro, Terrorizo, Persekuto" që do prezantohet nga historiani Marenglen Kasmi, anëtar i bordit të AIDSSH.

Dita e dytë e kujtesës do të zhvendoset te Salla e Konferencave të Europe House, në pallatin e Kongreseve, më datë 23 tetor, ora 10:00, me aktivitetin "Letërsia si vend kujtese", duke synuar të zbulojë rolin e letërsisë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën. Autorët e ftuar Dr. Karsten Dümmel dhe Dr. Albert P. Nikolla do të lexojnë për publikun pjesë nga veprat e tyre duke i hapur më pas vend diskutimit për shkatërrimin e identitetit njerëzor në sistemet diktatoriale dhe pasojat deri më sot në shoqëritë respektive, Gjermani dhe Shqipëri.

Në ditën e tretë, në një aktivitet të organizuar nga Prezenca e OSBE në Shqipëri, studiuesit e rinj do të prezantojnë studimet e tyre për barazinë gjinore në vitet 1912–1939, duke dhënë një pasqyrë të sfidave shoqërore, politike dhe ekonomike të grave në ato vite.

Dita e katërt e kujtesës, 25 tetor, do të numërojë dy aktivitete që organizohen nga KAS. Pjesa e parë e ditës do t'i kushtohet trajnimit të punonjësve të muzeve dhe vendeve të kujtesës nga historiania Kristin Kallweit, cicerone në Memorialin Hohenschönhausen, në Berlin. Ajo do t'i ndihmojë pjesëmarrësit të forcojnë një kulturë të kujtesës përmes punës së tyre si dhe do t'i trajnojë ata sesi t'i tregojnë ngjarjet historike në mënyrë sa më të kuptueshme dhe tërheqëse për brezin e ri. Me mbështetjen e KAS, pjesa e dytë e kësaj dite do të ofrojë shfaqjen e filmit "Azizi" në "Kinema Millenium", në orën 17:00, film i prodhuar nga Luljeta Progni në bashkëpunim me regjisorin Gentian Kurti. Filmi zbulon atë që është fshehur për 70 vjet nga pushtetarët shqiptarë, terrori komunist ndaj shqiptarëve të pafajshëm: grave, fëmijëve dhe të moshuarve duke fokusuar kamerën në vitet 1948-1954, në disa prej kampeve më famëkeqe të diktaturës shqiptare: Kuçovë, Berat, Turan dhe Tepelenë.

E premtja, 26 tetor do të ofrojë prezantim të botimeve shkencore mbi diktaturën: "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore 2" nga IDMC; "Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist 7" nga ISKK dhe mbështetur nga KAS; "Dokumente në politikat kulturore dhe indoktrinimin e shoqërisë nga shteti komunist shqiptar në vitet 1945-1990" nga ASA. Pjesa e dytë e datës 26 tetor do të ofrojë leximin publik të dosjes së një të përndjekuri nga Sigurimi. Konkretisht, leximi do të nxjerrë në pah shtypjen dhe persekutimin nga regjimi komunist ndaj pjesëtarëve të familjes Peshkëpia. Aktiviteti hedh dritë mbi represionin komunist, teknikat operative të Sigurimit të shtetit dhe vuajtjen e viktimave, në një përpjekje për të inkurajuar diskutimet mbi pajtimin dhe rehabilitimin.

Në ditën e gjashtë të aktivitetit DITËT E KUJTESËS, më 29 tetor, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të ofrojë prezantim të punës së studiuesve të rinj mbi të kaluarën komuniste duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit për nevojën për më shumë kërkim shkencor mbi shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë regjimit komunist.

Ndërsa më 30 tetor 2018, në kuadër të DITËVE TË KUJTESËS, do të shpallen fituesit e edicionit të tretë të konkursit të IDMC "Pyet Gjyshërit". IDMC ka grumbulluar tashmë qindra punime të aplikuesve nga të gjitha gjimnazet e Shqipërisë, në tre zhanre: arte figurative, ese dhe multimedia, për reflektime të të rinjve mbi të shkuarën e vendit në vitet 1945–1997.

Gjatë DITËVE TË KUJTESËS, më 30–31 tetor organizohet nga AIDSSH konferenca shkencore "Të mohuar nga regjimi" e cila synon të rishikojë periudhën komuniste duke u fokusuar të sistemi i burgjeve, dëbimeve dhe punës së detyruar në periudhën e regjimit komunist.

**Aktiviteti "DITËT E KUJTESËS 2018" organizohet nga IDMC dhe KAS në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Shqipëri, Ambasadën gjermane dhe zvicerane, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Shoqatën e Mësuesve të Historisë, AIDSSH, ASA, ISKK, IIPP, Shtëpinë e Gjetheve, Europe House dhe Muzeun Kombëtar.