Ceremonia e hapjes së aktivitetit "Ditët e Kujtesës"

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacioni Konrad Adenauer në Tiranë (KAS), çelën më 24 tetor siparin e aktiviteteve në kuadër të DITËVE TË KUJTESËS.
Gjatë fjalës hyrëse në ceremoninë e mbajtur pranë Hotel Rogner, Jonila Godole, drejtoreshë ekzekutive e IDMC-së, vlerësoi rëndësinë e organizimit të eventeve të tilla për të mbajtur gjallë kujtesën. Po ashtu, znj. Godole theksoi se është e domosdoshme mbështetja e kësaj kauze nga ana e institucioneve shtetërore.
Drejtori i Fondacionit KAS për Shqipërinë, Walter Glos, u shpreh se "përpunimi i të kaluarës duhet të jetë i qartë, pasi kjo është e ardhmja e një vendi demokratik". Z. Glos u përqendrua edhe tek hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, që, sipas tij, sa më parë të bëhet, aq më mirë do të jetë.
Pjesë e eventit ishte Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin. Ajo shprehu vlerësime mbi iniciativën për të punuar mbi kurrikulën shkollore që fëmijët të mësojnë mbi të kaluarën.
"Krimet gjatë diktaturës meritojnë njohje të plotë. Nuk ka drejtësi pa të vërtetën dhe pa fakte".
Aktiviteti u shoqërua dhe me punimet e ekspozitës me titull "Lufta e ftohtë", prezantuar nga Ulrich Mählert, pjesë e Institutit Federal për Studimin e Komunizmit në Gjermaninë Lindore.
Nuk duhet të presim që njerëzit të interesohen për historinë, por ta sjellim atë pranë njerëzve.
Pjesë të eventit me fjalën e tyre ishin dhe Agron Gjekmarkaj, pedagog në Universitetit e Tiranës, i cili mbajti një ligjërim mbi temën e kujtesës për të kaluarën komuniste, dhe zëvendës ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Anke Holstein.
Në pjesën e fundit të ceremonisë, salla e stërmbushur u kthye në një kinema ku u shfaq premiera e dokumentarit me titull "Fëmijët e diktaturës", prodhim i IDMC-së në bashkëpunim me Universitetin e Arteve, me regji të Besnik Bishës.
Dokumentari solli emocione të forta nga historitë personale të katër personazheve të cilët jetuan apo lindën në vende të internimit.
Në ditët në vijim, deri më datë 28, aktivitetet do të fokusohet në tri fusha kryesore:
- Ndërtimi i një axhende të përbashkët të aktorëve të ndryshëm që merren me fushën e kujtesës,
- Rishikimi i kurrikulës mësimore në lidhje me periudhën e diktaturës,
- Ndërgjegjësimi i të rinjve mbi të shkuarën përmes projekteve kreative
Pjesëmarrja është e hapur për të gjithë.