kujtesa

"Topografia e terrorit" në Tiranë dhe Veri

Publikuar më

Përmbledhje

Dita e parë, 20 shtator 2021

Të rinjtë vizitojnë muzeun "Shtëpia me gjethe"

Në anketën e realizuar nga IDMC në 2020 me mësuesit e historisë u konstatua nevoja që nxënësit dhe vet mësuesit të njihen me Vendet e Kujtesës të regjimit komunist.

Prandaj IDMC në ditën e parë të projektit "Topografia e terrorit" vizitoi muzeun kombëtar "Shtëpia me gjethe", i cili ka qenë në funksion të SIGURIMI-t të shtetit gjatë regjimit komunist.

Të rinjtë patën mundësi të njiheshin me forma të ndryshme të kontrollit të shoqërisë shqiptare nga regjimi komunist si përgjimet, persekutimet, torturat dhe propaganda.

Dita e dytë, 21 shtator 2021

Vizitë në vendet e kujtesës në Thumanë dhe "Letërsia si vend kujtese" në Shkodër

Gjatë ditës së dytë të vizitës studimore, nxënësit dhe mësuesit nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, i shoqëroi Mark Aliaj, ish i burgosur politik në Thumanë, i arrestuar që në moshën 17-vjeçare nga sistemi komunist. Mark Aliaj në një bashkëbisedim me të rinjtë rrëfeu për kushtet e vështira të kampit të Thumanës me më shumë se 800 të burgosur.

Një tjetër aspekt që pjesëmarrësit vunë në pah ishte mungesa e një memoriali sepse sot nga ish-kampi i Thumanës kanë mbetur vetëm disa kaskada dhe nuk jep aspak ndjesinë e një vendi të kujtesës.

Në përfundim të vizitës studimore, drejtoresha e IDMC Dr. Jonila Godole theksoi edhe një herë nevojën për përfshirjen e vizitave në vendet e kujtesës në kurikulën e sistemit parauniversitar.

Gjatë vizitës studimore në vendet e kujtesës u zhvillua dhe aktiviteti "Letërsia si vend kujtese" në Shkodër me shkrimtaren Fatbardha Saraçi Mulleti. Ky projekt është një nismë e IDMC-së që nga viti 2015.

Dita e tretë, 22 shtator 2021

Vizitë te "Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës" në Shkodër dhe te ish-burgu në Lezhë

Gjatë ditës së tretë, pjesëmarrësit e projektit "Topografia e terrorit" zhvilluan një tur studimor në vendet e kujtesës të qytetit të Shkodrës, në guidën e historianit dhe njëkohësisht drejtor i muzeut Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës, Pjerin Mirdita.

Ndalesa e parë ishte në "Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës", i ndërtuar fillimisht në 1930 si një institucion që përgatiste kandidatët e rinj françeskan, e më pas me ardhjen e komunizmit dhe me arrestimet e para në vitin 1945, u kthye në Degën e Punëve të Brendshme për qytetin e Shkodrës, ndërsa sot ndërtesa është shndërruar në një memorial kushtuar persekutimit gjatë diktaturës komuniste.

Të rinjtë u njohën edhe me dokumente dhe objekte të sjella nga të dënuarit politikë ose familjarët e tyre që dëshmojnë për kryengritjet e para antikomuniste në Shqipëri, internimet, kushtet e vështira të jetesës, arratisjet e deri tek dënimet me pushkatim.

Viti 1967 shënoi ndalimin e çdo rituali fetar për besimtarët, burgimin dhe torturimin e klerikëve nga regjimi komunist. Persekutimi i klerit u shoqërua edhe me shkatërrimin e objekteve fetare. Për këtë arsye, objektet kultit në qytetin e Shkodrës janë shndërruar në vende të kujtesës.

E tillë është edhe Katedralja e Shën Shtjefënit në Shkodër, e cila nuk u shkatërrua në vitin 1967, por u shndërrua në Pallatin e Sportit të qytetit duke humbur një pjesë të identitetit dhe historikut të saj.

Nxënësit vizituan dhe muzeun e kishës për të njohur më tepër me historinë e kishës katolike, me përndjekjen e klerit katolik dhe shkatërrimin e objekteve të kultit nga regjimi komunist. Marie Tuci, një nga 40 martiret e kishës katolike, e cila u burgos dhe u torturua nga regjimi komunist u arsimua në shkollën e mesme të Kishës së Motrave Stigmatine.

Në këtë vizitë studimore, pjesëmarrësit u mirëpritën nga Motër Rexhina (90 vjeç) e cila rrëfeu për të rinjtë kujtime të hershme për Marien gjatë viteve të studimeve të kaluara bashkë, për kontributin e kishës katolike në arsimimin e vajzave dhe për kalvarin e vështirësive të klerit katolik pas ndalimit të fesë nga regjimi komunist, por edhe për ndaljen e ëndrrave të shumë të rinjve gjatë diktaturës. Vetëm pas rënies të diktaturës, Motër Rexhina u bë murgeshë në moshën 60 vjeçare dhe arriti të vazhdonte misionin e saj që iu ndal në moshën 16 vjeçare nga regjimi komunist.

Rrëfimi i saj i bëri të rinjtë të reflektojnë si regjimet diktatoriale mund të ndalin dhe ndryshojnë jetën e çdokujt, por edhe për forcën e shumë personave që pavarësisht kalvarit të vuajtjeve dhe vështirësive nuk u ndanë nga idealet e tyre.

Në fund të turit studimor në qytetin e Shkodrës, në guidën e Pjerin Mirdita nxënësit vizituan Kishën Françeskane, që ashtu si shumë objekte të tjera kulti, në vitin 1967, humbi funksionin e saj primar për t'u shndërruar në kinema.

Sot, pjesë e identitetit dhe historikut të kësaj kishe është edhe përndjekja e klerit katolik në komunizëm. Të rinjtë mësuan gjithashtu se persekutimi ndaj fretërve françeskanë kishte filluar shumë kohë përpara shpalljes të Shqipërisë si vendi i parë ateist.

Gjatë vizitës studimore, nxënësit u njohën edhe me disa pika të tjera referimi për periudhën e diktaturës në Shkodër si rruga e burgut, godina e ish muzeut ateist, gjimnazi i jezuitëve.