njoftime

Reagim ndaj deklaratës së Prof. Dr. Luljeta Bozos për glorifikimin e regjimit komunist

Publikuar më

Drejtorja ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), Dr. Jonila Godole, i sheh me shqetësim deklaratat e bëra nga kandidatja për deputete e Partisë Socialiste (PS), Prof. Dr. Luljeta Bozo. Znj. Bozo u shpreh gjatë një interviste me nostalgji për regjimin komunist, se pavarësisht krimeve të diktaturës, Enver Hoxha ka bërë më shumë të mira sesa të këqija.

IDMC, e përkushtuar prej vitesh në edukimin e brezit të ri mbi vlerat e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe tiparet e regjimeve totalitare, organizon përveç të tjerave, prej vitit 2016 aktivitetin e përvitshëm "DITËT E KUJTESËS" pikërisht për të hedhur dritë mbi diktaturën dhe pasojat e saj deri më sot. Gjatë ditëve të kujtesës ftohen historianë, ekspertë, ish-të burgosur politikë, mësues, gazetarë, të rinj e të reja që të diskutojnë me njëri-tjetrin dhe të përballin mendimet e tyre në këtë fushë pak të studiuar në Shqipëri.

Në reagimin e saj, Dr. Godole u shpreh se pret që kandidatja për deputete e PS-së të kërkojë falje për deklaratën. Ajo gjithashtu i kujtoi kandidates dhe publikut të gjerë se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar të paktën dy rezoluta që dënojnë krimet e komunizmit, njëra prej të cilave përcakton qartë se regjimi totalitar komunist që sundoi në Shqipëri karakterizohej nga vrasjet dhe ekzekutimet kolektive dhe individuale, vdekje të shumta në kampe pune, terror psikologjik dhe fizik dhe shkelje të tjera masive të të drejtave të njeriut. Glorifikimi i arritjeve të supozuara të regjimit komunist në industrializimin e vendit është i dënueshëm, kur të gjithë e dinë që komplekset industriale u ndërtuan me mundin dhe sakrificat e të burgosurve politikë dhe të internuarve.

Ajo i bëri thirrje PS-së që të shprehet me një reagim zyrtar ndaj kësaj deklarate të papërshtatshme të kandidates për deputete dhe të sigurohet që në listat e kandidatëve të mos përfshihen njerëz që i glorifikojnë dhe justifikojnë krimet e regjimit komunist.