IDMC dënon përdorimin e simboleve komuniste nga Bashkia e Cërrikut

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) shpreh shqetësimin e thellë, pas publikimit në rrjetet sociale, të aktivitetit të zhvilluar nga Bashkia e Cërrikut, më 14 maj 2022, për përkujtimin e batalionit partizan "Dumrea", ku shfaqeshin nxënës me shallin e kuq të "pionierit", simbole këto të qarta të diktaturës komuniste.
Përmes angazhimit tonë shumëvjeçar në fushën e kujtesës, kemi vërejtur se të rinjtë nuk kanë marrë formimin e duhur historik për periudhën e komunizmit, si në mësimin e historisë ashtu edhe përmes veprimtarive kroskurrikulare.
IDMC ka dhënë dhe jep kontributin e saj në formimin qytetar të fëmijëve dhe të rinjve, përmes lëndës së historisë, qytetarisë, letërsisë, filozofisë, gjeografisë etj., nëpërmjet: botimit të teksteve ndihmëse me dokumente arkivore; konkurseve dedikuar fëmijëve dhe të rinjve me tema të ndryshme nga jeta në periudhën 1944 – sot; vizitave studimore me nxënës dhe mësues në vendet e vuajtjes (burgjet dhe ish-kampet e internimit); trajnimit të mësuesve të historisë, gjeografisë, letërsisë, qytetarisë etj.
Por, ky kontribut nuk mund të zëvendësojë rolin e Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar (DPAP), Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë të Arsimit Parauniversitar (ASCAP), Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), Drejtorive Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP), Zyrave Vendore Arsimore (ZVA-ve), Drejtorive të Shkollave, mësuesve për formimin historik e qytetar të fëmijëve dhe të rinjve mbi periudhën e sundimit të diktaturës komuniste.
Puna që bëhet në shkolla për këtë problem është shumë larg standardeve mbi të drejtat e njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, standardeve të Këshillit të Europës për mësimin e historisë, të përfshira prej ASCAP, në programet mësimore të historisë dhe lëndëve të tjera dhe të aprovuara nga MAS.
Para pak kohësh, IDMC ka iniciuar "Peticionin për Dekomunistizimin", ku midis të tjerash kërkon:
- hartimin e një kuadri ligjor, që dënon propagandën dhe simbolet e regjimit komunist
- rishikimin e kurrikulës mësimore dhe udhëzimeve të MAS, për sistemin parauniversitar, me synim krijimin e personalitetit të fëmijëve dhe të rinjve mbi bazën e parimeve qytetare dhe demokratike
Përmes këtij njoftimi për shtyp, IDMC i kërkon Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, Elbasan të distancohen nga ky akt dhe të marrin masat përkatëse ndaj cilitdo aktor që shfrytëzon padijen e të rinjve për të rikthyer dhe ringjallur simbolet e diktaturës komuniste.
Shkolla duhet të garantojë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve nga shfrytëzimi, që mund t'u bëjnë atyre aktorë dhe agjenda të caktuara.
Në shumë vende të Bashkimit Europian demonstrimi i simboleve të regjimeve totalitare është i papranueshëm dhe i dënueshëm me ligj.