Ekspozita "Propaganda gjatë diktaturës komuniste" prezantohet në Korçë

Ekspozita e IDMC "Propaganda gjatë diktaturës komuniste" u prezantua nga drejtoresha e IDMC, Dr. Jonila Godole, më 5 prill 2019, te Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane në qytetin e Korçës dhe do të qëndrojë e hapur për të gjithë studentët e interesuar që kanë dëshirë ta vizitojnë atë. IDMC falënderon Universitetin e Korçës dhe në veçanti stafin e Departamentit të Shkencave Sociale për bashkëpunimin dhe interesin e treguar për ekspozitën.
Përveç prezantimit te ekspozitës "Propaganda gjatë diktaturës komuniste", IDMC organizoi në Korçë edhe një takim me mësuesit e historisë dhe specialistë të kurrikulës. Ata u njohën me punën e IDMC për ndërgjegjësimin e të rinjve për pasojat e diktaturës komuniste dhe u prezantuan me botimet e IDMC që ju vijnë në ndihmë mësuesve në orën e mësimit për ta bërë trajtimin e temës së diktaturës më të kuptueshëm për nxënësit e tyre. Botimet e prezantuara ishin dy vëllimet e manualit pedagogjik "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore" dhe "Manuali i historisë gojore". Botimet u prezantuan nga Dr. Jonila Godole dhe Edlira Agolli, bashkautore e Manualit mbi Historinë Gojore.