Njeriu i ri në materialet filmike të diktaturës (1958–1990) IV

Katër javë pas nisjes së takimeve në kuadër të workshop-it "Njeriu i ri në materialet filmike të diktaturës (1958–1990)", IDMC në bashkëpunim me Prof. Asc. Dr. Linda Mënikun përmbyllën me sukses diskutimet duke marrë një feedback tejet pozitiv nga të rinjtë që morën pjesë.
Në takimin e fundit u analizuan filmat: "Njeriu i mirë" (1982), "Apasionata" (1983), "Dora e ngrohtë" (1983), "Duaje emrin tënd" (1984). Të rinjtë pjesëmarrës ishin të aftë që të dallonin për nga mënyra analizuese qoftë kontekstin e veprave, por edhe gjuhën, simbolikat dhe aspektet propagandistike të përdorura në një natyrë më të sofistikuar krahasuar me filmat e fillim viteve 60 apo 70.
Prof. Asc. Dr. Linda Mëniku e përqendroi diskutimin te elementët "tjetri", "armiku" dhe "heroi" të këtyre filmave. Ajo theksoi se në fillimvitet 80 fokusi i kinematografisë ishin temat sociale ku publiku "të gjente më mirë vetveten". Në këtë pjesë të rinjtë nxorën këndvështrime të ndryshme se si trajtohej figura e femrës, sjelljet që konsideroheshin të dënueshme nga shoqëria dhe pushteti si dhe mesazhet e fshehura, propagandistike që përmbanin ato.
Më pas, përmes një diskutimi të cilin e nxiti drejtoresha e IDMC, Dr. Jonila Godole, të rinjtë nxorën edhe ndryshimet që sipas tyre kishte i ashtuquajturi "njeriu i ri" që Kinostudioja "Shqipëria e Re" u përpoq të krijonte. Konkluzioni i tyre ishte se në filma "njeriu i ri" ishte ai, i cili "jetonte dhe sakrifikonte për idealet", ndërsa në realitet "njeriu i ri" ishte "oportunist dhe tejet servil ndaj mënyrave konformiste dhe nënshtruese vetëm e vetëm që të gëzonte privilegjet e pushtetit."
Pas argumentimit të shumë ideve, të rinjve iu shpërndanë formularët e vlerësimit për workshop-in edhe certifikatat e pjesëmarrjes. Nga ana e pjesëmarrësve u shpreh interesi edhe më i madh për të tilla aktivitete, të cilat nxisin aftësitë për analizim dhe reflektim mbi propagandën që diktatura përçonte përmes filmave.
Informacione për trajneren
- Prof. Asoc. Dr. Linda Mëniku, pedagoge në Departamentin e Gjuhësisë, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, e specializuar në gjuhësinë e tekstit dhe analizën e diskursit.