kultura

Njeriu i ri në materialet filmike të diktaturës (1958–1990) II

Publikuar më

Java e dytë e workshop-it "Njeriu i ri në materialet filmike të diktaturës (1958–1990)" organizuar nga IDMC pati në qendër të diskutimit trajtimin e elementëve propagandistikë të "tjetrit" si "armik". Për të nxjerrë këtë aspekt të prodhimtarisë filmike të diktaturës, u analizuan elementët linguistikë të përdorur në filmat e fillimviteve 70.

Për shembuj dhe temë diskutimi u morën filmat: "I teti në bronx" (1970), "Operacioni Zjarri" (1973), "Prefekti" (1976), "Fijet që priten" (1976). Të rinjtë pjesëmarrës në "workshop" shfaqën mjaft interes për të diskutuar sidomos rreth filmit "Prefekti". Sipas tyre gjuha e përdorur ishte tejet vulgare, përçmuese dhe denigruese kundrejt figurave reale prej të cilave komedia kishte marrë si frymëzim. Profesoreshë Linda Mëniku tha se në këtë periudhë kinematografia kishte si objektiv të ndërtonte një ndasi mes popullatës ku të mund të nxirrej "elementi armik i revolucionit socialist". Ajo shtoi se në filma si "Operacioni Zjarri" apo "I teti në bronx" vlerësoheshin kontributet e atyre që i shërbenin Partisë dhe nga ana tjetër dënoheshin duke u diskretituar ata që cilësoheshin si armiq.

Në diskutimin që lindi fill pas trajtimit të filmave, të rinjtë ndanë opinione të njëjta se propaganda filmike bënte të mundur "ndarjen e shoqërisë" duke dhënë shembuj konkretë se ç'vend do të kishin "armiqtë". Në këtë mënyrë, përmes propagandës, do të mund të bëhej edhe e ashtuquajtura "lufta e klasave" apo dhe "vigjilencë revolucionare".

Diskutimet dhe filmat që u dhanë për t'u parë i nxitën më tepër të rinjtë që t'i shohin ato me një sy edhe më kritik, krahasuar me rastet e zakonshme kur i shihnin rëndomtë nëpër televizione. Në takimin e radhës, atë të datës 4 maj u ra dakord që në filmat "Kur po xhirohej një film" (1981), "Treni niset në shtatë pa pesë" (1988), "Nxënësit e klasës sime" (1984) dhe "Cuca e maleve" (1972) pjesëmarrësit të shihnin se në çfarë këndvështrimi përcillej figura e femrës.

Takimet e radhës:

  • 4 maj, "Gruaja-model/Shembull"
  • 18 maj, "Të rinjtë"

Informacione për trajneren

  • Prof. Asoc. Dr. Linda Mëniku, pedagoge në Departamentin e Gjuhësisë, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, e specializuar në gjuhësinë e tekstit dhe analizën e diskursit.