kultura

Njeriu i ri në materialet filmike të diktaturës (1958–1990) III

Publikuar më

Në takimin e tretë të workshop-it "Njeriu i ri në materialet filmike të diktaturës (1958–1990)" në qendër të diskutimit ishte figura e gruas. Fillimisht duhet thënë se bashkëpunimi i IDMC dhe Prof. Asc. Dr. Linda Mënikut ka ngjallur realisht interes mes të rinjve. Kjo u pa nga fakti se kësaj here prezentë në sallë nuk ishin vetëm studentë të historisë, apo gazetarisë, por edhe nga Fakulteti i Arkitekturës.

Sikurse qe vendosur, materialet për t'u diskutuar ishin: drama "Cuca e maleve" (Loni Papa, 1972), "Kur po xhirohej një film" (Xhanfise Keko, 1981), "Nxënësit e klasës sime" (Saimir Kumbaro, 1984), "Treni niset në 7 pa pesë" (Spartak Pecani, 1988).

Si fillim, Prof. Asc. Dr. Linda Mëniku bëri një hyrje të shkurtër ku tregoi se në çfarë dimensioni shihej figura e gruas në shoqërinë e regjimit komunist. Ajo tha se komunistët "patën synim kryesor emancipimin dhe thyerjen e zakoneve apo mentaliteteve që diktonin shoqërinë e kohës". Duke analizuar veprën e Loni Papës, "Cuca e maleve", që u kthye në pjesë teatrale dhe u regjistrua edhe në film në fillimvitet 70, Mëniku vuri në dukje synimin që kishte pasur autori, por edhe regjimi për të sulmuar me këtë vepër jo vetëm mentalitetin dhe ritet zakonore, por edhe fenë. "Nuk duhet të harrojmë se gjithçka vjen pas lidhjes me Kinën dhe shpalljes së Shqipërisë si vendin e parë ateist në botë," tha ajo ndërsa hapi diskutimin mbi figurën e personazhit kryesor, "Cucës".

Të rinjtë të pranishëm duke analizuar, vunë në dukje shfaqjen në mënyrë pezhorative të kulturës fetare dhe po kështu të klerit. Më tej, teksa u kalua të flitej për filmin tjetër, "Kur po xhirohej një film", të rinjtë nënvizuan menjëherë ndryshimin tematik që kishin filmat. Nga një temë "revolucionarizimi dhe sakrifice, për të përhapur dijen dhe për të luftuar zakonet prapanike" te një temë disi më moderne që kishte të bënte me "jetën në çift dhe problemet e një martese". Mëniku tha në këtë pikë se ndryshimet politike të kohës, por edhe ato sociale kishin diktuar edhe temat e kinematografisë. "Tashmë propaganda ishte disi më e sofistikuar, plus në këtë periudhë ishte formuar një brez i ri që po jetonte moshën e mesme me vetëm komunizmin si sistem politik." Të rinjtë dolën në gjykimin se në vitet 80 tematika sociale ishte më e lëvruar për faktin se prodhimtaria e Kinostudios ishte më e lartë dhe përveç kësaj audienca gjente më shumë veten në këtë zhanër.

Nga filmat që u diskutuan, "Treni niset në 7 pa pesë" ishte më i debatuari. Personazhi i Etlevës "është ideali i femrës për ideologjinë komuniste, një femër që lufton e vetme për të mbrojtur veprat e socializmit, ndërmarrjen shtetërore dhe që përballet me paragjykimet e një emancipimi që bie ndesh me mentalitetin e kohës". Ideja se në film shfaqeshin hapur tipare modernizmi, si në veshje, por edhe në marrëdhëniet djalë-vajzë nxiti diskutime të cilat do të vazhdojnë më tej edhe në takimin e radhës, ku pritet të diskutohen filmat "Njeriu i mirë" (Ibrahim Muço, Kristaq Mitro 1982), "Dora e ngrohtë" (Kujtim Çashku 1983), "Apasionata" (Kristaq Mitro 1983), "Duaje emrin tënd" (Ibrahim Muço, Kristaq Mitro 1984). Në takimin e katërt do të diskutohet gjerësisht në të gjitha këndvështrimet që janë mbajtur deri më tani: "armiku", "heroi", "tjetri" dhe "gruaja".

Takimi e radhës:

  • 18 maj, "Të rinjtë"

Informacione për trajneren

  • Prof. Asoc. Dr. Linda Mëniku, pedagoge në Departamentin e Gjuhësisë, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, e specializuar në gjuhësinë e tekstit dhe analizën e diskursit.