Njeriu i ri në materialet filmike të diktaturës (1958–1990) I

IDMC në bashkëpunim me Prof. Asc. Dr. Linda Mënikun nisën serinë e takimeve për workshop-in "Njeriu i ri në materialet filmike të diktaturës (1958–1990)", që do të ketë në qendër të vëmendjes analizimin për nga tiparet propagandistike të prodhimtarisë filmike të regjimit. Synimi është që të nxiten të rinjtë në aftësitë analitike për ta kuptuar më mirë se si u krijuan stereotipat për jetën dhe ideologjinë në periudhën e komunizmit.
Në ditën e parë të workshop-it u fol për rolin që kishin filmat në propagandën e sistemit ndërsa si temë qendrore ishte roli i "heroit" në to. Të rinjtë pjesëmarrës analizuan katër filma: "Horizonte të hapura" (1968), "Rrugë të bardha" (1974), "Gjurmë në kaltërsi" (1981), dhe "Kur hapen dyert e jetës" (1986). Ata i kishin parë ato në mënyrë të pavarur dhe u aktivizuan në diskutim gjatë analizës së filmave. U analizuan personazhet dhe u nxor me përshkrime nga vetë filmat se kush ishte heroi, çfarë roli kishte ai në film dhe si përcillej nga filmat në fjalë. Mëniku theksoi se ideologjia dhe synimi i komunistëve për të "formësuar" apo siç e përdornin ata "farkëtuar njeriun e ri" u bë objekti qendror i prodhimtarisë, ndërsa me kalimin e kohës temat që u diktuan ishin nga lufta partizane te puna për të ndërtuar socializmin dhe problemet e ndryshme sociale.
Deri në vitin 1991, "Kinostudio Shqipëria e Re" realizoi mbi 200 filma artistikë, mbi 100 filma vizatimorë dhe mbi 1 000 dokumentarë. Me nivele të ndryshme, propaganda ishte e pranishme në të gjithë këtë prodhimtari. Pasi u fol për filmat, një diskutim me mjaft vlera pati për çështjen e transmetimit të këtyre filmave, sa aktualë janë ata në kohët e sotme, sa ndikojnë në perceptimin mbi të kaluarën dhe si duhet të kryhet transmetimi i tyre.
Takimet e radhës:
- 27 prill, "Tjetri/Armiku"
- 4 maj, "Gruaja-model/Shembull"
- 18 maj, "Të rinjtë"
Informacione për trajneren
- Prof. Asoc. Dr. Linda Mëniku, pedagoge në Departamentin e Gjuhësisë, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, e specializuar në gjuhësinë e tekstit dhe analizën e diskursit.