Konferenca "Mes frikës dhe ballafaqimit me të shkuarën komuniste"

Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) mori pjesë ditën e martë më 24 prill 2018, në konferencën me titull "Mes frikës dhe ballafaqimit me të shkuarën komuniste në Europën Juglindore" të organizuar nga Fondacioni "Konrad Adenauer" (Rechtsstaatprogram Südosteuropa). Veprimtaria u zhvillua në Zagreb, në ambientet e Universitetit Katolik të Kroacisë si partner i këtij aktiviteti.
Në konferencë u prezantua raporti i Këshillit Kroat për Ballafaqimin e Pasojave të Regjimeve jo-demokratike në lidhje me rregullimin e kuadrit ligjor mbi përdorimin (ndalimin) e simboleve totalitariste që ka kaluar Kroacia në shekullin e 20-të, ose siç e njohim ne ndryshe, "procesi i dekomunistizimit".
IDMC u përfaqësua në këtë aktivitet nga drejtorja ekzekutive, Dr. Jonila Godole, e cila bëri një prezantim kritik të gjendjes së drejtësisë tranzicionale në Shqipëri në këto 27 vite.
Në konferencë sollën përvojën e tyre edhe Dr. Andreja Valic Zver, drejtor i Qendër Kombëtare të Pajtimit në Slloveni, Cătălin Constantinescu, këshilltar ligjor për IICCMER në Rumani, Dr. Karsten Dümmel, drejtor i Fondacionit "Konrad Adenauer" për Bosnje-Hercegovinën etj.