Ballafaqimi me të shkuarën si mision

Në shumë aktivitete të IDMC-së që kanë synuar ballafaqimin me të shkuarën, një ndër konkluzionet e nxjerra ka qenë mënyra se si historia, sidomos ajo për të shkuarën e regjimit totalitar në Shqipëri, është mësuar në shkollë. Mbulimi që i është bërë kësaj periudhe, së bashku me tekstet mësimore të historisë, lë shumë për të dëshiruar, prandaj rishikimi i kujdesshëm i kurrikulës mësimore mbetet detyrë parësore. Ky shqetësim është mbështetur edhe nga studentë të degës së gazetarisë dhe historisë pranë Universitetit të Tiranës, gjatë vizitave studimore në ish-burgun politik famëkeq të Spaçit. Natyrisht, rishikimi i kurrikulës duhet bërë nga historianët, por nuk duhen lënë jashtë vëmendjes mësuesit e historisë në shkollat nëntëvjeçare dhe në gjimnaze, të cilët kanë detyrën e vështirë të trajtojnë diktaturën për një brez që ka lindur në vitet e demokracisë dhe të cilit kjo periudhë historike i duket tepër e largët.
Për të parë nga afër se çfarë bëhet konkretisht për ballafaqimin me të shkuarën në shkollat e mesme shqiptare, IDMC organizoi më 14 prill 2016 një takim me temë: "Ballafaqimi me të shkuarën si mision". Në këtë takim morën pjesë mësues të historisë nga gjimnaze të ndryshme të qytetit të Tiranës, "Qemal Stafa", "A.Z. Çajupi", "Ismail Qemali", "Sami Frashëri", "Partizani" dhe "Arben Broci".
Rrjeti i mësuesve të historisë ka si qëllim debatin konstruktiv dhe reflektimin mbi rëndësinë e trajtimit të këtyre temave në tekstet e historisë. Takime të tilla gjithashtu synojnë të forcojnë kulturën e të reflektuarit mbi të shkuarën dhe të gjeturit e mënyrave sesi të rinjtë mund të ndërgjegjësohen me një qasje ndërdisiplinore. Mësuesit e historisë ndajnë kësisoj me njëri-tjetrin problemet e hasura në lidhje me këtë çështje dhe përmes diskutimeve marrin sugjerime dhe këshilla.
Drejtuesja e IDMC, Jonila Godole, gjatë moderimit të këtij takimi e vendosi theksin te metoda e përdorur në mësimdhënie dhe te shembujt konkretë që duhet të lidhin teorinë me praktikën. Metoda klasike pedagogjike nga lart poshtë – ku mësuesi shpjegon dhe nxënësi e aplikon dijen e marrë në një provim – është e pamjaftueshme për të tërhequr vëmendjen e brezave të rinj rreth rëndësinë së njohjes dhe të ballafaqimit me të shkuarën.
Për këtë arsye, gjatë takimit u diskutua për një qasje ndërdisiplinore që kombinon mënyrën klasike të mësimdhënies me forma të tjera më interesante për të rinjtë, siç janë workshop-et mbi tema të ndryshme, shfaqja e filmave/dokumentarëve në orën e mësimit, bisedat me dëshmitarë të kohës, ish të përndjekur dhe ish të burgosur politikë, ekspertë të fushës, ashtu si dhe vizitat studimore në vendet e kujtesës, konkurset kreative mbi këtë temë etj.
Gjatë këtij takimi u reflektua mbi qasjen e përdorur për t'u njohur me të shkuarën e vendit dhe sidomos me periudhën e regjimit totalitar në Shqipëri, e cila solli një reflektim edhe më të thellë për të shkuarën nga vet mësuesit. Ky reflektim u pasqyrua në ide dhe propozime për projekte të përbashkëta në të ardhmen të cilat përfshijnë mësuesit, nxënësit dhe aktorë të tjerë, sidomos ata që janë prekur drejtpërsëdrejti nga regjimi i ashpër totalitar shqiptar.
Duke qenë se sot ka jo pak të rinj që thonë se është neglizhuar mbulimi që i është bërë në shkollë apo në universitet periudhës së diktaturës, IDMC synon t'i zgjerojë këto takime edhe me mësues të letërsisë e të gjimnazeve që vijnë nga qytete të tjera të Shqipërisë. Shpesh të rinjtë shprehen se për regjimin totalitar kanë dëgjuar më shumë nga prindërit në Shqipëri sesa u është ofruar në shkollë. Vetëm duke reflektuar mbi këtë situatë do të jemi në gjendje t'i hapim rrugën mënyrave për të ndërgjegjësuar dhe angazhuar të rinjtë në aktivitete që kanë të bëjnë më njohjen dhe reflektimin mbi të shkuarën. Vetëm kur të jemi përballur me të shkuarën ashtu si ajo ka qenë, pa e shtrembëruar dhe fshehur atë, mund të arrijmë njohjen objektive të saj, prandaj IDMC e shikon si shumë të nevojshëm hapjen e një dialogu me mësues të historisë dhe letërsisë për diktaturën në Shqipëri.