Identiteti dhe kujtesa në letërsi, reflektim mbi të shkuarën

Duke synuar zbulimin e rolit të letërsisë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën, aktiviteti i ditës së dytë të "Ditëve të Kujtesës" u vendos në ambientet e "Europe House". Autorët e ftuar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS), Karsten Dümmel dhe Albert P. Nikolla, treguan të tjera aspekte të komunizmit, kjo përmes pasazheve të veprave të tyre dhe po kështu përmes pyetje-përgjigjeve me të pranishmit në sallë.
Ashtu sikurse pritej, interesi ishte i madh. Ish-të përndjekur, zyrtarë të përfaqësisë diplomatike, historianë dhe plot të rinj të shkollave të Tiranës ndoqën me mjaft vëmendje këndvështrimet e dy të ftuarve rreth shkatërrimit të identitetit njerëzor nga sistemet diktatoriale dhe pasojat që ndeshen në ditët e sotme në shoqëritë respektive, Gjermani apo dhe Shqipëri.
Tema e aktivitetit u përqendrua te "Identiteti dhe kujtesa". Për këtë pjesë Godole tha në fjalën e saj përshëndetëse se "identiteti krijohet në një proces autobiografik, ku ndërthuren kujtimet dhe rrëfimet që kanë shoqëruar jetën tonë".
"Çdo përpjekje për t'u dhënë kujtimeve formë është pjesë e pandalshme e këtij procesi".
Ndërsa përfaqësuesi i Europa House, Erol Akdag, në fjalën e tij përshëndetëse u u shpreh se populli dhe politikanët e një vendi duhet të kenë vullnet të përbashkët për ballafaqimin me të shkuarën.
Nën moderimin e Drejtoreshës së IDMC, Jonila Godole, u theksua fort rëndësia e letërsisë në përçimin e përvojave njerëzore. Autori gjerman Karsten Dümmel, i cili gjatë periudhës komuniste në Gjermaninë Lindore u përndoq dhe u burgos për shkak të natyrës së tij kritike me sistemin, tregoi për përjetimet e survejimit të përhershëm të Stasit. Përmes romanit "Strohblumenzeit" ("Koha e luleve prej kashte"), pjesë nga i cili u lexuan në sallë, Dümmel tregoi përmes historisë së lidhjes së dy të rinjve, pak a shumë atë çka gjermano-lindorët kalojnë rreth 50 vite nën regjimin diktatorial.
Interesante për të pranishmit ishte fakti se në këtë aktivitet u tregua se gjatë përndjekjes së tij Dümmel kishte kërkuar të dilte jashtë Gjermanisë Lindore plot 56 herë deri sa në vitin 1988 "u ble" nga Republika Federale. Dümmel tregoi se për këtë proces ishte e nevojshme ndërhyrja nga jashtë, sepse "mund t'i drejtoheshe gjithkujt me letra, por ishte e vështirë të të mundësohej kjo gjë". Ai theksoi gjithashtu se sikurse shqiptarët e thjeshtë edhe ai e kishte pasur të pamundur lëvizjen duke thënë se në përgjithësi "ata që lëviznin jashtë kishin lidhje politike ose ishin të Stasit".
Në diskutimin tjetër antropologu Albert Nikolla tregoi për librin e tij "Njeriu i ri shqiptar". Nikolla foli gjerësisht për aspektet që e formonin njeriun e periudhës së diktaturës. Ai tha se i ashtuquajturi "njeri i ri" duhej të ishte besnik ndaj Partisë dhe të jepte jetën për të, nuk duhej të ishte indiferent, por të spiunonte, të shpifte, të trillonte dhe të ishte agresiv ndaj "njeriut të vjetër". Duke u lexuar pasazhe nga libri, Nikolla theksoi se përmes krijimit të "njeriut të ri" komunistët arritën që të zhduknin elitat dhe në ditët e sotme të mundnin të trashëgonin një tipar sikurse është "ndjesia e mosbesimit dhe e frikës".
Karsten Dümmel i shtoi kësaj pjese se "njeriu i ri" në Gjermaninë Lindore ishte gjithashtu me frikën dhe terrorin, atë terror "që i duhej pushtetit për të mbajtur pushtetin".
"Koreja e Veriut… Gjermania Lindore… Shqipëria gjithashtu… kanë gjëra të përbashkëta për sa i përket historisë diktatoriale, janë vende ku njerëzit janë marrë peng, jane skllaveruar për Partinë!"