njoftime

IDMC feston 10-vjetorin e Ditëve të Kujtesës

Publikuar më

Më 19 shkurt 2025, Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC), në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer në Shqipëri, shënoi një moment historik, duke festuar 10-vjetorin e DITËVE TË KUJTESËS në ambientet simbolike të Piramidës së Tiranës. Ky përvjetor shënon një dekadë angazhimi për ballafaqimin me të kaluarën dhe ruajtjen e kujtesës historike në vend.

Ceremonia u hap me një fjalët përshëndetëse nga Jonila Godole, drejtuesja ekzekutive e IDMC-së; Klaudia Zerva, koordinatore programi në Fondacionin Konrad Adenauer në Shqipëri; Lira Pipa, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Karl Bergner, ambasadori i Gjermanisë, si bashkëpunëtorët afatgjatë të IDMC-së, duke vënë në dukje rëndësinë e kujtesës kolektive dhe punën e Institutit në promovimin e vlerave demokratike.

“Ne menduam se për 2–3 vite do të bënim aq shumë presion sa do të kishim një ditë kujtese për viktimat dhe për qëndresën nga regjimi, si dhe do të kishim një memorial në qendër të Tiranës. Për fat të keq, edhe pas 10 vitesh nuk kemi një ditë kujtese dhe ende nuk kemi një memorial. Për sa kohë nuk kemi muze në vendet e vuajtjes, për sa kohë kampet e Spaçit, Tepelenës etj. janë rrënuar në gjendjen që janë sot, kemi një rrugë të gjatë për të bërë. Ky nuk është një finish, por fillimi i një kapitulli të ri.”
Jonila Godole
“Fondacioni Konrad Adenauer para 15 vitesh kishte përparësi trajtimin e së shkuarës. Asokohe ballafaqimi me të shkuarën linte për të dëshiruar. Shoqëria, media e elitat ishin apatike për dekomunistizimin dhe po ashtu të zhveshura nga të vërtetat. Sigurisht, ne nuk mund të zhbënim atë që ishte bërë, as jetët e humbura, por mund të merreshim me kthimin në të shkuarën, zhvarrosjen e saj, analizën, ekspertizën dhe kjo ishte një nismë minimale, por e domosdoshme për të reflektuar mbi të shkuarën.”
Klaudia Zerva
“Një dëshmi që duhet ta vazhdojmë këtë punë e të bëjmë shumë më tepër, shteti dhe ministritë, institucionet që bëjnë punë shumë të mira, siç është rasti i kampit të Tepelenës dhe Spaçit për të cilin kemi miratuar planin e menaxhimit dhe kemi mbajtur disa dëgjesa.”
Lira Pipa
“Përballja me të shkuarën është diçka që ndodh në kombet e qytetëruara. Mendoj se kjo kujtesë ka nevojë për hapësira dhe vendndodhje, ku njerëzit mund të shkojnë, si në Spaç. Kjo është e rëndësishme për ata që ishin viktima të komunizmit, por edhe për shoqërinë, që të rinjtë të mësojnë për të shkuarën.”
Karl Bergner
“Katër veta nga familja ishim me dosje në Sigurim. Na quanin objekte dhe objektet janë gjëra pa shpirt. Kjo ishim ne për regjimin.”
Nestor Topençarov

Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte prezantimi i videos përmbledhëse, që shfaqi aktivitetet dhe arritjet kryesore të IDMC-së gjatë viteve. U përfshinë aty mesazhe të ndjera nga bashkëpunëtorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke vlerësuar përkushtimin e IDMC-së në punën me të rinjtë, mësuesit, ish-të përndjekurit politikë dhe shoqërinë civile.

IDMC-ja falënderon të gjithë partnerët, bashkëpunëtorët dhe mbështetësit që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi në dekadën e fundit dhe mbetemi të përkushtuar për të vijuar përpjekjet për ruajtjen e kujtesës dhe promovimin e të drejtave të njeriut.