Apel për "Nuremberg" të komunizmit, IDMC mbështet nismën e Vladimir Bukovskij

Sot është prezantuar publikisht në Senatin Italian "Apeli për një Nuremberg të Komunizmit" nga Prof. Renato Cristin, Prof. Roberto de Mattei, Dr. Dario Fertilio, Sen. Adolfo Urso, Sen. Lucio Malan dhe Hon. Vito Comencini.
Apeli është një iniciativë ndërkombëtare mbi idenë e Vladimir Bukovskij-t dhe synon që Komunizmi të përballet me një gjykim historik dhe moral, dhe të dënohet njësoj si Nazizmi. Iniciativa mbështetet nga Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane.
Ne si Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë e mbështetim këtë iniciativë, së bashku me Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, si anëtarë të Platformës, dhe urojmë që Apelin ta firmosin edhe institucione të tjera të interesuara në fushën e kujtesës në Shqipëri.
Apeli për një "Nuremberg" të Komunizmit
30-vjetori i rënies së Murit të Berlinit na ofron një mundësi të veçantë: Jo vetëm që mund të japim një kontribut absolutisht të domosdoshëm në kujtesën historike, por gjithashtu mund të zhvillojmë dhe përkrahim një kulturë antitotalitare, me përmasa të gjera dhe largpamëse. Me këtë rast ne propozojmë ngritjen e një Nurembergu për Komunizmin.
Proceset gjyqësore të Nurembergut, të mbajtura në vitet 1945 dhe 1946, gjykuan dhe dënuan krimet dhe liderët e Nacional-socializmit gjerman, duke i dhënë totalitarizmit goditjen juridike, morale dhe politike. Proceset i treguan qartë botës se nazizmi ishte i lig dhe shkatërrimtar për shtetasit e vet, dhe se bota nuk do ta pranonte më kurrë. Komunizmi ka shkaktuar botërisht më shumë vdekje dhe vuajtje në masë sesa nazizmi, për një kohë shumë më të gjatë, por asnjëherë nuk është vënë para përgjegjësisë përpara një procesi gjyqësor global si ai i Nurembergut.
Prej vitit 1917, diktaturat komuniste apo socialiste nëpër botë kanë vrarë mbi 100 milionë persona. Ato janë përgjegjëse jo vetëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive të individit dhe për nxitjen e urrejtjes klasore, por edhe për gjenocidet dhe kasaphanat e pashmangshme të regjimeve komuniste. Siç e dimë, gjenocidet dhe masakrat janë njohur nga të gjithë si krime kundër njerëzimit.
Sot, pas rezultateve katastrofike të të ashtuquajturit "real-socializëm" dhe tërë diktaturave të tjera që u ngritën më vonë me bazë ideologjinë komuniste (siç kemi sot në vende si Venezuela ose Kuba), ngjarjet historike dhe ato aktuale kërkojnë me ngulm të njëjtin gjykim final – jo vetëm një verdikt mbi aktet individuale, por një gjykim politik dhe moral mbi rezultatet e pashmangshme të kësaj ideologjie. Krimet e komunizmit kundër njerëzimit duhen bërë publike dhe të ndëshkohen.
Komunizmi nuk u rrëzua me Murin e Berlinit. Kjo ideologji vazhdon të jetë ende gjallë nëpër botë, nga shtete dhe parti që janë dukshëm komuniste dhe në mendimin politik dhe kulturor që redukton dhe orvatet të fshijë krimet e komunizmit, sikur të ishte një ide e mirë që krejt rastësisht përkoi me ngritjen e regjimeve brutale njëri pas tjetrit përgjatë dekadave dhe kontinenteve.
Për t'i kundërshtuar këto influenca apologjike, ne kërkojmë krijimin e proceseve gjyqësore të Nurembergut për Komunizmin, një gjykim global që shqyrton krimet e vërteta të kësaj ideologjie, cakton përgjegjësitë politike dhe institucionale, ndëshkon degjenerimin e saj moral, dhe u bën të qartë të gjithëve dehumanizmin e thellë të komunizmit dhe papajtueshmërinë e tij me shoqëritë e lira.
Jemi të vetëdijshëm se ky projekt do të hasë vështirësi praktike dhe kufizime juridike. Megjithatë, ne besojmë se këto pengesa nuk do të mund të ndalin një proces politik, etik dhe kulturor, të cilin e shohim si detyrim ndaj njerëzimit dhe që na e imponon ndërgjegjja historike.
Në emër të miliona të vrarëve në të kaluarën, dhe për të mbrojtur brezat e ardhshëm nga ripërsëritja, proceset gjyqësore të Nurembergut për Komunizmin duhet të vihen në jetë sa më shpejt.