Ekspozita “Arti digjital dhe kujtesa”

Ekspozita “Arti, rinia dhe kultura: Kujtesa digjitale në veprim” u hap më 6 tetor 2025 në Galerinë “Zeta”, si fryt i bashkëpunimit mes Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), Universitetit Polis, dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit (MTKS).
Kjo ekspozitë është pjesë e projektit “Arti, rinia dhe kultura: Kujtesa digjitale në veprim”, një nismë që ndërthur artin me kujtesën historike dhe që synon të risjellë në vëmendje rrëfime të së kaluarës përmes formave bashkëkohore të shprehjes vizuale.
Në këtë ekspozitë u prezantuan 26 punime digjitale të realizuara nga studentët e Universitetit Polis, të cilët gjatë muajve të zhvillimit të projektit morën pjesë në uorkshope krijuese, biseda frymëzuese dhe vizita studimore në institucione të kujtesës, si Muzeu “Shtëpia me Gjethe”.
Studentët patën mundësinë të dëgjojnë dhe të reflektojnë mbi rrëfimet personale të Lekë Tasit, Alma Liços, Gjetë Kadelit dhe Vera Bekteshit — dëshmi të jetës dhe përvojës në periudha të vështira historike, që u shndërruan në burim frymëzimi për krijimtarinë e tyre artistike.
Përmes formave të ndryshme të artit digjital — video, animacion, grafikë dhe instalacione vizuale — studentët sollën interpretime të reja mbi temën e kujtesës, duke ndërthurur ndjeshmërinë njerëzore me teknologjinë bashkëkohore. Çdo punim është një dialog mes të shkuarës dhe të tashmes, një përpjekje për të ruajtur kujtesën përmes gjuhës universale të artit.
Në hapjen e ekspozitës morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik, përfshirë Ambasadorin e Sllovakisë, z. Albin Otruba, dhe Ambasadorin e Polonisë, z. Wojciech Unolt, përfaqësues të institucioneve shtetërore, artistë, studentë dhe publik i gjerë vendas dhe i huaj.
Ky bashkëbisedim ndërmjet brezave dhe formave të artit mbetet dëshmi e fuqisë që ka krijimtaria në mbajtjen gjallë të kujtesës dhe në ndërtimin e një dialogu të ri mes të rinjve dhe historisë.
Punimet e studentëve
- "N'prag" nga Ohara Perolli
- "Pesha e kujtesës" nga Diontela Çangu
- "Familja Bedo" nga Flavia Imeraj
- "Harresë e gjetur" nga Sibora Hoxha
- "Tingujt e shpirtit" nga Lukrecia Duro
- "Rrjeti i lirisë" nga Olivja Qafa
- "Kujtimet e një mësuesi të heshtur" nga Rea Dani
- "Identiteti i racionuar" nga Ioana Merkaj
- "Zërat që mbijetuan për të kujtuar" nga Ajla Duli
- "Jehona përtej detit: JON" nga Janissa Rako
- "Betoni i heshtjes" nga Kejsi Koburi
- "Fragmente të burgosura të jetës" nga Grejsi Kiço
- "Zërat e kujtesës" nga Amela Ceka
- "Përmes faqeve" nga Edra Danaj
- "The In-between" nga Irisa Ibrahimi & Nadia Konomi
- "Fanzine / Dokumentim" nga Stela Shkëmbi
- "Ndërgjegje me katrorë të zinj" nga Heva Baruni
- "Nën sipërfaqe" nga Sindi Kabili
- "Heshtja e harresës" nga Emi Gjyshi
- "Jetët e të jetuarve" nga Alesia Musaku
- "Memoria hermetike" nga Anxhela Çela
- "Shore of Memories" nga Fjona Mehmeti
- "Skllavëri në flori" nga Daniel Sadiku
- "Nën hijen e syrit që s'fle" nga Ina Dine
- "Veç nji fill" nga Vivian Mehmedaj
"N'prag" nga Ohara Perolli

“N’prag” fokusohet tek ëndrrat, dëshirat dhe shpresat e njerëzve të cilët kanë përjetuar periudhën e diktaturës. Vepra, në mënyrë që të funksionojë, kërkon bashkëveprim: të dëgjosh audion ndërkohë që kërkon farat nën dhe. Kur i gjen ato, sasia që do të nxjerrësh duhet të jetë e barabartë me ëndrrat dhe dëshirat që ke. Pas trysnisë së ushtruar nga zëri kumbues i diktatorit, “N’prag” të vendos para disa zgjedhjesh.
"Pesha e kujtesës" nga Diontela Çangu

“Pesha e kujtesës” është një performancë që vendos trupin në dialog të drejtpërdrejtë me barrën e së shkuarës. Duke mbajtur në duar një gur të marrë nga Burgu i Spaçit, performuesi përballet me një peshë që është njëkohësisht fizike dhe simbolike. Ky akt bëhet një ritual përkujtimi. Guri mbetet si një dëshmi e heshtur, që kujtesën e së kaluarës e kthen në praninë e vazhdueshme të së sotmes.
"Familja Bedo" nga Flavia Imeraj
Një veprim i së kaluarës, i bërë për liri, la gjurmë të thella mbi ata që mbetën — mbi jetët e gjeneratave që erdhën. Fotografitë ndërthuren me zërin e gjyshes së Flavia Imerajt, duke lejuar që historia të rrëfehet përmes tyre. Videoja flet për humbje dhe forcë, për rezistencë dhe dashuri, dhe mbi të gjitha, për familjen që gjen rrugën e saj mes hijes së historisë, duke ruajtur kujtimet dhe shpirtin përballë sfidave të së kaluarës.
"Harresë e gjetur" nga Sibora Hoxha
Kujtimet shuhen, por ndikimi mbetet përgjithmonë. Ato ndryshojnë nga personi në person, nga gjenerata në gjeneratë. Janë zë i së vërtetës së pathënë, që ndryshojnë në përmbajtje, por në rrethana të njëjta. Zbërthimi i përvojave të ndryshme të gjeneratave të asaj kohe bëhet përmes disa pyetjeve: Si ishte jeta e përditshme? Cilat ishin ndjesitë që të shoqëronin? Si niste dita? Si mbyllej dita? Çfarë shpresohej?
"Tingujt e shpirtit" nga Lukrecia Duro
Zëri shfaqet si një vajtim që bart plagët e së kaluarës. Ai ndërthuret me jehonat e këngëve komuniste, duke krijuar një peizazh të rëndë tingujsh, ku nostalgjia dhe dhimbja bashkëjetojnë. Në këtë rrëfim të kënduar, e shkuara nuk paraqitet vetëm si histori, por si emocion i gjallë që të fton të ndalesh, të ndjesh dhe të reflektosh mbi hijet që ende na ndjekin.
"Rrjeti i lirisë" nga Olivja Qafa

"Rrjeti i lirisë" nga Olivja Qafa është një kub prej hekuri që ruan brenda fotot dhe emrat e të afërmve të saj të burgosur gjatë komunizmit. Hekuri i rëndë simbolizon kontrollin e shtetit, izolimin dhe heshtjen e detyruar, ndërsa pasqyra në sipërfaqe fton shikuesin të shohë veten si pjesë të kësaj historie, duke e lidhur të shkuarën me të tashmen.
"Kujtimet e një mësuesi të heshtur" nga Rea Dani

Përmes këtij krijimi, Rea Dani synon të shndërrojë rrëfimet e gjyshit të saj në një dëshmi të gjallë që tejkalon kufijtë personalë, duke i dhënë zë një brezi të tërë që ka përjetuar sakrifica, mungesa dhe ëndrra të pashprehura. Vepra simbolizon lidhjen mes brezave, fuqinë e kujtesës dhe rolin e saj si një urë që na mban të lidhur me të kaluarën, duke na mësuar të vlerësojmë lirinë dhe të kuptojmë rrënjët tona.
"Identiteti i racionuar" nga Ioana Merkaj

Ky punim paraqet tallonin e krijuar në formën e një karte identiteti. Ideja është të vendoset theksi mbi mënyrën se si dokumentet burokratike, që dikur kufizonin jetën e përditshme përmes racionimit, kthehen sot në simbol identifikimi. Përmes këtij transformimi, talloni nuk shihet më vetëm si një mjet për të ndarë ushqime, por si një kujtesë vizuale e kontrollit dhe përvojës kolektive.
"Zërat që mbijetuan për të kujtuar" nga Ajla Duli
Ky punim sjell kujtesën e viktimave të komunizmit në Shqipëri, duke ndërthurur dëshmi të mbijetuarish, dokumente historike dhe imazhe nga vende simbolike të Shkodrës. Kjo vepër nuk është vetëm një dokumentim i së shkuarës, por një thirrje për të mos harruar. Kujtesa është e vetmja mënyrë për t’u dhënë dinjitet atyre që nuk e gjetën kurrë në jetë. “Të kujtojmë, për të mos harruar.”
"Jehona përtej detit: JON" nga Janissa Rako
“Jehona përtej detit” është një videomontim i krijuar me qëllim që të kujtojë një nga ngjarjet më shkatërruese sociale të Shqipërisë – emigrimin masiv, si dhe momente nga Festivali i 11-të i Këngës, si shenjë e rreptësisë së sistemit komunist. Duke ndërthurur ngjarje të jetës reale dhe klipe nga filma të vjetër shqiptarë, përshtatur me këngën “Jon” të Ardit Gjebreas, videoja paraqet një qasje abstrakte vizuale dhe akustike.
"Betoni i heshtjes" nga Kejsi Koburi

Videoja eksploron arkitekturën e Shqipërisë komuniste, duke sjellë në vëmendje jo vetëm format e ftohta dhe uniforme të ndërtesave, por edhe kushtet e vështira që ato impononin mbi përditshmërinë e njerëzve. Atmosfera që përcillet është ajo e një realiteti të ngurtë, ku betonizimi dhe mungesa e hapësirës njerëzore shoqëroheshin me heshtjen e pushtetit ndaj problemeve të jetesës.
"Fragmente të burgosura të jetës" nga Grejsi Kiço

Gjatë regjimit komunist në Shqipëri, propaganda ishte një nga armët më të fuqishme të pushtetit. Në çdo cep të vendit kishte slogane, portrete të Enver Hoxhës, parulla që lavdëronin Partinë e Punës dhe sistemin. Arti, media, madje edhe letërsia, ishin të kontrolluara. Pas vitit 1990, njerëzit filluan të flasin, të tregojnë historitë e vërteta: për burgjet, kampet e internimit, për mungesën e lirisë dhe varfërinë ekstreme.
"Zërat e kujtesës" nga Amela Ceka

Ky punim është një fletë që ruan një bisedë intime me gjyshërit e mi – një kujtesë e gjallë që shkon përtej fjalës së shkruar. Përmes kodit QR, vizitori ka mundësinë të dëgjojë zërat e tyre, duke hyrë në një hapësirë ku intimiteti familjar bëhet pjesë e kujtesës kolektive. Është një reflektim mbi trashëgiminë, kujtimet dhe mënyrën si zërat e dashur mbeten gjithmonë pranë nesh.
"Përmes faqeve" nga Edra Danaj

Kjo vepër është një përzgjedhje artistike e gazetave shqiptare të periudhës së rënies së komunizmit dhe ngritjes së demokracisë, ku pas titujve dhe lajmeve fshihet një sy që shikon përmes faqeve. Ky sy mbikëqyr të vërtetën e fshehur pas propagandës dhe lajmeve të shtypura — ku media manipulon realitetin, edhe në ditët e sotme.
"The In-between" nga Irisa Ibrahimi & Nadia Konomi
Ky projekt vizual synon të përfaqësojë fenomenin e shtypjes së identitetit dhe luftës së vazhdueshme për shprehje të lirë të përjetuar nga artistët gjatë regjimeve autoritare, me një fokus të veçantë mbi figurën e Ali Osekut dhe artistëve të kohës së komunizmit në Shqipëri. Përmes një serie fotografish, një formë drite ovale reflektohet mbi një sfond të errët e të paformë si simbol i shpirtit krijues që refuzon të shuhet.
"Fanzine / Dokumentim" nga Stela Shkëmbi
"Dokumentim" është një seri veprash mbi komunizmin në Shqipëri. Vepra e parë në një seri të vazhdueshme, "Shënime", vepron si një agjent i Sigurimit dhe zgjedh pesë intelektualë të cilët kanë dalë kundër komunizmit, me një dosje personale të secilit person. Në veprën e dytë, "Raportim", agjenti i Sigurimit mbledh dhe përpilon shkresa për të raportuar mbi ngjarje të ndryshme, të cilat rrjedhin në mënyrë të pambarimtë.
"Ndërgjegje me katrorë të zinj" nga Heva Baruni

Ky instalacion është një homazh për vargun e ndërprerë të poetit disident Trifon Xhagjika mbi mungesën dhe peshën e saj. Është një kujtesë se heshtja e imponuar nuk është zbrazëti, por një hapësirë që rëndon mbi ndërgjegjen kolektive. Katrorët e zinj, njolla që përfaqësojnë “plagë të hapura”, janë simbol i fjalëve që nuk u thanë kurrë, por që vazhdojnë të kumbojnë në mungesën e tyre.
"Nën sipërfaqe" nga Sindi Kabili
Ky punim fokusohet te kujtesa kolektive dhe censura. Kutia ka dy shtresa: copa e jashtme, që simbolizon fshehjen dhe heshtjen, dhe copa e brendshme me një tekst të fshehur, që kujton realitetin e shtypjes. Akti i grisjes kthehet në një gjest çlirues dhe një rikthim te historia e mbuluar.
"Heshtja e harresës" nga Emi Gjyshi

Ato që sot janë thjesht disa banesa të vjetra e të harruara rrugëve të qytetit, dikur kanë qenë të mbushura plot jetë e gjallëri. Muret e tyre dëgjonin biseda familjare, të qeshurat e fëmijëve dhe zhurmën e përditshme të një shtëpie plot njerëz. Ato na kujtojnë se pas çdo dritareje të mbyllur ka pasur dikur një jetë, dhe se çdo vend, sado i braktisur të duket, mban brenda vetes një histori.
"Jetët e të jetuarve" nga Alesia Musaku

Për të risjellë grimca të së shkuarës në këtë projekt artistik, Alesia Musaku vendosi të rikrijojë një pasaportë shqiptare komuniste për ta pasqyruar si një ditar të të privilegjuarve të kohës së komunizmit, të cilët kishin mundësinë për të dalë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe për të parë përtej fshehtësisë, gënjeshtrave, prapambetjes në vendin e tyre.
"Memoria hermetike" nga Anxhela Çela

“Memoria hermetike” mbledh brenda qelqit, copëza jete që u përpoqën të fshiheshin ose të shuheshin. Çdo kavanoz është një dëshmi e vogël. Të mbyllura hermetikisht, ato kujtime duken të paprekshme, por mbajnë brenda tyre peshën e një kohe të rëndë. Vepra e fton publikun të reflektojë mbi të shkuarën, mbi heshtjen e imponuar dhe mbi nevojën për të ruajtur kujtesën kolektive.
"Shore of Memories" nga Fjona Mehmeti

Stërgjyshi i Fjona Mehmetit në vitin 1915 u detyrua të largohej drejt Amerikës për arsye ekonomike. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Turqi, u kthye në atdhe, por për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike u nis drejt Korfuzit dhe më pas mori tragetin për në Amerikë, ku u vendos në një familje shqiptare emigrantësh. Ky udhëtim shënon fillimin e një kapitulli të ri, plot sfida e sakrifica, por edhe shpresë për një jetë më të mirë.
"Skllavëri në flori" nga Daniel Sadiku

Ky poster u krijua për një arsye specifike: për të treguar qartë dhe haptazi dëmet që një regjim u shkaktoi njerëzve të tij. Një dorë e butë, e pafajshme, e cila edhe pse çlirohet nga zinxhirët e vjetër (bllokimi i lirisë së fjalës etj.), kacafytës me zinxhirë të praruar, idealet e rreme dhe gënjeshtrat për një jetë “të përsosur” të komunizmit. Sado kohë të ketë kaluar, ligësia e një dore të pështirë nuk mund të harrohet kurrë.
"Nën hijen e syrit që s'fle" nga Ina Dine

Këto vepra riimagjinojnë jetën në Shqipërinë komuniste, një periudhë ku izolimi dhe frika formonin çdo moment të përditshmërisë. Në veprat e saj, Ina Dine përdor fotografi arkivore si bazë dhe ndërhyn mbi to me elemente sureale, si sytë 3D dhe rrezet e kuqe. Syri i palëvizshëm shfaqet mbi hapësira të zakonshme si shtëpia, klasa, rruga apo plazhi duke simbolizuar mbikëqyrjen e pandërprerë të shtetit.
"Veç nji fill" nga Vivian Mehmedaj

Një instalacion që tregon fatet dhe ëndrrat e individëve, të cilat enden në një botë të izoluar. Të ngushtuara në një iluzion, në një kuti transparente, këto “ëndrra” përpiqen të dalin jashtë kutisë, vetëm e vetëm që të rikthehen pas brenda. Ky mjedis, deri diku utopik, përfaqëson kohën e komunizmit dhe se si kishte në dorë fatet e individëve kaq lehtësisht.




