njoftime

21 Maji si "Ditë përkujtimore e qëndresës kundër regjimit komunist"

Publikuar më

Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane

Rezolutë e Këshillit të Anëtarëve

Thirrje Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për shpalljen e 21 Majit si "Ditë përkujtimore e qëndresës kundër regjimit komunist"

Hyrje

Regjimi komunist në Shqipëri ushtroi dhunë brutale dhe të vazhdueshme ndaj jetës dhe lirive të qytetarëve. Rreth 35 mijë burra e gra u burgosën dhe rreth 60 mijë persona u dëbuan dhe u internuan. Mijëra të tjerë u pushkatuan, u vranë ose humbën jetën në burgje dhe trupat e tyre nuk iu kthyen kurrë familjeve. Ne shprehim respektin tonë më të thellë për secilën viktimë të regjimit komunist shqiptar dhe shprehim keqardhjen që edhe sot, më shumë se 30 vjet më vonë, kjo tragjedi nuk është zbuluar plotësisht dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut nuk janë dënuar.

Shqipëria ka miratuar dy rezoluta: një për të dënuar krimet e regjimit komunist (2006) dhe një tjetër për krimet kundër klerit (2016). Megjithatë, zbatimi i tyre ka qenë minimal.
Shqipëria është i vetmi vend në Evropën Qendrore dhe Lindore që ende nuk ka një ditë përkujtimore për viktimat e komunizmit dhe as një memorial kombëtar në kujtim të tyre.
Me rastin e 50-vjetorit të revoltës së Spaçit, më 21 maj 1973, një grup institucionesh të angazhuara në fushën e kujtesës kërkuan zyrtarisht shpalljen e 21 Majit si një Ditë kombëtare Përkujtimore e Qëndresës kundër Regjimit Totalitar. Ajo duhet të jetë një ditë nderimi për ata që u burgosën pa të drejtë dhe ditë reflektimi për qëndrimin që duhet të mbajmë si shoqëri ndaj atij regjimi totalitar. Kjo kërkesë ende nuk është përmbushur dhe mbetet aktuale. Gjithashtu, ne ndjekim me shqetësim përpjekjet e qeverisë për të ngritur një muze jo në kampin e Spaçit, i cili është një vend autentik kujtese, por diku tjetër, duke argumentuar se është më i aksesueshëm nëpërmjet autostradës. Pa respektuar kujtesën historike, pa nderuar viktimat e dhunës komuniste dhe pa bërë transparencë mbi mizoritë e regjimit komunist, nuk mund të ketë pajtim shoqëror dhe demokraci të fortë.

Rezolutë

Platforma Evropiane e Kujtesës dhe Ndërgjegjes mbështet përpjekjet për të shpallur 21 Majin si një ditë përkujtimore në Shqipëri në respekt të viktimave dhe të qëndresës kundër regjimit komunist, në një vend që ka provuar një nga diktaturat më të egra komuniste. Revolta e të burgosurve politikë të Spaçit nga 21–23 maj 1973 është një nga simbolet më të rëndësishme të qëndresës së popullit shqiptar kundër diktaturës komuniste. Policia dhe ushtria e shtypën atë me dhunë, 60 persona u ridënuan, dhe katër prej tyre u pushkatuan.

Platforma gjithashtu mirëpret përpjekjet e qeverisë shqiptare për të adresuar çështjen e ngritjes së muzeut në kamp burgun e Spaçit dhe fton të gjitha institucionet dhe aktorët e përfshirë në këtë debat të bashkëpunojnë për të ngritur një muze që i shërben më së miri kujtesës historike kolektive dhe rrit ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare dhe brezit të ri.

Platforma mirëpret çdo përpjekje për të përkujtuar viktimat e regjimit komunist në Shqipëri, një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, sepse ne besojmë se historia e çdo vendi është një pjesë e vlerave evropiane të drejtësisë, dhembshurisë dhe pajtimit.

Vilnius, më 16 maj 2024

Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane
Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane