Humori si formë rezistence gjatë regjimit komunist

Një nga veçoritë kryesore të artit gjatë regjimit komunist ishte edhe humori. Ai bënte pjesë në atë çka shteti kontrollonte rreptësisht dhe që e përdorte për të mbushur jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare. Humori kishte një rol të rëndësishëm në veprimtaritë artistike të teatrove, estradave, revistave, publikimeve apo librave. Një valë humori e gjerë dhe e organizuar u përhap në Shqipëri sidomos pas viteve '70, duke e propaganduar atë për të shpalosur sukseset e Shqipërisë në fushat e ndryshme të zhvillimit ekonomik. Po ashtu humori filloi të godiste edhe fenomene të ndryshme shoqërore, të cilat kishin në qendër vese të ndryshme që haseshin shpesh në jetën e përditshme.
Gjithsesi përtej larmisë dhe sasisë së produkteve humoristike, humori në shprehjet e tij të ndryshme asnjëherë nuk u ngrit në goditjen e niveleve të larta të udhëheqjes. Ne synojmë që nëpërmjet disa takimeve të shtrojmë pika dhe tematika kyçe mbi temën e humorit në komunizëm. Karikatura, barcaleta e tregime humoristike, estrada dhe skeçi janë disa nga këto tematika.