"Topografia e terrorit" në Gjirokastër dhe Lushnjë

Në kuadër të aktivitetit "Topografia e Terrorit", IDMC organizon vizita studimore në vendet e kujtesës së diktaturës në Shqipëri që të ndërgjegjësojë të rinjtë me pasojat e saj. Pas vizitës studimore në ish-burgun politik të Spaçit këtë fillimvit, IDMC organizoi në datat 19‒20 shtator një vizitë studimore në vendet e kujtesës në Tepelenë, Gjirokastër dhe Lushnjë, në bashkëpunim me Institutin e Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë.
Ditën e parë, të rinjtë me prejardhje nga familje të ndryshme shqiptare ish-të përndjekura gjatë periudhës së diktaturës u nisën nga Tirana drejt Tepelenës e Gjirokastrës. Fillimisht ata u njohën me ish-kampin e internimit në Tepelenë. Në fjalën e tyre hyrëse, Dr. Jonila Godole, drejtore ekzekutive e IDMC, dhe z. Bilal Kola, drejtor i IIPP, u bënë thirrje të rinjve për vetëdijësim. Z. Simon Mirakaj, ish-i përndjekur politik gjatë diktaturës, i njohu ata me detaje të jetës në kampin e internimit dhe vuri theksin te rëndësia që ka ballafaqimi me të shkuarën për të ardhmen. Z. Daut Gumeni, ish i burgosur politik dhe kandidat për Komisionin e Hapjes së Dosjeve, u bëri thirrje të rinjve të mos i frikësohen të shkuarës por ta njohin atë.
"Kush harron të shkuarën nuk di ku shkon."
Pas Tepelenës, vizita studimore vijoi në Gjirokastër. Në muzeun "Musine Kokalari", znj. Arjeta Kokalari u tregoi të rinjve rëndësinë e figurës së disidentes Musine Kokalari, ndërsa më vonë, në ish-burgun në kalanë e Gjirokastrës, z. Gumeni ndau me të rinjtë histori personale nga jeta në burg gjatë diktaturës.
Ditën e dytë, vizita studimore i çoi të rinjtë nga vendet e kujtesës në Gjirokastër te ato në Lushnjë. Aty u njohën me jetën në barakat e Savrës dhe vizituan memorialin e internim-dëbimeve nga vitet 1954‒1991.
Informacion rreth të ftuarve
- Daut Gumeni, ish-i burgosur politik gjatë diktaturës në Shqipëri, sot është analist dhe kandidat për Komisionin e Hapjes së Dosjeve.
- Simon Mirakaj ka lindur më 1945. Ai kaloi 44 vjet të jetës së tij i internuar për motive politike prej sistemit diktatorial në Shqipëri, që kur ishte vetëm 2 javësh. Aktualisht është Kryetar i Shoqatës të ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë.