njoftime

Rekomandime për shfaqjen e filmave të ish-Kinostudios

Publikuar më

Më 10 nëntor 2022, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin "Konrad Adenauer" (KAS), zhvilluan tryezën e rrumbullakët me temë “Kinostudio kundër klerit”, në kuadër të 55 vjetorit të shpalljes së Shqipërisë vendi i parë ateist në botë.

Më 13 nëntor 1967, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Shqipëria ndaloi çdo formë besimi duke pasuar me një valë dhune dhe persekutimi ndaj klerit, besimit dhe objekteve të kulteve fetare. Kjo politikë represive u mbështet, ndër të tjera, nga prodhimet kinematografike të Kinostudios, ku denigrohej imazhi i klerit dhe feja.

Filmat e ish-Kinostudios vazhdojnë të shfaqen në televizionet shqiptare dhe në internet pa filtra dhe pa kontekst, ndaj tryeza synoi përmes debatit të hapur të gjejë mekanizmat rregullues për transmetimin e këtyre filmave sipas modeleve në vendet e tjera me histori të ngjashme.

Nismës së IDMC, që hartoi rekomandimet e kësaj tryeze, iu bashkuan edhe sugjerimet e përfaqësuesve të komuniteteve fetare në Shqipëri dhe institucioneve publike si Autoriteti i Medies Audiovizive, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Forumi i Mbrojtjes së Audio-Vizualit, Departamenti i Gazetarisë në UT dhe anëtarë të Këshillit drejtues të RTSH.

Më poshtë mund të gjeni rekomandimet që dolën nga kjo tryezë e rrumbullakët. Për çdo sugjerim tjetër, ju lutemi të na shkruani në adresën tonë elektronike office@idmc.al.

Komunitetet fetare:

  1. Ngritja e një grupi të përbashkët pune me ekspertë, historianë, teologë, kineastë etj., për të shqyrtuar materialet filmike të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re” për të koordinuar një qëndrim të përbashkët që ofron zgjidhje konstruktive dhe dialoguese.
  2. Publikimi i analizës dhe qëndrimit të përbashkët të komuniteteve fetare në lidhje me këtë çështje në media dhe hapësirën virtuale.
  3. Përzgjedhja e një grupi të përbashkët përfaqësimi për personat që mund të përfshihen në diskutime të mundshme publike (p.sh. aktivitetet me shfaqjen e filmave nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, shkollat publike apo dhe Radio-Televizioni publik Shqiptar) apo dhe në media.

Autoriteti i Medieve Audiovizive:

  1. Mbështetjen e një projekti monitorues profesional dhe të pavarur mbi prodhimtarinë filmike të diktaturës që shfaqet në kanalet e transmetuesin publik, në televizionet private, rrjetin kabllor dhe platformat digjitale.
  2. Përgatitjen e një katalogu me kritere që vlerësojnë programacionin dhe materialet që transmetohen, të cilat përmbajnë propagandë të diktaturës komuniste dhe/apo mohim të krimeve dhe pasojave të diktaturës për komunitetet fetare dhe grupet e tjera të interesit.
  3. Verifikimin e kontratave për të drejtat e transmetimeve dhe të guidave elektronike (EPG) të programacionit.
  4. Mbështetje dhe respektim të rezolutave të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë për dënimin e krimeve të komunizmit dhe rekomandimeve që burojnë prej tyre.

Kuvendi përmes Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik:

  1. Rishikimi ose amendimi i ligjeve për të përcaktuar mënyrat e transmetimit në Radio-Televizionin Publik Shqiptar dhe hapësirat publike (p.sh në aktivitete dhe institucione arsimore) të kinematografisë së diktaturës (p.sh me strishë paralajmëruese me vitin e krijimit, logo e pranishme gjatë gjithë transmetimit ose vetëm në një pjesë, tekst përshkrues apo interpretim audio/video përpara shfaqjes së tyre etj.)
  2. Rezolutë e Kuvendit për një qëndrim mbi propagandën e diktaturës në kulturën dhe kinematografinë shqiptare lidhur me manipulimet historike, denigrimin e klerit, ngritjen e kultit të Partisë dhe diktatorit, kultit të Sigurimit të Shtetit, kultin e “Njeriut të Ri”, të luftës së klasave dhe servilizmit e nënshtrimit ndaj pushtetit dhe ndaj partisë.
  3. Rishikimi i ligjit që rregullon veprimtarinë e Autoritetit të Medieve Audiovizive për t’i dhënë fuqi që të veprojë për mënyrën e transmetimit të filmave të Kinostudios.
  4. Nxitja e Autoritetit të Medieve Audiovizive për të kërkuar respektimin e mënyrave të reja të transmetimit të kinematografisë së diktaturës (me strishë, me logo, me debat shoqërues para ose pas filmit dhe me guidë kanali EPG të përditësuar).

Ministria e Kulturës:

  1. Ngritja e një grupi pune me historianë, ekspertë komunikimi dhe studiues të arkivave, përfaqësues të klerit, kineastë dhe ekspertë arti filmik (Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, si dhe Fakulteti i Artit Skenik, Universiteti i Arteve), për të klasifikuar për nga niveli i propagandës filmat që janë ose jo të përshtatshëm për t’u shfaqur për publikun e gjerë.
  2. Ngritja e një grupi pune të përbashkët me historianë, përfaqësues të klerit, kineastë dhe ekspertë nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit për të përditësuar dhe kontekstualizuar përshkrimin e materialeve të filmave të diktaturës në katalogë dhe programe televizive.
  3. Mbështetje përmbajtjesore dhe financiare e një serie emisionesh debati publik në RTSH me ekspertë dhe përfaqësues të grupeve të interesit për të rregulluar transmetimin e filmave që përmbajnë propagandën e PPSH-së dhe të regjimit komunist.
  4. Mbështetja financiare e një krijimtarie alternative kundrejt këtyre filmave propagandues për të dhënë realitetin e vërtetë të periudhës të komunizmit.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë:

  1. Mbledhja “ad-hoc” e Komisionit të Vizionimit për të shqyrtuar prodhimtarinë kinematografike të diktaturës nëse është në pajtim me ligjet/aktet nënligjore aktuale, nëse cenon bashkëjetesën fetare, diskriminon dinjitetin njerëzor dhe denigron besimtarët.
  2. Kategorizimi sipas audiencës A/B/C i filmave të periudhës së diktaturës.
  3. Rishikimi i lejeve të qarkullimit të filmit për materialet kinematografike që janë problematike për sa i përket nivelit të propagandës, shkeljes së dinjitetit njerëzor, të pakicave etnike, fetare etj.

Radio-Televizioni Shqiptar:

  1. Shoqërimi i kinematografisë së diktaturës me emisione debati mbi kontekstin e tyre, prapaskenat politike nga udhëheqja e kohës, ndikimin e aparatit propagandistik te regjisorët, skenaristët apo interpretimet e aktorëve.
  2. Kontekstualizimi i guidës elektronike me një përshkrim sqarues si p.sh. “Kujdes! Ky film përmban elementë ideologjikë të PPSH-së dhe propagandë të regjimit komunist shqiptar”; me një pullë, një logo etj. Si dhe përditësimi me kontekstualizim i përshkrimeve të filmave në programin online të RTSH-së.
  3. Krijimi i një moduli trajnimi për gazetarët dhe punonjësit e RTSH-së për çështjen e fesë dhe propagandës në bashkëpunim me IDMC ose/dhe me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit (Universiteti i Tiranës) dhe përfaqësues të Komunitetit Ndërfetar dhe grupeve të tjera të interesit.
  4. Rishikimi i amendamenteve të ligjit nr. 9677, datë 13.01.2007 në lidhje me transmetimin e filmave të propagandës të regjimit në kanalet e transmetuesit publik RTSH.

Universiteti i Arteve:

  1. Mundësinë për të hapur një program të ri studimi për kritikë arti, më konkretisht të kinematografisë së diktaturës.

Ministria e Arsimit:

  1. Reflektimin në kurrikulën mësimore të aspekteve të ndryshme të diktaturës staliniste në Shqipëri, pasojave të saj dhe procesin e dekomunistizimit në lëndë si historia, qytetaria, artet etj.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit:

  1. Përditësim të sistemit online të arkivës së materialeve filmike (aktualisht me sistem Flash-Player, i nxjerrë zyrtarisht nga përdorimi prej vitit 2021 nga Google, Microsoft apo Mozilla).
  2. Përditësim dhe kontekstualizim të përshkrimit të materialeve kinematografike sipas udhëzimeve të nxjerra nga grupet e punës me institucionet e tjera.
  3. Rishikimin e mënyrave të transmetimit të filmave për fëmijë në aktivitetet publike, sipas një kontekstualizimi dhe një qasjeje të përcaktuar nga grupet e punës me institucionet e tjera.

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK),
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH),
Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH):

  1. Koordinim ndërinstitucional për të mbështetur hulumtime për materialet arkivore të cilat nxjerrin në pah planet, udhëzimet dhe historinë e zhvillimit të propagandës në kinematografi gjatë diktaturës.
  2. Mbështetje për botimet që trajtojnë gjetjet dhe analizat e të dhënave arkivore rreth propagandës së diktaturës në kinematografi.
  3. Ekspozimin dhe promovimin e shembujve të mirë të kontributit të klerit në zhvillimin e shoqërisë shqiptare, duke paraqitur materiale filmike dhe dokumentarë që flasin për bashkëjetesën ndërfetare në Shqipëri.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit,
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi:

  1. Përfshirje e organeve të të drejtave të njeriut në Shqipëri në konsultimet e nevojshme nga organet publike mbi këtë problematikë.

Partnerë ndërkombëtarë (OSBE, KAS etj.):

  1. Mbështetjen e programacionit të transmetuesit publik RTSH (apo medieve private) me produksione filmike me metrazh të shkurtër apo të gjatë, të cilat trajtojnë aspekte të ndryshme të diktaturës komuniste dhe ndikojnë në ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe të brezit të ri për pasojat e kësaj diktature.