botime

Përhapja e lajmeve të rreme dhe propaganda në Shqipëri gjatë pandemisë së COVID-19

Publikuar më

Viti: 2020
Përgatiti: Valbona Bezati

Për lexim
Për lexim

Gjatë kësaj krize globale, duket sikur lajmet e rreme po përhapen me po të njëjtën shpejtësi me virusin. Kjo është edhe arsyeja se përse ky punim kërkimor fokusohet në fenomenin e lajmeve të rreme për COVID-19, të cilat janë shkruar dhe publikuar në median online në Shqipëri gjatë periudhës janar-gusht 2020.

Aktualisht, audienca shqiptare duket tejet e pështjelluar për shkak të informacionit që shpërndahet online çdo ditë, në një vend ku janë aktive 800 faqe lajmesh (2019) që prodhojnë informacione me tonelata për më pak se tre milionë banorë.

Fenomeni/sfida e përhapjeve të lajmeve të rreme për Covid-19 ka ndjeshmëri të veçantë për shkak të vetë rrezikut që këto artikuj sjellin për shëndetin e lexuesve. Më konkretisht, kemi parë rëndom se si këto artikuj që përmbajnë lajme të rreme japin sugjerime të tilla si: “përdorni filan mjekim”, “mos mbani maskë”, apo edhe “bëni filan vaksinë (të pacertifikuar)”. Të gjithë këta artikuj (por edhe të tjerë) mund të nxisin keqinformim dhe sjellje të rrezikshme për ata qytetarë që i besojnë.

Prandaj, ky studim synon të rrisë ndërgjegjësimin rreth sfidës që paraqesin këto lajme të rreme, veçanërisht gjatë krizave. Ndër objektivat e këtij punimi kërkimor mund të përmendim:

  • matjen e përhapjes së lajmeve të rreme;
  • vlerësimin e rreziqeve që sjell keqinformimi për demokracinë duke analizuar raste të reja;
  • mbledhjen dhe reflektimin për perceptimin dhe përvojat e audiencave dhe gazetarëve lidhur me lajmet e rreme.

Për më tepër, ky punim kërkimor synon të depërtojë te dy audienca kryesore: përkatësisht gazetarët dhe konsumatorët (lexuesit) e rinj.

Për sa i përket metodologjisë, punimi kërkimor bazohet në të dhënat e krijuara gjatë monitorimit afatgjatë të artikujve online të publikuar përgjatë një periudhe 8-mujore. Në këtë punim kanë luajtur rol thelbësor edhe të dhënat e mbledhura nga anketimi që përfshiu 150 individë, si dhe të dhënat e siguruara nga intervistat me gazetarët.

Fjalët kyçe: Lajme të rreme, keqinformim, propagandë, Shqipëri, media, COVID-19.