Lufta e Ftohtë: Shkaqet, historiku, pasojat

Kjo ekspozitë u përgatit nga Kolegji Berlinez "Lufta e Ftohtë" me mbështetjen e Fondacionit Federal Gjerman për Trajtimin e Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore. Ajo u prezantua për herë të parë në mars 2016 në Gjermani dhe vihet në dispozicion të shkollave dhe institucioneve të tjera për projekte jashtë kurrikulare. Ajo është e pajisur me mbi 180 fotografi dhe dokumente, si edhe QR-barkode, të cilat të shpien te dokumente filmike në internet. Ekspozita ofron kësisoj një panoramë të Luftës së Ftohtë që shenjoi gjysmën e dytë të shekullit XX në emër të konkurrencës globale.
Ekspozita prezanton momentet kryesore të marrëdhënieve Lindje-Perëndim gjatë viteve 1945–1991, nga përfundimi i Luftës II Botërore deri në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Publiku i gjerë njihet përmes fotove dhe fakteve me konfliktet mes shoqërive të përfshira gjatë Luftës së Ftohtë dhe pasojat e kësaj lufte deri më sot.
Për ta sjellë këtë ekspozitë pranë publikut shqiptar, ajo u zgjerua me katër postera në gjuhën shqipe, të cilat me anë të fotografive dhe materialeve arkivore paraqesin qartë rolin e Shqipërisë gjatë periudhës së Luftës në Ftohtë dhe pasojat e vendimeve të qeverisë komuniste në atë kohë. Ekspozita në Shqipëri u mundësua nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.
Botues
Kolegji Berlinez "Lufta e Ftohtë" është krijuar në vitin 2015 dhe shërben si një vendtakim për shkëmbimin shkencor ndërkombëtar dhe studimin e Luftës së Ftohtë që shenjoi gjysmën e dytë të shekullit XX, pasojat e të cilës ndihen deri më sot.
Fondacioni Federal Gjerman për Trajtimin e Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore synon përmes këtij projekti dhe aktiviteteve të tjera një përballje të plotë me shkaqet, historinë dhe pasojat e diktaturave komuniste në Gjermani dhe Europë.
www.bundesstiftung-aufarbeitung.de
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) synon përmes projekteve kreative ndërgjegjësimin e të rinjve dhe të shoqërisë shqiptare mbi diktaturën komuniste dhe rëndësinë e memories historike.
Autorët
Ekspozita ka për autor Prof. Dr. Bernd Greiner, historian, studiues i shkencave politike dhe amerikanist. Greiner, profesor në Universitetin e Hamburgut prej vitit 1989, Instituti për studimet shoqërore, drejton Kolegjiumin e ri «Lufta e Ftohtë» në Berlin.
Kurator i ekspozitës është Dr. Ulrich Mählert, drejtor i departamentit të shkencës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, pranë Fondacionit Federal për Trajtimin e e Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore.
Përgatitja e posterave shtesë për rolin e Shqipërisë në Luftën e Ftohtë u realizua nga historiani Prof. Dr. Petrit Nathanaili, Departamenti i Historisë/UT. Përshtatja e tekstit të ekspozitës u realizua nga Dr. Enriketa Papa dhe Dr. Jonila Godole. Fotografitë u siguruan në Arkivin Qendror të Shtetit dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Ekspozita mund të prezantohet në vende publike, shkolla, institucione apo biblioteka. Gjithashtu ajo mund të paraqitet në kuadër të debateve publike, shfaqjeve të filmave dhe dokumentarëve, bisedave me dëshmitarë okularë të kohës, prezantimeve të librave etj.
Informacion për të interesuarit
Të drejtat për shpërndarjen e ekspozitës në gjuhën shqipe i ka IDMC. Për të gjithë ata që janë të interesuar ta prezantojnë ekspozitën në institucionet shqiptare duhet të drejtojnë një kërkesë zyrtare pranë zyrës së IDMC, me postë ose me e-mail office@idmc.al.
IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Rr. "Bardhok Biba", Ndërtesa "Trema"
Hyrja A, Kati 11
Tiranë