Bashkëbisedim me shkrimtaren Fatbardha Saraçi

Gjatë vizitës studimore në vendet e kujtesës në Shkodër, IDMC zhvilloi edhe aktivitetin "Letërsia si vend kujtese", një nismë e IDMC-së që nga viti 2015.
Në një bashkëbisedim aktiv me nxënësit dhe mësuesit, shkrimtarja Fatbardha Saraçi (Mulleti), e internuar që në moshën 5-vjeçare nga regjimi komunist, rrëfeu për ta detaje nga botimi "Kalvari i grave në burgun komunist", përmbledhje me përjetimet më rrëqethëse të grave në kampin famëkeq të Tepelenës bazuar mbi intervista, të dhëna arkivore dhe dëshmitë e të mbijetuarve.
Në mungesë të dokumenteve filmikë që mund të dëshmojnë ekzistencën e kampit të Tepelenës ose memorialeve, pllakave përkujtimore apo muzeve që duhet të përkujtonin viktimat e komunizmit edhe në vendet e tjera të kujtesës në Shqipëri, letërsia shndërrohet në dëshmi dhe në të vetmin vend kujtese që u mundëson të rinjve njohjen me të kaluarën komuniste.
Historia e përndjekjes së Fatbardha Saraçi Mulleti
(shkëputur nga Observatori i Kujtesës)
Ka lindur më 8.11.1939 në Tiranë. Nga i ati, Haki Mulleti, nëpunës i ndershëm dhe atdhetar trashëgoi dhe u ushqye me ndjenja fisnike. Që në moshën 5 vjeçare provoi persekutimin sllavo-komunist.
Babai i burgoset në vitin 1945, ndërsa familja internohet në Kavajë, ku edhe kreu shkollën 7-vjeçare në vitin 1952. Mbaron gjimnazin "28 Nëntori" në vitin 1957 në Shkodër. Më pas punon si arsimtare në fshatrat e Lezhës: Kallmet, Manati, Blinisht dhe ne Dajç të Zadrimës. Vazhdoi studimet e larta pa shkëputje nga puna dhe mbaron Institutin Pedagogjik (2-vjeçar) në Tiranë, dega Biologji-Gjeografi-Kimi më 1963. Ndërsa më 1970 mbaron Universitetin e Tiranës në degën Kimi-Biologji.
Në vitin 1975 e largojnë nga arsimi për shkak të "biografisë" dhe sepse nuk pranoi të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit. Më vonë punoi si punëtore në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Jeta e shkurtër bashkëshortore (mbasi i shoqi, Kolë Saraçi, vdes në vitin 1990, mbas 8 vitesh martesë) i dhuroi një djalë, Peterin. Ka punuar e publikuar në shtypin e kohës artikuj në mbrojtje të bashkëvuajtësve, të nënave e motrave shqiptare.
- Në moshën 5-vjeçare provon persekutimin sllavo-komunist
- 1945 familja e Fatbardha Saraci Mulleti internohet në Kavajë
- 1970 mbaron studimet në Universitetin e Tiranës në degën Kimi-Biologji
- 1975 largohet nga arsimi për shkak të biografisë dhe mosbashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit