Bashkëbisedim me shkrimtaren Alma Liço

IDMC ishte në Cërrik në kuadër të projektit "Letërsia si vend kujtese" me mësues dhe nxënës të zonës, si dhe me të ftuar shkrimtaren, ish-të përndjekur në zonën e Dragotit (Elbasan), Alma N. Liço.
Pas prezantimit të dokumentarit të IDMC "Fëmijët e diktaturës", shkrimtarja Liço lexoi pjesë nga libri i saj "Krahë të këputur" dhe u bë pjesë e një bashkëbisedimi me të rinjtë.
Dokumentari "Fëmijët e diktaturës" është prodhuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, me regji të Besnik Bishës. Filmi ka në qendër fatin e katër personave në mosha të ndryshme që lindën dhe kaluan fëmijërinë e tyre në burgje apo vende të internimit: Simon Mirakaj, Alma Liço, Ritvana Mena dhe Lurian Mena.
"Krahë të këputur" është botimi i përjetimeve të shkrimtares Liço mbi internimin e saj dhe të familjes.
Drejtorja e IDMC, Dr. Jonila Godole dhe ekspertja e kurrikulës Fatmiroshe Xhemalaj, theksuan rëndësinë e njohjes së të shkuarës, të takimit të dëshmitarëve si dhe vizitat që të rinjtë duhet të kryejnë në vendet e kujtesës.