Zgjedhjet 2021, zgjidhje apo statukuo?

Të vendosur përballë pyetjeve të të rinjve, pedagogë dhe ekspertë të fushës së komunikimit dhe politikës shprehën këndvështrimin e tyre mbi zgjedhjet e 25 prillit dhe aktualitetin në vend.
Edhe pse kanë kaluar tashmë 30 vjet, demokracia shqiptare vijon të jetë e brishtë. Analiza e sistemit politik, të drejtave të njeriut, ekonomisë, kulturës etj. u realizua mes profesionistëve Ermal Hasimja, politolog dhe opinionist i specializuar në përfaqësimin dhe komunikimin politik; Jonila Godole, drejtore e IDMC, njëherazi pedagoge e komunikimit dhe analiste në disa emisione politike mbi zgjedhjet 2021, dhe Ervin Goci, pedagog, aktivist, i angazhuar aktivisht për ushtrimin e së drejtës së votës.
"Zgjedhjet 2021 janë një sfidë për mundësinë e ndryshimit përkundër klasifikimit të statukuosë autoritare. Janë gjithashtu një sfidë ndaj apatisë dhe fatalitetit."
"Sot që flasim ne nuk kemi asnjë institucion shtetëror, apo të pushteteve të tjera përtej ekzekutivit që të jetë legjitim, funksional dhe i pavarur. Vota në këtë rast nuk është thjesht vullnet i shprehur në favor të një alternative politike, por është e vetmja sjellje politike që mund të rikthehet si institucion vetëm duke u masivizuar dhe duke demonstruar fuqinë e masës."