Takime për Europën

IDMC organizoi sot një takim me studentë të gazetarisë, titulluar "Takime për Europën". Si pjesë e serisë së takimeve në kuadër të projektit "Dialog i brezave", ky organizim synoi të forcojnë kulturën e të reflektuarit mbi të shkuarën dhe gjetjen e mënyrave sesi të rinjtë mund të ndërgjegjësohen për njohjen e saj përmes një qasjeje sa më ndërdisiplinore. Në takim ishte e ftuar Dr. Lindita Arapi, gazetare e Deutsche Welle, e cila ndau eksperiencën e saj me studentët e gazetarisë.
Takimi u hap nga drejtoresha ekzekutive e IDMC-së, Dr. Jonila Godole, e cila vuri theksin te roli i korrespondentëve të huaj në "përkthimin" e krizave ndërkombëtare. Më pas, Dr. Lindita Arapi solli shembuj konkretë të raportimit që Deutsche Welle u bën këtyre krizave. Fillimisht ajo solli në fokus krizën e refugjatëve dhe rolin e Gjermanisë në këtë çështje, si një ndër aktorët më të rëndësishëm të Bashkimit Europian. Interesi i studentëve kaloi nga Shqipëria, i shpallur një vend i sigurt, te roli i marrëdhënieve Gjermani-Turqi në lidhje me çështjen e refugjatëve sirianë.
Një interes i veçantë u tregua nga studentët në reportazhin që solli eksperiencën gjermane të ballafaqimit me të shkuarën. Studentët mësuan sesi lindin dhe mbijetojnë diktaturat, kurse eksperienca gjermane e hapjes së dosjeve u kujtoi se Shqipëria është shumë vite larg në këtë drejtim, përfundim ky që u theksua nge vetë ata. Përveç këtij reportazhi, studentët patën mundësi të ndiqnin edhe dy reportazhe të tjera të shkurtra nga DW, ku vunë re ndryshimet me mënyrën e të raportuarit në median shqiptare. Sipas studentëve, reportazhet e DW ishin informues, më të shkurtër dhe të artikuluar me një gjuhë më të qartë, gjë që i ndihmoi ata për ta përvetësuar mesazhin në pak minuta.
Në fund të diskutimit, studentët shprehën dëshirën që Shqipëria të ecë në rrugën e duhur për sa i përket ngritjes së autoritetit për hapjen e dosjeve dhe që eksperienca gjermane të merrej si sistem reference. Jo vetëm kaq, por ky takim u pa në tërësi nga ana e studentëve edhe si një leksion mbi reflektimin.
Informacion rreth të ftuarit
- Lindita Arapi, lindur më 30 qershor 1972, është një shkrimtare dhe gazetare shqiptare. Ajo është e njohur si shembull i brezit të shkrimtareve shqiptare femra. Ka jetuar në Gjermani që prej fundit të viteve '90, ku ka publikuar disa vëllime me poezi. Libri i saj i parë, Am Meer, nachts (Detit, natën) në 2007-ën ishte libri i parë me poezi i botuar në gjermanisht nga një poete shqiptare. Novela e saj e parë, "Vajzat me çelës në qafë" (2010) u përkthye në gjermanisht në 2012-ën dhe mori çmimin Libri i Vitit në Shqipëri.