intervista

Stafetën e rishikimit të historisë le ta marrë në dorë brezi i ri

Publikuar më

Dr. Jonila GODOLE, drejtore e IDMC

Bisedoi: Anxhela DevoleShekulli


Duke marrë shkas nga 25-vjetori i nisjes së ndryshimeve demokratike në Shqipëri, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ambasadën Gjermane në Tiranë shpallën konkursin kreativ "Lindur në '90-ën – Zbulo të shkuarën, krijo të ardhmen!" për të rinjtë e lindur në fillim të viteve 1990. Qëllimi i këtij konkursi është nxitja dhe motivimi i të rinjve shqiptarë që të reflektojë me mjete kreative mbi të tashmen, duke mësuar nga e shkuara, për të krijuar një të ardhme më të sigurt dhe të begatë. Organizatorja e këtij konkursi dhe drejtoresha e IDMC-së, Jonila Godole tregon në këtë intervistë, interesimin e lartë që kanë pasur të rinjtë, dhe jo vetëm të lindurit në vitet '90, për t'u përfshirë në këtë nismë, duke reflektuar për të shkuarën.

Si ju lindi ideja për konkursin "Born in the 90s"?

Ideja më ka lindur prej kohësh në fakt, pasi kam shpresuar që do të vinte dita që brezi i ri të interesohej për të shkuarën, për të kuptuar se përse Shqipëria është në këtë gjendje që është dhe se ç'mund të mësojmë nga e shkuara. Prej vitesh në departamentin e gazetarisë ku jap mësim, kam parë interes të studentëve kur i pyet ata në lidhje me këtë temë, ose kur u kërkon të bëjnë një produksion në një zhanër të caktuar gazetaresk.

Cili është qëllimi i konkursit?

Qëllimi i konkursit është të ndërgjegjësohen të rinjtë për të shkuarën e vendit të tyre sepse pa njohur të shkuarën, nuk mund të ndërtohet asnjë e ardhme e sigurt. Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë që organizon konkursin ka në qendër të punës së tij angazhimin me të rinjtë sidomos në fushën e edukimit politik dhe reflektimit mbi diktaturën që kaluam. Këtë ne e bëjmë duke përdorur projekte kreative siç është edhe konkursi në fjalë.

Sa është mirëpritur kjo ide nga të rinjtë dhe sa e madhe ka qenë pjesëmarrja e tyre në këtë nismë?

Interesi ka qenë i madh, ka pasur shumë dëshirë për pjesëmarrje edhe nga persona që nuk përmbushnin kriteret, pra që kishin lindur përpara viteve 1990. Mua kjo gjë nuk më habiti shumë, sepse ka ardhur koha qe stafetën e rishikimit të historisë ta marrë në dorë një brez që është i paimplikuar me të shkuarën dhe më mendjehapur. Unë kam besim dhe shpresoj shumë te të rinjtë e sotëm.