PEMC reagon ndaj deklaratës së kandidates për deputete, Luljeta Bozo, rreth diktatorit

Pragë — Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane shpreh shqetësim të thellë në lidhje me deklaratën nga kandidatja për deputete e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo, në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, e cila u shpreh se komunizmi ishte një "diktaturë kushtetuese" që "e zhvilloi Shqipërinë", dhe se diktatori komunist, Enver Hoxha, kishte "më shumë anë pozitive sesa negative". Ajo që na shqetëson akoma më shumë është se Partia Socialiste nuk është distancuar nga fjalët e kandidates së saj.
Shqipëria ishte një nga vendet më të prekura nga komunizmi. Një mohim i tillë historik njollos kujtesën e mijëra viktimave dhe bie ndesh me vlerat themelore demokratike, si e vërteta dhe drejtësia. Glorifikimi i çdo regjimi totalitar nuk duhet të pranohet në jetën publike. Platforma mbështet me gjithë zemër përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët kërkojnë që znj. Bozo të kërkojë falje dhe të japë dorëheqjen.
Platforma mbështet me forcë qëndrimin e Parlamentit Europian, shprehur në rezolutën e 19 shtatorit 2019 mbi rëndësinë e kujtesës europiane për të ardhmen e Europës, në të cilën parlamenti "dënon të gjitha manifestimet dhe përhapjen e ideologjive totalitare" dhe "shpreh respekt të thellë për secilën viktimë të këtyre regjimeve totalitare dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve e aktorëve të BE-së që të bëjnë gjithçka për të siguruar që krimet e tmerrshme totalitare kundër njerëzimit dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut të kujtohen dhe të dalin para drejtësisë".