Misioni dhe objektivat

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) është një organizatë e pavarur, jofitimprurëse dhe joqeveritare e themeluar në vitin 2014 në Tiranë, që frymëzon dhe mbështet projekte me qasje ndërdisiplinore për të studiuar, kuptuar dhe promovuar zhvillimin e vlerave demokratike, rolin e medies dhe gazetarëve në fuqizimin e demokracisë, dhe rolin e kujtesës historike për një shoqëri e cila duhet të reflektojë mbi gabimet e të kaluarës për të mos i përsëritur.
Partneri dhe mbështetësi ynë kryesor është Fondacioni "Konrad Adenauer" në Shqipëri.
Fushat e ekspertizës dhe veprimit
IDMC e konsideron medien aktor kyç në procesin e demokratizimit. Prandaj i mbështetim projektet që theksojnë debatet mbi rolin demokratik dhe social që luajnë gazetarët dhe mediet në këtë epokë të teknologjive të reja. Monitorimi i medieve dhe analiza e gazetarisë shqiptare mundësohet përmes shqyrtimit të procesit të komunikimit: procedurat, normat që lidhen me transparencën dhe përgjegjësinë, të drejtën për informacion etj. nga njëra anë, dhe ofrimi i këshillimeve, shërbimeve dhe ekspertizës në fushën e zhvillimit të medieve dhe demokracisë në bashkëpunim me institucionet e specializuara, operatorët profesionalë dhe agjencitë publike, nga ana tjetër.
Edukimi mediatik
IDMC ka dhënë ndihmesën e vet në fushën e edukimit mediatik, duke trajnuar qindra studentë dhe mësues, duke ofruar atyre manuale për t'i përdorur në mësimdhënie për klasa dhe mosha të ndryshme.
Edukimi mediatik, në vizionin tonë, është instrument kyç që qytetarët të mos bien pre e propagandës dhe dezinformimit, për të kuptuar rolin e qytetarëve aktivë dhe kritikë për një Shqipëri më demokratike në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Kujtesa dhe kultura
Për IDMC, kultura luan rol po aq themelor në debatet politike për përmirësimin e demokracisë, veçanërisht në transportimin drejtpërdrejt të kujtesës së një populli. Duke marrë shembullin e Shqipërisë, ku reflektimit mbi të kaluarën totalitare nuk i është kushtuar vëmendja e duhur në 30 vitet e fundit, misioni ynë është të inkurajojmë brezin e ri përmes aktiviteteve ndërgjegjësuese, që të reflektojnë mbi pasojat e regjimit diktatorial dhe arsyet si e kaluara lidhet me të tashmen dhe të ardhmen e një vendi.
Që nga viti 2014, IDMC ka arritur të bëhet një organizatë qendrore, e cila trajton çështjet e memories dhe kujtesës historike në debatin publik, duke u fokusuar kryesisht te brezi i ri dhe te ndërgjegjësimi për pasojat e diktaturave dhe regjimeve totalitare.