Gratë në diktaturë: Përtej mitit të emancipimit
Pas vendosjes së diktaturës, partia-shtet ndërtoi me kujdes një narrativë për një jetë të re që po lulëzonte mbi rrënojat e së kaluarës, duke fshehur ekzekutimet brutale, dënimet dhe internimet e padrejta. Në shërbim të mbajtjes së pushtetit, propaganda dënonte me forcë armiqtë dhe ndërtonte idhuj e mite të reja. Një prej këtyre miteve ishte ai i emancipimit të gruas dhe barazisë gjinore – një mit që vazhdon të ekzistojë edhe sot.
Dokumentari “Gratë në diktaturë: Përtej mitit të emancipimit” synon të ndriçojë nga afër situatën reale ku jetonin dhe punonin gratë në atë kohë. Përmes dokumenteve dhe pamjeve arkivore, tregohet imazhi propagandistik i gruas në role të ndryshme: shoferë, ushtarake, saldatore, mjeke – sipas propagandës, nuk kishte asgjë që gratë nuk mund të bënin, njësoj si burrat.
Ndërkohë, zëri i dëshmitareve të kohës dhe studiuesve paraqet një tablo të ndryshme të asaj periudhe. Fatbardha Mulleti Saraçi, Vera Bekteshi dhe gra të tjera, pjesë e dokumentarit, përjetuan dhunën që regjimi ushtroi ndaj grave shqiptare në forma të ndryshme. Nga ana tjetër, aktorja Rajmonda Bulku përqendrohet te pabarazia dhe presioni që përjetonin gratë në Shqipërinë komuniste. Studiueset Luljeta Lleshanaku, Klejdi Kellici, Elsa Ballauri dhe Fatmiroshe Xhemalaj pasurojnë dokumentarin me analizën e tyre mbi këtë mit dhe realitetin e dhimbshëm që ai mbulon.
Ky dokumentar, i pari i këtij lloji në Shqipëri, tregon fytyrën e vërtetë të një “emancipimi” të urdhëruar nga lart, pa proces të vërtetë emancipues apo debat shoqëror. Nëse nuk burgoseshin apo internoheshin, gratë përballeshin me një ngarkesë të dyfishtë pune, në vendin e punës dhe në kujdesin për familjen. Madje, edhe ato pak gra që arritën pozita të larta në politikë, shpesh përfunduan të dënuara nga regjimi dhe të përjashtuara nga jeta publike.