demokracia

Forum "Dekomunistizimi, perspektiva e të rinjve"

Publikuar më

IDMC organizoi diskutimin e hapur online "Dekomunistizimi, perspektiva e të rinjve".

Diskutimi u zhvillua mes historianit Artan Hoxha, drejtueses ekzekutive të IDMC, Dr. Jonila Godole dhe studiueseve të reja të drejtësisë tranzitore, Ines Stasa dhe Romina Kali. Pjesë e këtij takimi si pjesëmarrës ishin studentë dhe profesionistë të rinj të drejtësisë, gazetarisë, shkencave politike dhe historisë.

Gjatë aktivitetit u diskutua për terminologjinë e përdorur, nevojat e rinisë për të njohur komunizmin, politikat e kujtesës dhe nëse ka pasur iniciativa të suksesshme në Shqipëri.

Drejtuesja e IDMC, Jonila Godole përmendi disa nga politikat e kujtesës që duhet të ndërmerren në Shqipëri, si:

  • ndërgjegjësimi i opinionit publik përmes masmedias për qëndresën antikomuniste dhe rivlerësimin e figurave politike, muzealizimin e vendeve të vuajtjes dhe kujtesës;
  • ndryshime në kurrikulën e lëndës të historisë duke i dhënë rëndësinë e duhur studimit të periudhës të diktaturës në shumë aspekte të saj;
  • indeksimin e plotë të numrit të viktimave etj.

Përsa i përket muzealizimit, u diskutua se në Shqipëri, masat e ndërmarra janë përqendruar vetëm në një qytet të Shqipërisë si Shkodra, në një kohë që ngritja e memorialeve në të gjithë terrorin e vendit do të shërbente për një reflektim më të thellë të gjithë shoqërisë shqiptare për atë që ka ndodhur gjatë periudhës komuniste pa dallim krahine e feje sepse e shkuara me gjithë pasojat e saj na përket dhe na ka prekur të gjithëve.

IDMC

IDMC

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë është një organizatë e pavarur, jofitimprurëse dhe joqeveritare e themeluar në vitin 2014 në Tiranë, që frymëzon dhe mbështet projekte për të fuqizuar vlerat demokratike, rolin e medies dhe reflektimin shoqëror përmes kujtesës historike.

Gjithë postimet