conferences

Konferenca përmbyllëse "Media dhe kujtesa: drejt një qasjeje gjithëpërfshirëse ndaj historisë" 

Published on

Konferenca përmbyllëse “Media dhe kujtesa: Drejt një qasjeje gjithëpërfshirëse ndaj historisë” u organizua me sukses nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Aktiviteti u zhvillua më 5 maj 2025, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë (FHF), në Tiranë, me mbështetjen e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), dhe fondeve të Bashkimit Evropian (BE).

Konferenca arriti të mbledhë përfaqësues nga institucionet kryesore të kujtesës, si ISKK dhe AIDSSH, përfaqësues të ambasadave të Austrisë, Suedisë dhe Bullgarisë, përfaqësues nga Zyra e Avokatit të Popullit, gazetarë nga mediet kryesore në vend, anëtarë të Shoqatës së Mësuesve të Historisë, studiuese nga universitete ndërkombëtare, si dhe studentë të gazetarisë.

Konferenca shërbeu si një platformë për të prezantuar rezultatet e monitorimit të mbi 700 përmbajtjeve historike në medie, të realizuar nga IDMC gjatë periudhës nëntor–dhjetor 2024. Gjatë aktivitetit u shfaqën video ndërgjegjësuese mbi shtrembërimin e narrativave historike, u shpërnda raporti i monitorimit dhe u zhvillua një diskutim me aktorët kryesorë mbi ndërtimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar ndaj historisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Prof. Dr. Mark Marku, dekan i FHF-së, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis botës akademike dhe medies për ruajtjen e integritetit historik.

“Manipulimi i së shkuarës historike mbetet ende një plagë e thellë në shoqërinë tonë. Një nga gjërat që e ka karakterizuar këtë periudhë, dhe që mendoj se e ka dëmtuar shumë shoqërinë tonë, është se krimet e komunizmit kanë tentuar të relativizohen. Në një fazë të dytë ka pasuar heshtja, dhe faza e tretë është faza e manipulimit.”
Prof. Dr. Mark Marku

Në vijim, Luigj Ndou, drejtor i Marrëdhënieve me Qeverinë në ICMP, theksoi nevojën për transparencë në trajtimin e së kaluarës, veçanërisht për temat e zhdukjeve dhe krimeve të regjimeve autoritare.

“Për shumë vite, shumë familje shqiptare kanë mbetur në errësirë për fatin e të dashurve të tyre, të cilët u zhdukën gjatë periudhës së komunizmit, dhe është e nevojshme hetimi për varrezat dhe të dhënat që lidhen me këto tragjedi. Në këtë vend kemi akoma mijëra viktima të regjimit totalitar, të cilët konsiderohen të zhdukur apo trupat e tyre nuk u janë kthyer familjeve. Gjatë muajve të ardhshëm, ne do të bëjmë ekzaminimin e gjashtë varrezave potenciale, ku besohet ose pretendohet që janë varrosur ish-viktimat e regjimit komunist, dhe do të ndihmojmë Autoritetin e Dosjeve për të krijuar një databazë kombëtare të gjithë personave që konsiderohen të zhdukur.”
Luigj Ndou

Shfaqja e videove ndërgjegjësuese, të bazuara në gjetjet e monitorimit dhe të prodhuara nga të rinjtë, mbi shtrembërimin e narrativave historike në media, të udhëhequra nga Rashela Shehu, solli në vëmendje sfidat e edukimit mediatik me të cilat përballen të rinjtë sot. Këto materiale nxorën në pah nevojën e ndërgjegjësimit kritik ndaj përmbajtjeve historike në rrjete sociale, duke përfshirë rekomandime konkrete për përmirësimin e raportimit të së kaluarës, përmes përfshirjes së perspektivave të bazuara në fakte, dhe kontekst të verifikueshëm historik.

Prof. Asoc. Dr. Jonila Godole, drejtore ekzekutive e IDMC, në fjalën e saj theksoi:

“Qëllimi i studimit ishte të analizonte se si po shkruhet historia sot dhe si do të ndërtohet ajo në të ardhmen, në një kohë kur roli i historianit nuk i takon më vetëm mësuesit. Rrjetet sociale përbëjnë tashmë një konkurrencë shumë të fortë për transmetimin dhe formësimin e kujtesës historike.”
Prof. Asoc. Dr. Jonila Godole

Gjatë prezantimit të saj me temë “Media dhe kujtesa: A mund të ketë histori pa historianë?”, ajo nënvizoi se 80% e përmbajtjeve në platformat TikTok dhe Facebook mbi periudhën e socializmit glorifikojnë epokën, pa përmendur elementet e represionit. Vetëm 3.4% e përmbajtjeve referojnë historianët si burim, ndërsa nostalgjia “restauruese” dominon diskursin në rrjetet sociale, duke ndërtuar një imazh të pjesshëm dhe të deformuar të së kaluarës.

Gjatë diskutimit në panel, ekspertët theksuan këto mesazhe kryesore:

  • Prof. Dr. Artan Fuga, akademik, u ndal te ndikimi i inteligjencës artificiale në raport me prodhimin dhe përhapjen e narrativave historike, duke qenë skeptik ndaj historiografisë tradicionale në epokën digjitale. “Pyeta ChatGPT dhe i thashë: si mundet që shkrimi i historisë të mos sjellë përçarje në shoqëri, por të jetë gjithëpërfshirës? Dhe më thotë gjëra që më habisin dhe formojnë keq rininë. Janë të gabuara për botën universitare, janë të gabuara për edukimin.” Ai më tej shtoi: “A do të krijojmë një rrëfim historik i cili është baza dhe ngjizja e një kombi, apo do të vazhdojmë me rrëfime të kundërta dhe të përçara?” Ai theksoi nevojën për një debat të thelluar mbi mënyrën sesi historia përfaqësohet dhe përpunohet sot, duke ngritur pyetje thelbësore mbi gjithëpërfshirjen në ligjërimin historik, përmes koncepteve si relativizmi, përgjegjësia, përfshirja e pakicave, mendimi kritik dhe kërkimi për të vërtetën historike.
  • Dr. Edon Qesari, studiues në Institutin e Historisë, Akademia e Shkencave, i angazhuar në shtyp për marrëdhëniet midis interpretimit të së shkuarës dhe përdorimit që ajo gjen në të tashmen, u shpreh mbi mënyrën sesi mediet ndërhyjnë në përcjelljen e dijes historike te qytetarët. I bindur se klishetë e zakonshme (të llojit “historinë e shkruajnë fitimtarët”) janë tashmë krejt të pavenda për të përshkruar ekosistemin kulturor, Qesari këmbënguli në nevojën e një “specializimi” të historiografisë në terma divulgativë. Sipas Qesarit, nuk është e rëndësishme vetëm se çfarë shkruhet në një tekst historie, por edhe sesi shkruhet—sesi një histori e caktuar rrëfehet, çka përbën dhe thelbin e një “storytelling” historik. Për këtë, Qesari sheh të nevojshme një bashkërendim më të madh midis instancave shkencore-akademike dhe atyre mediatike, të parat për sa i përket autoritetit hulumtues, të dytat si përcjellës komunikues. Në këtë mënyrë do të bëhej e mundur shmangia e njëfarësoj “kaosi” intelektual përreth historisë, me personazhe të improvizuar që shfrytëzojnë medien për t’i hapur rrugë famës dhe aspak profesionalizmit.
  • Fatmira Nikolli, gazetare pranë News 24, theksoi: “‘Prapë për komunizmin?’ – është pyetja me të cilën përballemi shpesh, më shumë se tri dekada pas rënies së tij. Por ndërsa de jure regjimi ra, de facto, për shkak të kulturës së pandëshkueshmërisë që e ndoqi përgjatë tranzicionit, si edhe polarizimit, shoqëria ende nderon ndonjëherë – edhe në të njëjtën ditë – viktimat dhe persekutorët. Sepse shoqëria e sotme është produkt i shtrirjes së propagandës dhe programit politik të Njeriut të Ri – i cili lindi dhe u formua në një kohë kur shkolla, media, politika dhe familja përcillnin diskursin e ‘njeriut të ri’ të propozuar e kërkuar nga zbatuesit e ideologjisë komuniste. Ndonëse politika zyrtarisht e dënon të shkuarën, praktikisht, partitë dhe qeveritë kanë mbivendosur, me vetëdije ose jo, simbolikat e së shkuarës mbi ngjarje të së tashmes. Vetëm në harkun kohor të muajve të fundit, mauzoleumi i diktatorit – ish-piramida – dhe shtëpia e tij, Vila 31, janë inauguruar me funksione të reja më 16 tetor, që përkon me ditëlindjen e Hoxhës, dhe më 9-13 prill, që përkon me datën e vdekjes së tij. Në këtë prizëm, edhe roli i medies është jo vetëm i rëndësishëm, por jetik, për një shoqëri që ndërmerr veprime të diktuara nga reflektime post-totalitare.
  • Robert Rakipllari, drejtor i Programacionit pranë Top Channel, theksoi se gazetari raporton mbi ngjarjet historike duke i aktualizuar dhe duke sjellë sentimentin e gjerë shoqëror në të tashmen. Rakipllari nënvizoi nevojën për një raportim të paanshëm dhe në rezonancë me emocionet kolektive të publikut. Megjithatë, mbetet e rëndësishme që kjo përpjekje për të reflektuar sentimentin shoqëror të mos komprometojë standardet profesionale të verifikimit të fakteve dhe objektivitetit.
  • Palët e interesit u dakordësuan me rekomandimet kyçe të studimit, duke theksuar rëndësinë e edukimit mediatik në shkolla dhe në platformat digjitale, me fokus në mënyrën se si kuptohet dhe rrëfehet historia, për të luftuar manipulimin dhe dezinformimin. U nënvizua gjithashtu nevoja për një përfshirje më të gjerë të historianëve në rrjetet sociale, si dhe për forcimin e dialogut mes historianëve, gazetarëve dhe krijuesve të përmbajtjes mediatike.

Ndër propozimet e mbështetura ishte edhe krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm, përfshirë themelimin e medieve të specializuara, si revista dhe kanale televizive, të dedikuara për trajtimin e historisë dhe kujtesës kolektive me seriozitet dhe profesionalizëm. U rekomandua gjithashtu modernizimi i muzeve përmes digjitalizimit dhe përdorimit të teknologjive të reja, si kamerat imersive dhe pamjet 360 gradë, për t’i bërë ato më të aksesueshme dhe tërheqëse për publikun.

Pjesëmarrësit vlerësuan trajtimin e këtyre temave të ndjeshme dhe të domosdoshme për shoqërinë shqiptare, duke theksuar nevojën për monitorime të ngjashme edhe në të ardhmen.

IDMC beson se “historia nuk është vetëm e shkuara, por edhe mënyra se si e kujtojmë atë. Përgjegjësia është e përbashkët.” Në këtë frymë, IDMC do të vijojë angazhimin e tij në të ardhmen për të ndërtuar bashkëpunime më të ngushta me aktorët kryesorë, me qëllim zhvillimin e një raportimi historik gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Njihuni me raportin e plotë të monitorimit.