Shpallen fituesit e konkursit "Memoria dhe të drejtat e njeriut"

Ceremonia finale e konkursit "Memoria dhe të drejtat e njeriut" u zhvillua më 23 maj në kuadër të datave përkujtimore, si 51-vjetori i Revoltës së Spaçit, 40-vjetori i Revoltës së Qafë-Barit dhe 45-vjetori i ekzekutimit të gazetarëve Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho.
Punimet e 25 finalistëve dhe arritjet e këtij projekti u përshëndetën nga ambasadorja e Zvicrës, znj. Ruth Huber, dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Sabri Laçi dhe shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Mark Marku.
Anëtarët e jurisë, gazetarët dhe ekspertët e medies, Jonila Godole, Fatmira Nikolli dhe Robert Rakipllari përzgjodhën gjashtë punimet fituese.
Çmimi i Parë: Jona Cenameri për kërkimin dhe punën multimediale "Një gjysmë kujtesë". Çmimi u dorëzua nga ambasadorja Huber.
Motivacioni: Për hulumtimin dhe reflektimin kritik të paraqitur në mënyrë shumë kreative mbi rolin që rrjeti social TikTok luan në rikonfigurimin dhe shtrembërimin e memories historike digjitale dhe impaktin te brezi i ri.
Çmimi i Dytë: Albona dhe Kejsi Leka për videoprofilin "Ballë për ballë". Çmimi u dorëzua nga drejtuesja e IDMC, Jonila Godole.
Motivacioni: Për skenarin tejet origjinal, i cili paraqet përmes dëshmisë autentike, dokumenteve dhe materialeve arkivore një histori të dhimbshme familjare me të gjithë hijedritën e shkeljes të të drejtave të njeriut në Shqipërinë komuniste.
Çmimi i Dytë: Enis Djepaxhija për videon animacion "Mbrojtja e paranojës: Detyrë mbi detyrat". Çmimi u dorëzua nga shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Histori-Filologjisë, Mark Marku.
Motivacioni: Për videon shpjeguese me animacion, e cila, përmes një analize të mprehtë dhe një formati argëtues unik, çmonton disa nga mitet e komunizmit duke i bërë ato më të kuptueshme për bashkëmoshatarët e tij.
Çmimi i Tretë: Juliana Zguro për sagën familjare "Ne, familja Dhame". Çmimi u dorëzua nga profesori dhe mentori i studentëve, Zylyftar Bregu, si dhe nga Fatmira Nikolli, anëtare e jurisë.
Motivacioni: Për zbulimin e një historie të padëgjuar përmes një kërkimi të kujdesshëm dhe rrëfimi origjinal, duke kontribuar në pasurimin e kujtesës kolektive historike.
Çmimi i Tretë: Klea Dahari dhe Klea Kapllani për videorrëfimin "Rrënjët flasin". Çmimi u dorëzua nga anëtari i jurisë, Robert Rakipllari dhe mentorja Rashela Shehu.
Motivacioni: Për rrëfimin e ndjerë audioviziv, ku ndërthuren përmes një narrative të fuqishme teknika të dëshmisë gojore individuale në një format sintetik dhe kreativ.
Çmimi i Tretë: Vjolanda Peca për reportazhin e shkruar "Arratisja, kjo dëshirë e burgosur". Çmimi u dorëzua nga Ethem Fezollari, Kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë dhe Oriada Dajko, koordinatore e konkursit.
Motivacioni: Për reportazhin-profil, që trajton me mjeshtëri dilemën e një
19-vjeçari për të zgjedhur mes arratisjes drejt lirisë apo diktaturës - një fenomen i dhimbshëm, që u ka kushtuar jetën mijëra shqiptarëve.
Projekti u realizua nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Histori-Filologjisë, UT, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri dhe nën kujdesin ambasadores Ruth Huber.
* Fotot janë bërë nga Julian Putz, praktikant në IDMC.
Organisers


