konkurse

Vizitë në vendet e kujtesës në Ballkanin Perëndimor me fituesit e "Pyet Gjyshërit 3"  

Publikuar më

Në datat 6–10 maj 2019, ashtu si për edicionet e shkuara, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer (KAS) mundësoi edhe për fituesit e edicionit të tretë të konkursit "Pyet Gjyshërit" një vizitë studimore. Vizita studimore këtë vit ishte në vendet e kujtesës në Ballkanin Perëndimor. Falë bashkëpunimit me partnerët e IDMC në Shqipëri dhe rajon si "Shoqata Kombëtare Shqiptare e Mësuesve të Historisë", shoqata "ALPHA Centre" në Nikshiq, "Memory Lab", "BRAVO Association" në Sarajevë, "Forumi i Shërbimit të Paqes Civile (ZFD)" në Prishtinë dhe Beograd, "Centre for Public History" në Beograd dhe "Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut" në Prishtinë, u arrit të koordinohej një udhëtim pesë ditor në Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë. Pjesë e kësaj vizite studimore u bënë fituesit e konkursit "Pyet Gjyshërit 3", përfaqësues të 5 shkollave të ndryshme nga e gjithë Shqipëria si gjimnazi "Dhaskal Todri", Elbasan; "Drita e Dijes", Berat; "Mahmud & Ali Cungu", Labinot, "Jani Kukuzeli", Durrës dhe shkolla "16 Shtatori" e Shijakut. Të rinjtë fitues u shoqëruan nga mësuesit e tyre dhe nga stafi i IDMC.

Përmbledhje

Dita e parë dhe e dytë, 6–7 maj 2019

Vizitë në vendet e kujtesës në Nikshiq dhe prezantimi i konkursit "Pyet Gjyshërit"

Fituesit e konkursit "Pyet Gjyshërit" e nisën udhëtimin duke vizituar fillimisht vendet e kujtesës në qytetin e Nikšićit, qyteti i dytë më i madh i Malit të Zi. Nxënësit u mirëpritën në Nikshiq nga drejtori i shoqatës "Alpha Centre", Aleksandar Dedović, dhe stafi i tij. Në mbrëmje, Dedović u tregoi të rinjve qytetin, historinë e vjetër, kishat, kalanë, transformimet e shumta që ishin kryer në zonën urbane dhe faktin se në tërësi përjetimet e tranzicionit në vitet e fundit nuk kishin qenë të ndryshme nga ato të përjetuara edhe në Shqipëri. Ditën tjetër, turi në Nikshiq u ndal sidomos te monumenti kushtuar të rënëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Trebjesa, monumenti i heroit kombëtar Ljubo Čupić dhe ai i mbretit Krajl Nikolla. Gjatë kësaj vizite u bashkuan edhe të rinj vendas nga qyteti i Nikshiqit, të cilët patën mundësi të shkëmbenin eksperienca me të rinjtë shqiptarë dhe të mësonin më tepër për kulturën e njëri-tjetrit. Kjo vizitë u shërbeu të dyja palëve që të njiheshin më mirë.

Përveç, vizitës në vendet e kujtesës, në Nikshiq, në bashkëpunim me Qendrën ALFA, u prezantua konkursi "Pyet Gjyshërit" dhe puna e IDMC nga Matilda Karçanaj, Koordinatore e Programit të IDMC. Fituesit e konkursit patën mundësinë nga ana tjetër të dëgjonin më tepër rreth punës së Qendrës Alfa nga drejtori i saj, Dedović, si dhe për Klubin Vullnetar të të Rinjve nga Marina Došen. Në këtë takim nga ana e IDMC dhe ALFA-s u vu theksi te rëndësia e bashkëpunimt rinor rajonal.

Dita e tretë, 8 maj 2019

Vizitë në vendet e kujtesës në Sarajevë

Pas vizitës në qytetin e Nikshiqit në Malin e Zi, udhëtimi i fituesve të edicionit të tretë të konkursit "Pyet Gjyshërit" vazhdoi me Sarajevën, kryeqytetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila ishte shumë pak e njohur për të rinjtë. Rijad Špiljak, ciceroni i licensuar, i angazhuar nga IDMC, tregoi se shenjat e para të një qyteti në Sarajevë ishin të hershme, por që zhvillimi kryesor pati nisje në shekullin e XV nën sundimin e perandorisë osmane. Për ta parë më qartë këtë zhvillim, nxënësit vizituan pjesën e vjetër të qytetit, pazarin, xhaminë e Gazi Husrev Bejt, sahatin karakteristik otoman, etj. Špiljak i njohu të rinjtë me anën më krenare të Sarajevës, diversitetin kulturor që e ka bërë këtë qytet të njihet si Jeruzalemi i Evropës. Pranë xhamisë së Gazi Husrev Bejt, Sarajeva kishte sinagogë, kishë ortodokse dhe kishë katolike, pra katër komunitete fetare që bashkëjetonin historikisht me njëra-tjetrën. Të rinjtë mbetën me mbresa nga historia e ndërtimit të këtyre objekteve të kultit, u njohën me historinë e komunitetit hebre, si dhe me angazhimin personal të Papës Gjon Pali II për të ndaluar luftën e vitit 1992–1995. Statujën e Papës së njohur nxënësit patën mundësinë ta vizitonin në Katedralen e qytetit, e cila ruante ende gjurmët e plumbave apo granatave të luftës.

Interesante për të rinjtë ishte edhe vizita në pjesën tjetër të qytetit, në anën që ruante zhvillimin e arkitekturës austriake, të diktuar nga sundimi i perandorisë austro-hungareze. Nga kjo pjesë e guidës në qytet, Špiljak u tregoi nxënësve vendin dhe historinë e atentatit ndaj Arkidukës Ferdinand, më 28 qershor 1914 nga Gavrilo Princip, fotot e të cilit ishin të paraqitura në muzeun mural. Ishte ky atentat që nxiti Luftën I Botërore, e cila solli më pas shpërbërjen e perandorisë austro-hungareze dhe krijimin e Jugosllavisë.

Për Jugosllavinë dhe luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë u kujdes ta tregonte Nicolas Moll, koordinator i Memory Lab. Kjo pjesë e guidës ishte e përqendruar kryesisht te pavijoni "Rrethimi i Sarajevës" në muzeun e historisë dhe në monumentet rreth tij. Nicolas Moll u tregoi aty të rinjve vështirësitë që qytetarët e Sarajevës hasën gjatë rrethimit disa-vjeçar në periudhën e luftës. Sendet, orenditë dhe mënyra e jetës nën rrethim që ekspozohej në muze, ishin trauma e luftës që sipas Moll mbetet ende sot njollë e patretur e kujtesës kolektive të Bosnjës. Nga diskutimi me Moll, nxënësit mësuan se nën rrethim qytetarët e Sarajevës nuk kishin pasur ndasi mes njëri-tjetrit, apo dallime fetare dhe etnike. Ata ishin përpjekur që vetë mbijetesa të ishte kundërpërgjigjja ndaj ofensivës luftarake serbe. Për të rinjtë nga Shqipëria la mbresa fakti se edhe pse në luftë, në Sarajevë ishin mbajtur edhe koncerte në mënyrë që opinioni ndërkombëtar të solidarizohej dhe të vepronte më shumë për ta ndalur konfliktin.

Dita e katërt, 9 maj 2019

Vizitë në vendet e kujtesës në Beograd

Data 9 maj, ishte dita e katërt e udhëtimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, që shënonte edhe "Ditën e Europës". Në "Ditën e Europës", IDMC kishte planifikuar në program për të rinjtë vizitën në kryeqytetin e Serbisë, Beogradin. Fillimisht në Beograd të rinjtë u njohën me qytetin nga gjuhëtari Filip Vukadinoviq, i "TRN Translations". Guida me Filipin ishte tejet e veçantë, pasi ai u foli të rinjve për qytetin në gjuhën shqipe standarde dhe askush nga të rinjtë nuk e dalloi dot vetë se ai ishte serb. Të rinjtë dëgjuan kështu për herë të parë për ekzistencën e fakultetit të Albanologjisë në Beograd, ku studiohet gjuha shqipe. Vukadinoviq tregoi se përtej momenteve historike që i ka ndarë, Serbia dhe Shqipëria, kanë plot të përbashkëta, ku traumat e së shkuarës, tranzicioni i vështirë, dhe synimi për t'u integruar në Bashkimin Evropian janë disa prej tyre. Njohja me qytetin nisi pikërisht me një histori që mbante emrin e shqiptarëve, me pallatin "Albanija", ndryshe pallatin e shqiptarëve, një shumëkatësh ky i ndërtuar buzë pedonales kryesore të Beogradit rreth vitit 1940. Vukadinoviq tha se emri lidhej me një kafene që kishte qenë aty më parë deri në atë kohë, një nga kafenetë më të frekuentuara për emra edhe si shkrimtari Branislav Nušić.

Më pas të rinjtë shëtitën në pedonalen Knez Mihailova, një nga rrugët më kryesore të Beogradit, i famshëm për dyqanet dhe ndërtesat e vjetra që ndodhen në të. Vukadinoviq tregoi se emri Mihailova vinte për nder të princit Mihailo Obranovic, i cilësuari si drejtuesi më i ndritur i Serbisë moderne. Pjesë e itinerarit të mëtejshëm ishin parku i Kalemegdanit dhe kështjella e Beogradit, këtu të rinjtë patën mundësinë të shohin edhe muzeun e ushtrisë, monumente të mëdha të Ivan Meštrovićit si statuja 14 metra e lartë e Podebnikut (Fitimtari) dhe À la France (Francës).

Pas vizitës në vendet historike të qytetit të Beogradit, të rinjtë fitues të konkursit "Pyet Gjyshërit" patën mundësi të njiheshin edhe me historinë e përndjekjes së hebrenjve dhe komunitetit rom të Serbisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Historiani Milovan Pisarri, drejtues i "Centre for Public History", tregoi për kampin e Sajmištes ku 6 400 hebrenj dhe 600 romë u mbajtën nga forcat naziste në kushte të mjera. Duke paraqitur foto dhe të dhëna të tjera, Pisarri tregoi se mijëra njerëz u vranë përmes disa kamionëve me gaz. Historiani tregoi gjithashtu se më vonë retorika komuniste e Jugosllavisë do ta paraqiste me një shifër të fryrë prej 40 mijë hebrenjsh këtë përndjekje. Ai e shpjegoi këtë si pjesë të propagandës. Sipas Pisarrit komunistët u interesuan që të tregonin se kishte shumë më shumë viktima në mënyrë që ta himnizonin më tepër luftën e tyre të bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ish-kampi, përveç disa rrënojave, aktualisht ishte ndryshuar. Në një pjesë ishte vendosur komuniteti rom dhe në një pjesë tjetër investime private. Turi në Beograd u mbyll me vizitën në Skadarlja, rruga e dytë me e vizituar në Beograd, pas Knez Mihailova, që mban emrin e qytetit të Shkodrës.

Kjo vizitë mikpritëse në Beograd i shërbeu pjesëmarrësve të mësojnë më tepër se sa narrativa e ofruar në media apo tekstet e historisë, duke thyer kështu paragjykimet e tyre për qytetin e Beogradit. Sikurse edhe nga vizita në Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Serbi të rinjtë përjetuan vetë mundësitë e sigurta të lëvizjes së lirë në rajonin e bukur të Ballkanit Perëndimor.

Dita e pestë, 10 maj 2019

Vizitë në vendet e kujtesës në Prishtinë

Të rinjtë fitues të konkursit "Pyet Gjyshërit" kishin dëgjuar shumë për Kosovën, por shumë pak prej tyre e kishte vizituar atë. Prandaj vizita studimore e IDMC ishte mundësi e mirë për ta që jo vetëm ta vizitonin, por edhe të kuptonin më mirë historinë e Kosovës, luftën, tranzicionin e vështirë që ka ajo si dhe çështjet më të rëndësishme sociale.

Udhërrëfyesit në pikat historike të Prishtinës ishin Nehari Sharri dhe Korab Krasniqi nga Forumi i Shërbimit të Paqes Civile (ZFD) në Prishtinë. Vëmendja kryesore e vizitave në pikat e kujtesës ishte te përdorimi i hapsirave publike për përcjelljen e narrativave të caktuara si dhe ndryshimi i këtyre narrativave me kalimin e kohës. Vizita nisi fillimisht me Parkun e Varrezave të Dëshmorëve. Të rinjve iu tregua për vështirësitë që Kosova kishte kaluar nën Jugosllavi, përpjekjet për të fituar të drejtat dhe më pas për luftën. Nehari Sharri dhe Korab Krasniqi e përqendruan më pas vëmendjen te lënia pas dore e vendeve të kujtesës. Ata theksuan se në tërësi për monumentet nuk kujdeset njeri. Ato lihen të pambrojtura nga vandalizmat. Për këtë ata sollën rastin e mbishkrimeve dhe thyerjet në Parkun e Varrezave të Dëshmorëve, por edhe më tutje si për shembull monumentin e partizanëve Ramiz Sadiku e Boro Vukmirović, ku bustit të këtij të fundit ia kishin hequr kokën. Pas këtyre vendeve, të rinjtë vizituan monumentin e Ibrahim Rugovës, Zahir Pajazitit, por edhe Përmendoren e të rënëve të Luftës së Dytë Botërore, një monument ky i ndërtuar në vitet 60-të nga komunistët jugosllavë. Sot ky monument referohej si trekëndëshi, dhe kishte një narrativë të tjetërsuar. Skulptura me partizanë ishte pikturuar përsipër me ngjyrat e flamujve të shteteve që ndihmuan në pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu ndalesa të tjera ishin monumenti "New Born" dhe "Heroinat".

Pas këtij turi nëpër qytet në zyrat e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë (YIHR), IDMC prezantoi aktivitetet e saj si dhe punimet fituese të konkursit "Pyet Gjyshërit". Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole, tregoi për interesimin e të rinjve për t'u njohur me të shkuarën dhe rëndësisë që ka ky proces në zhvillimin e shoqërisë. Nga YIHR folën drejtuesja Marigona Shabiu dhe aktivistja Trina Binaku. Duke mirëpritur dhe përgëzuar për punën e IDMC ato thanë se në përgjithësi fokusi i YIHR kishte qenë gjithashtu i njëjtë, për të mos harruar të shkuarën. Ato treguan për aktivitetet publike të mbajtura ndër vite në kujtesë të të zhdukurve të luftës së Kosovës, të cilët vazhdojnë të jenë mbi 1600. Pas këtij diskutimi u treguan punimet e konkursit "Pyet Gjyshërit" dhe nxënësit fitues folën për to si dhe për idenë që kishin patur për realizimin e tyre.

Me Prishtinën u mbyll kështu udhëtimi pesë ditor i vizitës studimore të organizuar nga IDMC në katër shtete të Ballkanit Perëndimor. Të rinjtë u shprehën se kjo vizitë i kishte tejkaluar pritshmëritë e tyre dhe mezi prisnin të riktheheshin ti vizitonin këto vende me familjarët dhe miqtë e tyre.

Organizator

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

Kontakt

Kontakt: @Matilda Karçanaj, Koordinatore programi IDMC

Partnerët dhe mbështetësit

Fondacioni
Fondacioni "Konrad Adeanuer"
Shoqata Kombëtare e Mësuesve të Historisë së Shqipërisë
Shoqata Kombëtare e Mësuesve të Historisë së Shqipërisë
Shoqata ALPHA Centre në Nikshiq
Shoqata ALPHA Centre në Nikshiq
Memory Lab
Memory Lab
Shoqata BRAVO në Sarajevë
Shoqata BRAVO në Sarajevë
Qendra për Histori Publike në Beograd
Qendra për Histori Publike në Beograd
Forumi i Shërbimit të Paqes Civile në Prishtinë dhe Beograd
Forumi i Shërbimit të Paqes Civile në Prishtinë dhe Beograd
Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë
Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë