kujtesa

Vizitë me mësuesit në vendet e internimit në Jug

Publikuar më

Përmbledhje

Dita e parë, 22 tetor 2021

Vizitë në fshatrat e internimit në Lushnjë

Ndalesa e parë ishte në fshatin Savër të Lushnjës ku mësuesit mund të njiheshin me historinë personale të Etleva Shehut që ka jetuar deri në moshën 20-vjeçare në internim.

Mësuesit diskutuan për nevojën e ngritjes të një muzeu dhe ndërhyrjes të institucioneve shtetërore se përveç një memoriali të ngritur me emrat e ish të përndjekurve politikë, në Savër mes ndërtimeve të reja dhe barakave të rrënuara arrin të orientohesh dhe të kuptosh që gjendesh në një ish vend internimi vetëm nëpërmjet rrëfimeve të banorëve të vjetër.

Mësuesit gjithashtu konstatuan se vizitat studimore në vendet e kujtesës dhe rrëfimet e dëshmitarëve kanë një vlerë të rëndësishme në përcjelljen e informacionit teorik, megjithatë shumë pak prej mësuesve kanë pasur mundësi t'i vizitojnë vendet e kujtesës.

Gjatë diskutimit, drejtoresha e IDMC, Jonila Godole theksoi se ndërgjegjësimi i brezit të ri nuk mund të kryhet pa impaktin e madh të mësuesve dhe se IDMC do të vazhdojë misionin e tij mbështetës nëpërmjet vizitave studimore dhe botimeve me histori jetësore dhe materiale arkivore.

Më tej, në vizitën studimore në vendet e internimit në fshatin Gradishtë të Lushnjës, pjesëmarrësit u njohën me kujtimet e hershme dhe historinë personale të Ritvana Menës, e lindur në internim, pasardhëse e familjes atdhetare nga Lura, Mena.

Duke marrë shtysë nga rrëfimi i Ritvanës, mësuesit diskutuan për mungesën e informacionit në tekstet mësimore për përditshmërinë dhe historitë personale gjatë komunizmit.

Ekspertja e kurrikulës të historisë, Fatmiroshe Xhemalaj,  theksoi se është e nevojshme për mësuesit që informacionin e teksteve mësimore për periudhën e komunizmit ta shoqërojnë edhe me historitë lokale të zonës të tyre.

Në fund të vizitës studimore, drejtoresha e IDMC, Jonila Godole i ftoi mësuesit të diskutojnë dhe të reflektojnë më tej si mund të trajtohen këto histori personale gjatë orës mësimore dhe në cilat klasat mund të përfshihen.

Dita e dytë, 23 tetor 2021

Vizitë në ish-burgun komunist të grave në Kuçovë

Në drejtimin e mësueses nga Kuçova, Anduela Dhimitri, mësuesit vizituan ish burgun komunist të grave në Kuçovë.

Anduela rrëfeu disa nga të dhënat e gjetura nga kërkimin i saj në terren duke dëshmuar që për shkaqe politike si agjitacion dhe propagandë, fillimisht u dënuan gra me shtetësi të huaj, kryesisht ruse, si pasojë e prishjes të marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik.

Burgu i grave në Kuçovë u ndërtua më 1966 dhe dëshmitë rrëfejnë për tortura çnjerëzore nga gardianet, mbipopullim në qeli dhe shpërthim të sëmundjeve për mungesë të higjienës. Një pjesë e mësuesve pjesëmarrës pranuan se nuk e dinin që ka ekzistuar një burg grash për "krime politike" në komunizëm.

Gjatë diskutimit me mësuesit u theksua se është e nevojshme ngritja e një muzeu dhe fillimi i një pune kërkimore për mbledhjen e dëshmive dhe kujtimeve, gjithashtu edhe njohja e banorëve të zonës dhe jo vetëm, me historinë e këtij vendi internimi nëpërmjet ekspozitave, vizitave dhe ora të hapura studimore, botimeve etj.

Dita e tretë, 24 tetor 2021

Trajnim me mësuesit në Berat

Gjatë vizitës studimore në Berat, u zhvillua dhe trajnimi për mësuesit "Historia lokale si pjesë e historisë kombëtare".

Tre histori lokale të periudhës të komunizmit u diskutuan nga mësuesit të ndarë në 3️ grupe pune. Gjatë trajnimit, mësuesit argumentuan se si histori të diskriminimit gjatë komunizmit mund të trajtohen në orët mësimore në paralelizëm me fenomene aktuale në shoqërinë e sotme si bullizmi, dhuna, të drejtat e njeriut. Trajnerët bashkë me mësuesit sugjeruan metoda interaktive për të përfshirë këto histori personale në orën e mësimit.

Në fund të trajnimit, trajnerët bashkë me mësuesit rekomanduan masa që duhet të ndërmerren nga institucionet përkatëse për të njohur banorët e zonës dhe jo vetëm, me këto histori personale.

Vizitë në vendet e kujtesës në Berat

Në guidën e Gladiola Caka pjesëmarrësit vizituan kalanë e Beratit gjatë ditës së dytë të vizitës studimore.

Prania e ndikimeve të ndryshme kulturore dhe historiku i kalasë të Beratit, e ka bërë atë një destinacion tërheqës për shumë vizitorë, por shumë pak prej tyre e dinë se kalaja e Beratit ka qenë pritëse edhe e të internuarve në komunizëm.

Për këtë arsye IDMC organizoi një vizitë studimore në kalanë e Beratit, ku pjesëmarrësit patën mundësi të vizitonin dy familje që kishin strehuar të përndjekurit politikë në komunizëm dhe të njiheshin me foto dhe dëshmi.

Në kalanë e Beratit, pjesëmarrësit vizituan shtëpinë e zonjës Parashqevi Sania, në të cilën janë strehuar fillimisht hebrenj, e më pas të përndjekur politikë gjatë komunizmit.

Gjatë bisedës, pjesëmarrësit u njohën me faktin se Bashkia e Beratit i ka dorëzuar zonjës Parashqevi një certifikatë mirënjohje për strehimin e hebrenjve, por nga ana e këtij institucioni nuk ka pasur asnjë vlerësim për strehimin e të përndjekurve në komunizëm.

Specialistja e guidës didaktike, Gladiola Çaka, shtoi se shumë pak intelektualë në Berat janë në dijeni të këtij fakti.

Me të drejtë, mësuesit pjesëmarrës argumentuan se për këto familje dhe për historinë e qytetit e Beratit, do të ishte e nevojshme edhe vënia e një pllake, një tabelë treguese që dëshmon se shtëpia ka shërbyer si strehë për të përndjekurit politikë ose dhënia e një certifikate nga Bashkia që në të ardhmen mund të shërbejë si dokument historik për studiues të ndryshëm.

Në fund të vizitës studimore në kalanë e Beratit, pjesëmarrësit u njohën me historinë e Ali Ismailit, e ëma e të cilit kishte qenë e internuar dhe më pas ishte strehuar te familja Dollani në kala.

Kjo ishte hera e parë që zoti Ismaili rrëfente historinë e tij në publik duke sqaruar që më parë nuk ka pasur interes për këtë temë as nga institucionet shtetërore, por as nga media.

Duke u bazuar në këtë dëshmi, një nga çështjet që u ngrit për diskutim ishte nevoja e menjëhershme për të dokumentuar këto histori jetësore sepse mungesa e interesit dhe heshtja institucionale sot do shkaktojë një interpretim të cunguar të historisë në të ardhmen.