kujtesa

"Topografia e terrorit" në Rrëshen

Publikuar më

Një shoqëri demokratike nuk mund të ecë përpara nëse nuk njeh dhe përballet me të shkuarën e saj. Në veçanti, të rinjtë e një vendi si Shqipëria, që u përball me një lloj shumë të veçantë regjimi komunist, nuk kanë njohuri të thella në të ashtuquajturat fenomene të komunizmit në vendin e tyre. Prandaj, duke marrë parasysh që Shqipëria është në valën e debatit për hapjen e dosjeve të komunizmit, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë organizoi një vizitë studimore në burgun e Spaçit në Rrëshen, një burg politik gjatë periudhës komuniste në Shqipëri. Burgu i Spaçit është vendi ku shumë viktima ishin subjekte të vuajtjeve, poshtërimit, torturës dhe dhunës.

Qëllimi i kësaj vizite studimore ishtë t'u jepte studentëve bazat për të kuptuar më mirë regjimin komunist në Shqipëri dhe t'i asistonte ata veçanërisht në të mësuarit për burgun e Spaçit, kampet e punës dhe burgjet politike gjatë komunizmit, më shumë se çfarë është ofruar në media dhe në librat e historisë. Në veçanti, për të kuptuar më mirë se çfarë ka ndodhur në burgun e Spaçit, studentët u udhëhoqën nga një guidë profesioniste: historiania, Dr. Enriketa Papa, dhe nga ish i burgosuri politik, z. Agim Hakcani. Ai i njohu të pranishmit me përvojën e tij personale, duke qenë se ka kaluar 14 vjet të jetës së tij në këtë burg.

Studentët, të përfshinë në rrëfimin e historisë nga ish i burgosuri politik, shfaqën një interes të madh në njohjen jo vetëm të vështirësive, vuajtjeve trupore dhe shpirtërore, por edhe të detajeve të tjera nga përditshmëria në burg, ushqimi, higjiena etj. Pasi vizituan të gjitha ambientet e mbetura nga ish burgu i Spaçit, aktiviteti u mbyll me një bashkëbisedim joformal, ku studentët reflektuan rreth rëndësisë së përkujtimeve të tilla historike në procesin e tyre të edukimit. Në veçanti, studentët kërkuan një histori objektive, jo të shtrembëruar, të vendit të tyre. Në këtë mënyrë, nisma e ndërmarrë nga IDMC për të afruar të rinjtë me të shkuarën përmes vizitave në vendet e kujtesës do të thellohet dhe vazhdojë më tej me grupe të tjera të rinjsh.

Vendet e kujtesës, si ato të internimit, burgjet politike dhe kampet e punës duhet të vijnë më shpesh në vëmendjen e të rinjve të paktën për dy arsye thelbësore. Së pari, si një përkujtim i viktimave të komunizmit, dhe së dyti, si njohje e përballje me të shkuarën dhe me të ashtuquajturat fenomene të komunizmit shqiptar. Sepse njohja e të rinjve shqiptarë me historinë e shkuar të vendit të tyre i ndihmon ata të reflektojnë jo vetëm mbi natyrën e regjimit totalitar shqiptar të asaj kohe dhe pasojat e tij, por gjithashtu i ndërgjegjëson ata mbi rrezikun e tendencave totalitare, edhe në ditët e sotme. Një shoqëri demokratike, duke i njohur më mirë këto tendenca, është e aftë edhe për të parandaluar rikthimin e tyre.