"Topografia e terrorit" në Veri dhe Kosovë

Dita e parë, 5 korrik 2021
Vizita studimore në Shishtavec dhe Kukës
Ky edicion i projektit të përvitshëm të IDMC "Topografia e Terrorit", i organizuar me studentë të shkencave politike, gazetari, komunikim dhe shkenca sociale filloi rrugëtimin me vizitën në zonën kufitare të Shishtavecit, Kukës.
Gjatë vizitës në Shishtavec, studentë dhe të rinj pjesëmarrës, patën mundësi të bashkëbisedonin me zotin Musa Kingjin, banor i zonës, prej të cilit mësuan se banorët e zonave kufitare kanë pasur gjithmonë tentativa për të lëvizur përtej kufirit, prandaj kanë qenë edhe në survejimin e policisë kufitare.
Një ndër faktet që i bëri më shumë përshtypje të rinjve ishte bashkëpunimi në kthimin e personave që kalonin kufirin mes policisë kufitare të regjimit diktatorial në Shqipëri dhe policisë kufitare të Jugosllavisë, dy vende që i kishin ndërprerë marrëdhëniet.
Pas vizitës në Shishtavec, të rinjtë konstatuan se për të mësuar historinë, kanë nevojë të dëgjojnë edhe rrëfimet e dëshmitarëve që e kanë jetuar atë.
Më tej, vizita u përqendrua në ish-uzinën e bakrit në Kukës të ndërtuar dhe punuar gjatë regjimit komunist. Shumë pak njerëz janë në dijeni të katastrofave ekologjike dhe ekonomike që kanë shkaktuar fabrikat dhe uzinat të ndërtuara në periudhën e komunizmit, në Shqipëri.
Gjatë vizitës në Ish-Uzinën e Bakrit në Kukës, politologu Adri Nurellari dhe banorë të zonës u rrëfyen të rinjve pasojat e rrezikshme që sjellin në ekosistem këto fabrika, duke informuar edhe që në Shqipëri ndodhen 80 zona ish-industriale që rrezikojnë jetën e gjithsecilit prej nesh.
Gjatë vizitës studimore në Shishtavec dhe Kukës, pjesëmarrësit u shoqëruan edhe nga zonja Lavdie Nela, bashkëshortja e poetit Havzi Nela, i cili u dënua me varje në litar, nga regjimi diktatorial në vitin 1988.
Ajo ndau me pjesëmarrësit detaje të hollësishme të arratisjes së tyre në Jugosllavi, kapjes nga policia kufitare, dënimit dhe survejimit të tyre të vazhdueshëm.
Pjesëmarrësit vizituan bustin e Havzi Nelës në Kukës dhe pikën kufitare në Shishtavec, ku çifti Nela tentoi të arratisej dhe patën mundësi të shikonin foto, vargje dhe letra që poeti Havzi Nela i ka dërguar të shoqes gjatë kohës që vuante dënimin.
Dita e dytë, 6 korrik 2021
Vizita studimore në vendet e kujtesës në Kosovë dhe Tropojë
Fokus i vizitës studimore të IDMC-së është jo vetëm njohja dhe ndërgjegjësimi i të rinjve për persekutimin gjatë komunizmit në zonat e thella veriore dhe kufitare, por edhe njohja me vendet e kujtesës për shqiptarët në Kosovë.
Në ditën e dytë të vizitës studimore, pjesëmarrësit vizituan edhe Memorialin e Mejës, i ngritur për të përkujtuar viktimat e masakrës të Mejës, që konsiderohet si masakra më e madhe gjatë luftës në Kosovë, ku më 27 prill 1999 u vranë mbi 370 persona.
Më tej, gjatë ditës së dytë të udhëtimit studimor, politologu Adri Nurellari mbajti një ligjëratë për krijimin e qyteteve të reja në vitet '60 nga regjimi komunist.
Të rinjtë mësuan se si njerëzit detyroheshin të largoheshin nga qytetet dhe të afërmit e tyre për të jetuar në zonat e reja industriale. Për shkak të paranojës të regjimit komunist, qytetet e reja krijoheshin pranë pikave kufitare për t'u mobilizuar në rast të ndonjë sulmi të mundshëm.
Në një diskutim aktiv, pjesëmarrësit shkëmbyen opinionet e tyre për ngjashmëritë, problemet e sotme dhe për të ardhmen e qyteteve të vogla të krijuara në komunizëm si Bajram Curri, Memaliaj, Kuçova, Ura Vajgurore etj.
Vizita në zonën kufitare në fshatin Ceren të Tropojës dhe biseda me ish- policin kufitar të zonës z. Bashkim Gocaj solli më shumë të dhëna mbi jetesën e njerëzve ne zona të thella kufitare, arratisjet e mundshme, marrëdhëniet me shtetin fqinj etj.
Dita e tretë, 7 korrik 2021
Vizitë studimore dhe trajnim në Valbonë
Pas ligjëratave dhe vizitave në vendet e kujtesës në Shqipëri dhe Kosovë, ndalesa për ditën e tretë të udhëtimit studimor të IDMC-së ishte Parku Kombëtar i Luginës të Valbonës. Të rinjtë mundën të bashkëbisedonin edhe me banorë të zonës mbi zhvillimin ekonomik të Valbonës, ndryshimi që i ka ndodhur pas rënies së regjimit komunist dhe historitë e persekutimit në zonë.
Më tej, në mbyllje të vizitës, politologu Adri Nurellari realizoi një një workshop dedikuar ekonomisë të tregut dhe keqinterpretimit të saj gjatë komunizmit në Shqipëri.
Propaganda negative e regjimit komunist kundrejt ekonomisë të tregut ka krijuar stereotipa dhe paragjykime që janë të pranishme edhe në ditët tona.
Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit konstatuan se konceptet e ekonomisë të tregut edhe sot nuk janë të qarta për shumë shqiptarë.