aplikime

Thirrje për aplikim në shkollën dimërore "Nostalgjia për komunizmin"  

Publikuar më

Data: 11–12 shkurt 2017
Vendi: Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës, Shkodër

Nostalgjia është një proces shumë kompleks, që përfshin një spektër të gjerë emocionesh, qëllimesh dhe praktikash. Ajo është produkt njëkohësisht i të kaluarës dhe i së tashmes, me pasoja edhe për të ardhmen. Në shumë vende post-komuniste nostalgjia për komunizmin është hulumtuar gjerësisht. Duke identifikuar dhe analizuar tipologji, aktorë dhe nuanca të ndryshme të këtij fenomeni këto studime kanë demonstruar, që marrja seriozisht dhe hulumtimi shkencor i tij (në vend të anashkalimit) mund të japë një kontribut të rëndësishëm për të kuptuar shoqëritë post-socialiste, përvojat dhe kulturat politike të tyre.

Ky workshop dy-ditor ka për qëllim t'i qaset fenomenit të nostalgjisë për komunizmin në Shqipëri në formën e sipërpërmendur. Pyetjet kryesore janë: Kush, për çfarë dhe si shfaq nostalgji? A ka dallime qytet-fshat, mes krahinave, gjeneratave, gjinive etj.? Si paraqitet periudha socialiste dhe si ajo post-socialiste në këto narrativa? A paraqet rasti shqiptar ndonjë specifike në krahasim me vendet e tjera post-socialiste?

Ftohen të aplikojnë studentë, që janë të interesuar të reflektojnë dhe diskutojnë aktivisht mbi nostalgjinë për komunizmin, si dhe eventualisht dëshirojnë ta hulumtojnë këtë fenomen në kuadrin e një punimi shkencor në të ardhmen. Në pjesën kryesore të workshop-it do të diskutohen raste konkrete. Gjithashtu pjesëmarrësit do të hartojnë në grupe dhe me asistencën e drejtuesve të workshop-it projekt-skica studimore, që ata mund t'i ndjekin në të ardhmen. Së fundi, në kuadër të workshop-it do të zhvillohen vizita në vende kujtese.

Dr. Mag. Idrit Idrizi, MA është studiues pranë Akademisë së Shkencave të Austrisë (programi: Post-Doc-Track). Ka studiuar histori dhe të drejtat e njeriut (shkëlqyeshëm) dhe ka doktoruar në histori (shkëlqyeshëm) në Universitetin e Vjenës. Fusha e hulumtimit: Komunizmi dhe kujtesa mbi komunizmin në Shqipëri dhe Evropën Juglindore.

Kriteret për përzgjedhjen e pjesëmarrësve

  • Studentë në nivelin master ose në vitin e fundit të Bachelor për shkencat humane dhe shoqërore si edhe doktorantë
  • Njohuri solide të gjuhës angleze (përpara workshop-it do të shpërndahet një tekst rreth 20 faqe në anglisht mbi nostalgjinë për komunizmin në vende të ndryshme të Evropës Lindore)
  • Gatishmëri për pjesëmarrje aktive në diskutim
  • Gatishmëri për parapërgatitjen e një interviste dhe një prezantimi të shkurtër mbi një rast konkret nostalgjie

Intervista

Intervistimi i një personi (jofamiljar) duke i drejtuar dy pyetjet, që vijojnë: Si e vlerëson ai/ajo komunizmin në Shqipëri? Cili është opinion i tij/saj për nostalgjinë për komunizmin sot? Transkripti i intervistës së bashku me protokollin shtesë të saj (të dhëna bazë mbi të intervistuarin si mosha, gjinia, vendlindja dhe vendbanimi; të dhëna mbi rrethanat e intervistës si vendi apo aspekte, që intervistuesit mund t'i kenë rënë në sy gjatë intervistës, si p.sh. emocione, mimika e të intervistuarit etj.) do të diskutohen në workshop.

Prezantimi i një rasti konkret nostalgjie

Pjesëmarrësit prezantojnë shumë shkurt (3–5 minuta) një rast konkret nostalgjie. Ky mund të jetë një aktivitet publik, një artikull në media, një faqe online, një shprehje apo ndodhi, që ata mund ta kenë përjetuar personalisht etj.

Të interesuarit duhet të dërgojnë në office@idmc.al

  • një CV
  • një letër të shkurtër motivimi

Afati i aplikimeve është deri më 5–6 shkurt 2017.

Do të njoftohen përmes e-mailit vetëm të përzgjedhurit.

Trajnimi ofrohet në gjuhën shqipe dhe pa pagesë.

Pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë.