aplikime

Thirrje për abstrakte për konferencën "Mitet komuniste në Shqipëri"

Publikuar më

Mitet politike janë themel i jetës politike. Ato nuk e përshkruajnë realitetin, por e përfytyrojnë atë sipas interesave politike. Lindja e këtyre miteve lidhet me mospërputhjen midis realitetit dhe aspiratave. Në mënyrë të veçantë, duke prekur emocionet, mitet synojnë të thjeshtëzojnë shpjegimin e dështimeve, të frymëzojnë besnikëri dhe të mobilizojnë popullsinë për t'u hedhur në veprim (Tismaneanu 1998). Regjimet totalitare të shekullit të njëzetë mbështeteshin gjerësisht mbi mitet politike për të përligjur pushtetin dhe politikat e tyre, duke përfshirë krimet dhe persekutimin. Mitet për Luftën e Dytë Botërore, për udhëheqësin gjenial, për partinë si mishërim i urtësisë historike, për arritje të lavdishme, për armiq të brendshëm e të jashtëm, si dhe për njeriun e ri komunist, ndër të tjera, ishin mbizotëruese në mbarë vendet komuniste. Nga fundi e kësaj periudhe, mitet e propaganduara nga shteti priteshin nga pjesa më e madhe e popullsisë me indiferentizëm, skepticizëm ose indinjatë. Rënia e regjimeve komuniste i tronditi mitet e tyre dhe u pasua nga përpjekje për t'i demaskuar ato. Megjithatë, tranzicioni i vështirë çeli shtegun për ringritjen dhe përshtatjen e miteve komuniste, si dhe krijimin e miteve të reja gjatë procesit të kujtimit dhe vlerësimit të jetës së shkuar në komunizëm.

Në Shqipëri, mitologjia komuniste ka gjetur dhe vazhdon të gjejë kushte veçanërisht të favorshme: një radikalitet të theksuar të regjimit komunist sa iu përket ambicieve për të transformuar kushtet socio-ekonomike dhe për të indoktrinuar ideologjikisht shoqërinë, një mospërputhje të thellë midis aspiratave dhe realitetit, një tranzicion dramatik postkomunist, duke përfshirë kriza të rënda politike dhe ekonomike dhe pasiguri të theksuar, një dështim thuajse total të drejtësisë tranzicionale, politika kufizuese dhe problematike për aksesin në arkiva dhe një numër jashtëzakonisht të ulët studimesh profesionale tri dekada pas rënies së regjimit. Shumica e miteve më të përhapura, të fuqishme dhe problematike lidhen me udhëheqësin e vendit, partinë komuniste, Luftën e Dytë Botërore, klasën punëtore, njeriun e ri komunist, heronjtë socialistë, emancipimin e grave, arritjet ekonomike, autarkinë, forcën ushtarake, rrethimin dhe komplotet armiqësore, mungesën e ndjesive fetare tek shqiptarët, reputacionin e vendit si fanar ndriçues i komunizmit në botë, barazinë dhe vlera sociale të perceptuara si te lidhura me komunizmin si sinqeriteti dhe solidariteti, cilësinë e lartë të arsimit si dhe shkallën e ulët të kriminalitetit dhe korrupsionit.

Në këtë kuadër, konferenca "Mitet komuniste në Shqipëri, përpara dhe pas ndryshimit të sistemit" synon të hedhë dritë mbi një temë kritike, të gjerë dhe pak të studiuar. Ne jemi të interesuar në të gjitha elementet e miteve komuniste, sesi ato ndërveprojnë me kujtesën dhe diskurset postkomuniste. Përtej demaskimit të narrativave, ne synojmë të analizojmë proceset e krijimit, shpërndarjes, perceptimit, përshtatjes dhe transformimit të miteve si dhe të reflektojmë mbi mitet si pikëhyrje të rëndësishme në aspekte të ndryshme socio-politike të periudhës komuniste dhe postkomuniste (krahaso Claudia-Florentina Dobre 2017).

Organizuesit e kësaj konference mirëpresin kumtesa shkencore mbi tematikat e lartpërmendura dhe më gjerë. Ju lutem dërgoni abstraktet tuaja (deri në 300 fjalë), një CV të shkurtër akademike si dhe çdo pyetje tjetër që mund të keni në adresën conference@idmc.al deri në datën 30 tetor 2021. Kumtesat e përzgjedhura synohen të botohen në një numër të veçantë të një reviste shkencore me sistem peer review.

Kjo konferencë organizohet nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Institutin për Historinë e Evropës Lindore pranë Universitetit të Vjenës dhe Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri. Ajo është pjesë e aktivitetit të përvitshëm "DITËT E KUJTESËS", që IDMC organizon prej vitit 2016, në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer në Tiranë.

Gjuhët: anglisht dhe shqip.

Folësit kryesorë (të konfirmuar): Stephanie Schwandner-Sievers dhe Lavinia Stan.

Komiteti shkencor: Jonila Godole (IDMC & Universiteti i Tiranës), Idrit Idrizi (Universiteti i Vjenës), Stephanie Schwandner-Sievers (Universiteti Bournemouth), Oliver Jens Schmitt (Universiteti i Vjenës), Lavinia Stan (Universiteti St. Francis Xavier), Valentina Duka (Universiteti i Tiranës), Egin Ceka (Vjenë), Klejd Këlliçi (Universiteti i Tiranës).