Të rinjtë & politika: Majtas apo Djathtas

 

Në vendet me kulturë të re demokratike ku peizazhi politik është i karakterizuar nga identitete të paqarta politike e ideologjike, roli i të rinjve në politikëbërje është i një rëndësie të veçantë. Mungesa e zakonshme e interesit politik, shoqëruar me nivelin e ulët të besimit tek aktorët politikë, institucionet demokratike, si dhe mungesa e njohurive mbi proceset politike, janë faktorë që kanë çuar në një nivel të ulët të angazhimit politik të të rinjve. Avantazhi i tyre është mungesa e indoktrinimit apo e ndikimit nga e shkuara, por disavantazhi është boshllëku në dije dhe formim politik e ideologjik.

Projekti Të rinjtë dhe politika: Majtas apo Djathtas ka për qëllim të ndihmojë në përmirësimin e proceseve politike në vend përmes edukimit politik të të rinjve me konceptet moderne demokratike dhe politike. Projekti do të synojë gjithashtu të mbështesë forcimin e demokracisë dhe mirëqeverisjes në vend përmes aftësimit të brezit të ri në në fushën e politikë-bërjes. Ky projekt do të kontribuojë në edukimin politik të të rinjve përmes rritjes së vetëdijes dhe njohurive ideologjike të tyre, si në rrafshin filozofik, ashtu edhe atë praktik të politikëbërjes. Ai do tu mundësoj atyre një kornizë për të gjykuar dhe vlerësuar politikat publike si dhe do të ndihmojë organizatat rinore politike për të fuqizuar identitetin e tyre ideologjik e politik dhe në rritjen e kapaciteteve të tyre politikëbërëse.

Projekti është ideuar në formën e një serie seminaresh në tre qytet të vendit, përkatësisht në Tiranë, Shkodër e Durrës. Çdo seminar do të jetë i organizar në dy pjesë kryesore:

  • Pjesa e parë do të ofrojë trajnim mbi konceptet dhe parimet përkatëse teorike të së majtës dhe së djathtës. Leksionet do të mbahen nga ekspertë të fushës, mbështetur në katër shtyllat kryesore që përbëjnë edhe shqetësimet e të rinjve: a) Ekonomia (punësimi), b) Qeverisja, c) Arsimi, d) Politikat sociale (mjedisore).
  • Pjesa e dytë do të përfshijë punën studimore në grupe për zbatimin dhe shqyrtimin praktik të koncepteve teorike. Puna ushtrimore do të bazohet në modelin e shoqërisë së ishullit të Robinson Kruzosë: Të rinjve do t'u kërkohet të ndërtojnë një shoqëri të bazuar përkatësisht mbi parimet e majta dhe të djathta. Në këtë ushtrim, ata do të ndihmohen dhe mbikëqyren nga trajnuesit. Parashtrim i rezultateve dhe gjetjeve pas punës në grupe do të bëhet në një seancë të veçantë që do të pasohet nga diskutime, pyetje-përgjigje mes panelit dhe të rinjve pjesëmarrës.

Tiranë, 12 mars '15

Durrës, 4 mars '15

Shkodër, 28 shkurt '15

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2017 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube