aplikime

"Tchange" – Tirana, kryeqyteti europian i rinisë

Publikuar më

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, në kuadër të programit "Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë", hap thirrjet për aplikime për të rinj nga mosha 15–25 vjeç, të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e projektit "Tchange".

Nëse dëshironi të bëheni zëri i të rinjve të Tiranës, keni ambicie të trajnoheni dhe të mësoni në një mjedis ndërkombëtar, keni ide dhe po kërkoni një vend ku t'ju dëgjojnë, ky projekt është për ju!

Tani është e mundur që TË SJELLËSH NDRYSHIMIN përmes projektit TCHANGE!

Aplikoni
Aplikoni

Afati përfundimtar është 26 qershor 2022!

* Granti financohet nga Kongresi Rinor Kombëtar në kuadër të programit Tirana European Youth Capital 2022, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.

Përmbledhje

Përshkrimi i projektit

Bashkimi Europian (BE) është mbi të gjitha një bashkësi vlerash, si respektimi i dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut, liria, demokracia, barazia dhe shteti i së drejtës. Këto vlera i bashkojnë të gjitha shtetet anëtare dhe janë kusht jo vetëm për zgjerimin e BE-së, por edhe për ruajtjen dhe garantimin e paqes në kontinent. Shqipëria aspiron prej vitesh anëtarësimin në BE, prandaj është imediate që qytetarët dhe veçanërisht të rinjtë të punojnë së bashku për një shoqëri që ka në thelbin e vet vlerat Europiane; për një shoqëri ku mbizotëron pluralizmi, toleranca, solidariteti apo barazia gjinore, dhe për t'u ndjerë qytetarë të Europës (P8).

Nga ana tjetër, vendi ynë aktualisht përballet me fenomenin e ‘rrjedhjes së trurit', papunësinë, cenimin e demokracisë, mungesën e medieve të pavarura dhe objektive e deri në raste të shkeljes së të drejtave të njeriut, probleme këto që mund të zgjidhen vetëm përmes pjesëmarrjes aktive të të rinjve, si pjesë e shoqërisë civile, si aktivistë apo pjesëtarë në grupe presioni për pushtetin lokal dhe qendror (P4).

Strategjia e BE-së për Rininë përqendrohet në tri fusha thelbësore veprimi: ANGAZHO, BASHKO, FUQIZO.

Përmes projektit "Tchange", IDMC synon të nxisë pjesëmarrjen e të rinjve në proceset demokratike;gjithashtu mbështet angazhimin shoqëror dhe qytetar duke fuqizuar të rinjtë dhe duke u krijuar atyre hapësirën e nevojshme për të qenë aktivë në kauzat e tyre.

Objektivat specifike të projektit janë:

  1. Lidhja e Rinisë me BE-në – Përtej klishesë, rinia është e ardhmja e një vendi. Prandaj, edukimi i saj me vlera demokratike që janë thelbi i identitetit europian, do e ndihmonte dhe përshpejtonte integrimin e vendit në BE;
  2. Shoqëritë gjithëpërfshirëse, hapësirë dhe pjesëmarrje për të gjithë – Nxitja e të rinjve dhe krijimi i hapësirave të nevojshme për t'u përfshirë në proceset e planifikimit, vendimmarrjes, aktivizimit në politikëbërje;
  3. Informacion dhe dialog konstruktiv – Informimi dhe edukimi i të rinjve mbi demokracinë, lirinë dhe nxitjen e dialogut midis hallkave të ndryshme të shoqërisë, si dhe midis të rinjve nga vende të ndryshme të Europës;
  4. Kujtesa si mision – Promovimi i rëndësisë së kujtesës kolektive dhe ballafaqimit me të shkuarën, prezantimi i fakteve historike dhe nxitja e mendimit kritik rreth mënyrës se si mund të përdoren sot, mësimet që na vijnë nga e shkuara, vizitat në vendet e vuajtjes dhe të kujtesës;
  5. Promovim i vullnetarizmit – Vullnetarizmi ndihmon brezin e ri të fitojë aftësi të reja si lidershipi, aftësitë e komunikimit, besueshmëria, menaxhimi i kohës dhe vendimmarrja.

Projekti "Tchange" pritet të realizohet përmes angazhimit, mbështetjes dhe motivimit të brezit të ri, pjesëmarrjes qytetare, shkëmbimit kulturor dhe promovimit të diversitetit, reflektimit mbi të shkuarën etj.

IDMC është një organizatë e pavarur, e cila ka në mision të saj studimin, kuptimin dhe promovimin e vlerave demokratike. Këtë mision IDMC merr përsipër ta kryejë përmes përfshirjes qytetare, veçanërisht të brezit të ri. IDMC synon të promovojë vlerat demokratike duke shërbyer si think tank, duke inkurajuar sondimin e opinionit publik për çështje të ndryshme të politikëbërjes në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Përmes mbështetjes dhe motivimit të brezit të ri drejt formave të reja të pjesëmarrjes politike, duke përdorur teknologjinë, mediet e reja (fluid democracy) në shërbim të riforcimit të demokracisë në shek. XXI. IDMC mbështet artin dhe kulturën, si dhe shkëmbimet kulturore në të gjitha fushat përmes promovimit të diversitetit kulturor dhe tolerancës, duke mundësuar një pikëtakim të kulturave të ndryshme në shkallë lokale dhe ndërkombëtare (cross-border). Për më shumë informacion mbi punën tonë, ju ftojmë të lexoni: www.idmc.al

Grupi i interesit dhe zhvillimi i projektit

IDMC targeton brezin e ri, të rinjtë, të cilët përmes këtij projekti mund të informohen, mësojnë të zhvillojnë kapacitetet kreative dhe të menduarit kritik, ndërkohë që japin një kontribut konkret në shoqëri. Duke u ndjerë të angazhuar, të dëgjuar dhe të vlerësuar, mendojmë që rinia shqiptare do gjejë një dritare të re në Tiranë dhe do shikojë më pak alternativën e emigrimit dhe braktisjes nga vendi. Vullnetarizmi gjithashtu do të shërbejë për ndërtimin e kapaciteteve të reja për të rinjtë, që u shërbejnë për tregun e punës.

Rezultati final i projektit pritet të jetë një Rezolutë e hartuar nga të rinjtë shqiptarë, pas përvojës që do të marrin duke njohur modele të ndryshme nga shkëmbimi kulturor me moshatarët e tyre në kuadër të këtij projekti. Rezoluta me rekomandimet që të rinjtë do hartojnë për zgjidhjen e problemeve të ndryshme të qytetit dhe komunitetit ku jetojnë, do bëhet publike dhe do të dorëzohet ndër të tjera në Këshillin Bashkiak të Tiranës, i cili të mund ta marrë parasysh atë në hartimin e planit të vitit të ardhshëm.

Përmes këtij projekti pritet të përfitojnë në mënyrë indirekte qytetarët e kryeqytetit, nëse Bashkia Tiranë vendos të hartojë dhe zbatojë politika të reja, më gjithëpërfshirëse, të dala nga eksperienca e "Tchange".

Vetë qyteti bëhet si pikë takimi për 45 të rinj nga e gjithë bota, duke promovuar jetën në Tiranë, spotet turistike dhe kulturore që ndikon në mënyrë indirekte në përmirësimin e imazhit të qytetit dhe vendit, por edhe të zhvillimin e turizmit në të ardhmen.

Nga ana tjetër, të rinjtë e huaj që do të vijnë në Tiranë në konferencën e hartimit të rezolutës, fitojnë një eksperiencë të re, sfidojnë veten dhe mund të marrin shembull praktika shqiptare të punës me të rinjtë, të cilat mund t'i implementojnë më vonë në shtetet e tyre.

I / 4–6 korrik 2022: Workshop për edukimin e të rinjve mbi vlerat europiane

IDMC realizoi më datat 4–5–6 korrik 2022 trajnime 3-ditore për pjesëmarrësit nga Shqipëria të përzgjedhur për Konferencën Rinore Europiane, të planifikuar në tetor.

Programi
Programi

Trajnimet u zhvilluan në ambientet e Kongresit Rinor Kombëtar, me trajnerë Jonila Godole, Elvin Gjevori dhe Ina Xhepa.

Drejtorja ekzekutive e IDMC Dr. Jonila Godole i trajnoi të rinjtë mbi kujtesën kolektive në Shqipëri. Së bashku kryem një analizë krahasuese mes vendeve të tjera që kanë kaluar regjime totalitare dhe vendit tonë.

Ky trajnim u shërbeu të rinjve për të qenë të aftë të studiojnë të shkuarën dhe të nxjerrin mësime prej saj.

Dita e dytë e trajnimit me 30 të rinjtë shqiptarë pjesëmarrës në projektin “Tchange” që IDMC po organizon në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë u fokusua në analizën e së tashmes.

Nën udhëheqjen e ekspertit të shkencave politike Elvin Gjevori të rinjtë analizuan aspekte të ndryshme të jetës në vend dhe kryen ushtrime mbi kujtesën kolektive dhe rolin e saj në vendimmarrje sot.

Trajnimi 3-ditor u mbyll më 6 korrik me diskutime për të ardhmen europiane të vendit.

Trajnerja Ina Xhepa i orientoi në analiza të sistemit të drejtësisë, politikat, vlerat europiane, si dhe zgjedhjet e ardhshme lokale në 2023.

Pas 3 ditë trajnimi, të rinjtë nga Shqipëria janë gati për tu bashkuar me rininë europiane, në Konferencën Rinore Europiane në tetor 2022.

II / 4–6 tetor 2022: Konferenca Rinore Europiane

Në datat 4–5–6 tetor 2022 u realizua Konferenca Rinore Europiane, me pjesëmarrjen e 38 të rinjve nga Shqipëria dhe 12 ndërkombëtarë me origjinë nga Italia, Spanja, Armenia, Malta, Holanda, Portugalia, Austria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Për 3 ditë të rinjtë u bënë pjesë e trajnimeve, aktiviteteve interaktive, lojërave, vizitave kulturore, bashkëbisedimeve etj.

Programi
Programi

Dita e parë

Konferenca startoi me vizitën në Muzeun Kombëtar "Shtëpia me Gjethe", ku të rinjtë patën mundësi të informoheshin mbi punën e SIGURIMIT në komunizëm dhe mbi regjimin diktatorial në Shqipëri në përgjithësi.

Të huajt dhe një pjesë e madhe e të rinjve shqiptar e vizituan për herë të parë këtë muze dhe reflektuan mbi një çështje që sidomos në ditët e sotme po merr një rëndësi edhe me të madhe, duke qenë tepër aktuale: forcimi i demokracisë dhe distancimi nga regjimet diktatoriale.

Pas vizitës në muze, të rinjtë u bën pjesë e një diskutimi të hapur me ish-të përndjekurin politik dhe shkrimtarin Lekë Tasi, drejtoren e Muzeu Kombëtar "Shtëpia me Gjethe" Etleva Demollari, si dhe drejtoren ekzekutive të IDMC, Jonila Godole.

Znj. Godole bëri një hyrje të temës, duke treguar çfarë ka ndodhur në Shqipërinë post-komuniste dhe cili është roli i të rinjve në këtë proces "shërimi" nga e kaluara. Ajo bashkëbisedoi me të rinjtë mbi vizionin e tyre për demokracinë dhe të ardhmen në një shtet të lire, pa barriera dhe me media funksionale.

Z. Lekë Tasi, foli mbi jetën e tij në internim, ndryshimin e shoqërisë në ditët e sotme dhe vlerat që duhet të mbajë gjallë njeriu pavarësisht sistemit. Me një seancë pyetje-përgjigje, z. Lekë motivoi të rinjtë të zgjedhin gjithmonë lirinë, në çdo situatë, e si baraspeshë të saj, të zhvillojnë vetëkontrollin.

Znj. Etleva Demollari, në vijim të vizitës në muze, tregoi mbi të dhënat dhe historitë që muzeu ka grumbulluar nga familje të përndjekura politikisht gjatë regjimit komunist.

Në ditën e parë, 48 të rinjtë pjesëmarrës në Konferencën Rinore Europiane, e zhvilluar në kuadër të projektit “Tchange”, u bënë pjesë e aktivitete argëtuese për t'u njohur me njëri-tjetrin.

Gjatë 1 ore, nën drejtimin e koordinatores së projektit Mirela Sheraj dhe trajneres Jozita Zhura të rinjtë treguan fakte interesante rreth jetës së tyre, për ta vazhduar më tej bisedën dhe shkëmbimin e eksperiencave kulturore në një darkë reflektuese.

Dita e dytë

Dita e 2-të e Konferencës Rinore Europiane vijoi me një trajnim mbi aktivizmin qytetar, lidershipin dhe ndërmarrjen e nismave nga sipërmarrja dhe aktivistja Rafaela Rica.

Kjo bisedë mes të rinjve dhe znj. Rica shërbeu si një energizer për gjithë axhendën e ditës së dytë. Mes shumë pyetjesh të të rinjve dhe moderatorit Erblin Vukaj, Rafaela tregoi edhe mbi rrugëtimin e saj me Iceberg Communications, sfidat dhe kapërcimin e tyre, veprimtarinë e saj si qytetare e Tiranës, vendosmëria për të ndryshuar gjërat që për të nuk përbëjnë kuptim, nuk sjellin diçka të mirë etj.

Në formularin feedback që të rinjtë plotësuan në mbyllje të konferencës, e vlerësuan këtë aktivitet si frymëzues dhe motivim për t'u bërë changemaker (sjellës të ndryshimit).

Në vijim të ditës, të rinjtë u ndanë në 6 grupe me tematika të ndryshme si: Historia & Ligjet; Demokracia dhe të drejtat e njeriut; Media; Turizmi dhe infrastruktura e tij; Edukimi, punësimi dhe mundësitë për të rinjtë; Artet.

Fillimisht 6 trajnerët Albiona Muçoimaj, Erblin Vukaj, Brisejda Lala, Fiorela Marra, Elsa Kepi Elona Bardho prezantuan situatën aktuale në vend në fushat respektive duke hapur shumë tema diskutimi dhe duke nxitur brainstorming mes të rinjve për të gjetur zgjidhjen e problematikave përkatëse. Në fund të ditës, secili grup bëri prezantim me gjetjet e tyre, të cilat u diskutuan edhe me të rinjtë e tjerë për të ndryshuar apo shtuar ide të reja.

Të rinjtë u trajnuan gjithashtu mbi lidershipin. Ata analizuan disa shprehje që jepnin përkufizime të ndryshme mbi termin "lider"dhe u shprehën rreth cilësive që ata vlerësojnë më tepër.

Zhvillimi i lidershipit për të rinjtë e Tiranës është kyçi i një të ardhmeje më të sigurt, me udhëheqës empatik, të përgatitur, me mentalitet perëndimor e demokratik etj.

Pas diskutimit, të rinjtë zhvilluan aktivitetin edukues-edukativ të "Kulla më e lartë", të cilët të ndarë në grupe rastësore, u vendosën para një konkursi për ngritjen e kullës më të lartë me makarona. Elementët që sillnin fitore në këtë aktivitet ishin: bashkëpunimi me anëtarët e grupit, marrja e vendimeve, koha e limituar.

Përmes argëtimit, të rinjtë kuptuan që vendimmarrja është një proces i vështirë dhe pavarësisht qëllimit të mirë, janë shumë elementë të miksuar së bashku që arrijnë rezultatet.

Dita e tretë

Dita e 3-të e konferencës ishte organizuar në një trajnim dhe mentorim nga ekspertja Edlira Gjoni, e cila i mësoi të rinjtë si mund të kryenin një përmbledhje dhe përshkrim dinjitoz të gjetjeve të tyre në ditën e mëparshme të konferencës.

Znj. Gjoni iu bashkua secilit grup për t'i trajnuar në mënyrë të veçantë për temat e tyre, duke nxitur ide të reja, prezantime të veçanta dhe duke i frymëzuar për të qenë qytetar aktiv.

Në fund të ditës secili grup solli edhe njëherë idetë e tyre të përmbledhura përpara gjithë të rinjve. Tashmë idetë e tyre janë pothuajse gati, për t'u redaktuar, faqosur e për t'ju dorëzuar këshillit të bashkisë Tiranë.

III: Ceremonia e mbylljes – Prezantimi i Rezolutës së Konferencës

Rezoluta e Konferencës Rinore Europiane
Lexoni Rezolutën e Konferencës Rinore Europiane
Ftesa
Ftesa

Fushata e të rinjve

Organizatorët dhe partnerët

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Tirana – Kryeqyteti Europian i Rinisë '22
Tirana – Kryeqyteti Europian i Rinisë '22
Kongresi Rinor Kombëtar
Kongresi Rinor Kombëtar
Bashkia e Tiranës
Bashkia e Tiranës