Shpallja e konkursit kreativ në Digital Storytelling
Pyet Gjyshërit

Tiranë, 18 maj 2016 — Sot, në ambientet e Qendrës Rinore Tiranë, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë lançoi konkursin kreativ për të rinj, titulluar "Pyet Gjyshërit". Thirrja e konkursit u shpall gjatë një ceremonie të veçantë në prani të organizatorëve dhe partnerëve, përfaqësuesve nga organizata që operojnë në fushën e kujtesës apo me të rinjtë në përgjithësi, të gazetarëve nga media të ndryshme dhe të rinjve të interesuar që e mbushën Qendrën Rinore si rrallëherë.

Konkursi u hap nga drejtoresha ekzekutive e IDMC, znj. Jonila Godole, e cila shpjegoi kontekstin dhe motivimin e këtij konkursi, dhe shprehu falënderime për pjesëmarrësit dhe interesin e treguar për këtë konkurs. Konkursi u përshëndet edhe nga përfaqësues të dy ministrive partnere, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, nga drejtori i fondacionit gjerman Konrad Adenauer, z. Walter Glos, si edhe ambasadori gjerman Hellmut Hoffmann.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Secili prej tyre gjeti rastin të ndante më të pranishmit eksperiencat e veta familjare. Zëvendësministrja e MAS, znj. Nora Malaj, shprehu rëndësinë e njohjes së historisë jo vetëm prej kurrikulës mësimore - e cila nevojitet të rishikohet - por edhe prej rrëfimeve të atyre qe kanë qenë pjesë e drejtpërdrejtë e historisë. Z. Glos solli në vëmendjen e pjesëmarrësve eksperiencën gjermane, duke bërë thirrje për sa më shumë pjesëmarrje në këtë konkurs dhe duke dhënë mesazhin se aktivitete të tilla që përfshijnë sa më shumë të rinj janë mjaft të rëndësishme për të njohur më mirë historinë e vendit. Kurse z. Hoffmann, mbështetës edhe i konkursit te vitit të kaluar, "Lindur në 90-ën", rikujtoi disa nga datat më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë së post-diktaturës.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2017 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube