Rënia e një diktatori

Ekspozita "Rënia e një diktatori" çelet në kuadër të 30-vjetorit të rrëzimit të përmendores së diktatorit Enver Hoxha më 20 shkurt 1991. Ajo hedh dritë mbi informacione të njohura dhe pak të njohura, nga vendimi për ngritjen e monumentit e deri në rrëzimin e tij.
Diktatura e Hoxhës në Shqipëri përdori të gjitha mjetet e komunikimit masiv për të propaganduar ideologjinë që kishte. Që në dhjetëvjeçarin e parë të pushtetit ajo e sofistikoi propagandën duke e ndërfutur thellë edhe në art. Në fakt me të ashtuquajturin "realizëm socialist" diktatura e përdoruri artin si mjet kryesor të "agjitacionit ideologjik".
Në vitet 60-të regjimi modeloi "propagandën monumentale", e cila do të kishte rol kryesor në "edukimin e masave" për frymën e Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH). Kjo vijoi në artet pamore, kinematografi, teatro dhe kulmoi me ngritjen e përmendoreve, kryesisht për rolin e PPSH-së në Luftën Nacionalçlirimtare.
Propaganda monumentale kaloi në nivel tjetër pas vdekjes së diktatorit në vitin 1985. PPSH-ja ia kushtoi atij vëmendjen kryesore, duke kaluar në plan të dytë aspektet e tjera. Institucione të ndryshme u quajtën me emrin e tij, ndërsa përmendore u ngritën pothuajse në të gjitha qytetet kryesore të vendit. Ndërkaq edhe muzeu kushtuar Luftës Nacionalçlirimtare (sot njohur si Piramida) në të vërtetë ishte muzeu i diktatorit Hoxha.
Rrëzimi i përmendores në Tiranë, më 20 shkurt 1991, rrëzoi pikërisht këtë propagandë monumentale të diktaturës. Ndaj dhe ngjarja ka vlerë historike dhe konsiderohet si nisja e fundit të regjimit totalitar në Shqipëri.

Impressum
Ekspozita u ideua dhe u mbështet nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), puna e të cilit synon ndërgjegjësimin e të rinjve dhe të shoqërisë shqiptare mbi regjimin diktatorial në vend dhe pasojat e tij.
Të gjitha materialet u siguruan nga Arkivi Qendror Shtetëror, Arkivi i ATSH-së dhe shtypi i kohës vendas dhe i huaj.
Autorësia
Posterat e kësaj ekspozite janë përgatitur nga Erblin Vukaj (gazetar dhe studiues), Brisejda Lala (historiane), Myrteza Sharra (historian).
Redaktorë shkencorë: Dr. Jonila Godole, drejtore e IDMC dhe pedagoge në Universitetin e Tiranës, studiuese e periudhës së diktaturës në Shqipëri; Kastriot Dervishi, historian, autor i shumë studimeve dhe ish-Drejtor i Arkivit në Ministrinë e Brendshme.
Falënderime
Autorët u janë mirënjohës të gjithë institucioneve dhe personave që ndihmuan për realizimin e kësaj ekspozite: Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) ku është marrë pjesa më e madhe e dokumenteve, Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) që na mundësoi materiale filmike dhe kronika të kohës. Mirënjohje për Bibliotekën e qytetit të Durrësit dhe punonjësve të saj për asistencën dhe vënien në dispozicion të revistave dhe gazetave të kohës. Një falënderim të sinqertë për z. Armand Babani për fotografitë dhe për dëshmitarët e kohës që ndanë me ne kujtimet e tyre mbi këtë ngjarje.
E drejta e autorit
Ekspozita dhe paraqitja grafike e saj kanë të drejtë autorësie dhe nuk mund të përdoren pa lejen e autorëve apo IDMC. Nëse keni pyetje rreth kësaj ekspozite, na kontaktoni: office@idmc.al.
Doni ta prezantoni këtë ekspozitë?
Ekspozita "Rënia e një diktatori" mund të porositet nga të interesuarit në format DIN A1 kundrejt një pagese simbolike dhe të prezantohet në kuadër të aktiviteteve edukative.