Raportimi mbi dosjet e Sigurimit

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe Fondacionin Konrad Adenauer organizuan në datat 21‒22 shtator workshop-in "Raportimi mbi dosjet e Sigurimit".
Ky workshop është iniciuar nga IDMC dhe synon trajnimin e gazetarëve që punojnë në media të caktuara për të mësuar se si të raportojnë, kontekstualizojnë, interpretojnë dokumentet e Shërbimit Sekret gjatë regjimit komunist dhe në cilat burime të mbështeten. Workshop-i është konceptuar si një seri që do të vazhdojë edhe vitin tjetër, sepse duke qenë se procesi i hapjes së dosjeve të Sigurimit është në fillim, trajnimet në këtë fushë do i shërbenin jo vetëm medias, por edhe rritjes së transparencës për publikun, si dhe institucioneve që mbështesin projekte në këtë fushë.
Gjatë këtij uorkshopi intensiv dyditor, gazetarët patën mundësi të njihnin nga afër punën e Autoritetit të Dosjeve si dhe ta krahasonin atë me përvojën që ekspertët e huaj sollën nga Rumania dhe Gjermania sepse në ndihmë të këtij uorkshopi ndanë përvojat e vendeve të tyre, Dagmar Hovestädt nga Fondacioni Federal për Studimin e Krimeve të Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore dhe Dr. Germina Nagat nga Departamenti i Hetimeve në Këshillin Kombëtar për Studimin e Arkivës në Bukuresht.
Dita 1, 21 shtator 2017
Aktiviteti u hap nga drejtorja e IDMC, Dr. Jonila Godole, e cila nënvizoi rëndësinë e "një ballafaqimi më të distancuar me të shkuarën i bazuar në fakte dhe shifra, dhe jo më në polemika boshe dhe propaganda". Drejtori i KAS, Walter Glos, u shpreh se "mënyra se si po trajtohet çështja e të shkuarës komuniste në Shqipëri po ndiqet me kujdes nga parlamenti gjerman dhe në mënyrë të veçantë nga CDU".
"Diskutimi shoqëror për këtë temë është penguar në dekadat e fundit dhe të krijohet përshtypja se politika e të gjitha partive i ka injoruar interesat e ish-të përndjekurve politikë."
Kurse përfaqësuesja e OSBE, Claudia Vollmer, duke rikujtuar rezultatet e sondazhit të vitit 2016 "Njohuritë dhe perceptimet e publikut për të shkuarën komuniste në Shqipëri dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen", theksoi rëndësinë e medias për reflektimin shoqëror mbi të shkuarën komuniste.
Në pjesën e parë të uorkshopit, përfaqësues nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) prezantuan punën e institucionit dhe shpjeguan me detaje se si mund të aplikonte një gazetar apo qytetar për të pasur akses në dokumentet e arkivës. Gjatë prezantimit pjesëmarrësit u përfshinë në diskutime të cilat kishin të bënin kryesisht me rëndësinë e ruajtjes së të dhënave personale të individëve të caktuar. Gazetarët u qartësuan më shumë mbi mënyrën se si procedohet për të marrë një informacion në këto arkiva dhe ku duhet pasur kujdes në raportimin e këtyre dosjeve.
Përfaqësueset e Gjermanisë dhe Rumanisë ndanë me pjesëmarrësit rastet e vendeve të tyre të cilat i kanë kaluar këto procese më parë se vendi ynë. Sipas Dagmar Hovestädt, "pavarësisht se hapja e dosjeve po ndodh pas 27 vjetësh, informacionet që do të dalin prej tyre do shërbejnë jo vetëm për studiuesit, gazetarët, por edhe mbarë shoqërinë për të parë nga afër si ka punuar regjimi represiv i diktaturës". Roli i gazetarëve në raportimin e informacioneve që përftohen nga këto dosje sipas saj është vendimtar.
Ndërsa përfaqësuesja e Rumanisë, Dr. Germina Nagat, duke sjellë përvojën e vendit të vet tregoi se në Rumani ka 3 milion dosje të Securitate-s.
"Në këtë arkivë gjendet historia e gjithë Rumanisë dhe nuk ka rëndësi nëse ti e mbështet ose jo atë periudhë, aty gjen gjithçka. Deri në fund të 2016 më shumë se 2.141 rumunë dhe të huaj janë pranuar si hulumtues në arkivat e sigurisë."
Dita 2, 22 shtator 2017
Në ditën e dytë të uorkshopit, gazetarët pjesëmarrës patën mundësi të punonin konkretisht në dosje dhe informacione të përzgjedhura më parë për uorkshopin dhe u trajnuan si të raportojnë të dhënat e përftuara për një publik masiv. Ata punuan në grupe dhe konkretisht për këto tema:
- Çfarë mund të raportohet nga dosja e Tefta Tases?
- Çfarë mund të diskutohet me rastin e njëvjetorit të hapjes së arkivave të Sigurimit? Krahasimi me rastin rumun dhe gjerman.
- Për çfarë kanë nevojë gazetarët kur punojnë me dosjet e Sigurimit dhe cilat janë pritshmëritë?
Të gjithë ekspertët e ftuar si nga AIDSSH ashtu edhe nga Gjermania dhe Rumania theksuan njëzëri se raportimi nga arkivat e shërbimeve sekrete duhet bërë me kujdes dhe përgjegjësi sepse dokumentet në këto arkiva janë formuluar dhe mbledhur me një qëllim të vetëm: denigrimin e personave kundërshtarë të regjimit.
Ky uorkshop do të shoqërohet nga aktivitete të tjera në muajt në vazhdim. Për gazetarët shqiptarë, do të përgatitet edhe një manual për përdorimin e arkivës së AIDSSH dhe raportimin cilësor mbi dosjet.
Në fund të aktivitetit u plotësuan formularët e vlerësimit për uorkshopin nga pjesëmarrësit dhe u shpërndanë certifikatat për kontributin e dhënë në këtë uorkshop.
IDMC falënderon pjesëmarrësit e aktivitetit dhe partnerët që e përkrahën uorkshopin.
Informacion për trajneret
- Dagmar Hovestädt: Eksperte nga Fondacioni Federal për Studimin e Krimeve të Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore.
- Dr. Germina Nagat: Drejtore e Departamentit të Hetimeve në Këshillin Kombëtar për Studimin e Arkivës në Bukuresht.
Organizator

Kontakt
Matilda Karçanaj, Koordinatore projekti | Tel: +355 69 268 7226 | E-Mail
Partnerët


