Raportimi mbi dosjet e ish-Sigurimit dhe kërkimi në arkiva

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer, Autoritetin për Informimin mi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, organizoi më 13–14 shtator 2018 workshop-in "Raportimi mbi dosjet e ish-Sigurimit dhe kërkimi në arkiva". Ky është viti i dytë radhazi për një workshop të tillë. Synimi mbetet i njëjti – ndërgjegjësimi i shoqërisë dhe sidomos gazetarëve, studentëve dhe studiuesve për rolin e arkivave në ballafaqimin me diktaturën.
Aktiviteti u hap nga drejtoresha e IDMC, Dr. Jonila Godole, e cila vuri theksin te kujdesi që duhet treguar kur interpretohen dosjet arkivore, pasi shpesh "informacioni i ofruar mund të mos jetë i vërtetë, prandaj duhet të jemi skeptikë në qasjen në dosjet arkivore". Znj. Godole rikujtoi faktin se 27 vite pas rënies së komunizmit ende ka ngjarje të pazbardhura dhe krime të cilat brezat e rinj nuk i dinë. Për këtë ajo vlerësoi interesimin e pjesëmarrësve dhe i inkurajoi ata që të kryejnë sa më shumë hulumtime.
Në emër të AIDSSH-së, workshop-i u përshëndet nga z. Simon Mirakaj, anëtar i këtij institucioni, i cili solli në vëmendje të të rinjve rëndësinë për t'u njohur me të shkuarën, në mënyrë që "ajo që ngjau për rreth 50 vite të mos përsëritet më". Z. Mirakaj ndau me të rinjtë edhe eksperiencën e tij shumë-vjeçare të internimit. E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Prof. Dr. Nevila Nika, ish-drejtore e Drejtorisë së Pergjithshme të Arkivave, e cila vuri theksin te rëndësia e konsultimit të burimeve arkivore në kryerjen e një pune studimore.
Të rinjtë pjesëmarrës në këtë aktivitet patën mundësinë të trajnohen mbi mënyrën se si t'i qasen arkivave nga ekspertë vendas dhe të huaj. Znj. Dagmar Hovestädt, trajnere e workshopit, i njohu ata me historinë e krijimit dhe hapjes së dosjeve të STASI-t, si dhe solli eksperiencën gjermane të raportimit mbi këto dosje. Të rinjve iu ofrua një qasje krahasimore e hapjes së dosjeve të Sigurimit dhe atyre të STASI-t në Gjermani. Si dhe modelin gjerman të administrimit të këtyre dosjeve.
Po kështu u fol për vështirësitë dhe sfidat e krijimit të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit si dhe problematikat e hapjes së dosjeve. Znj. Ornela Arapi, specialiste e kërkesave studimore/mediatike pranë AIDSSH trajtoi me detaje çdo problematikë ndërsa asistoi të pranishmit në formularizimin e temave të caktuara. Kështu të rinjtë u ushtruan në shembuj konkretë. Zyrtarët e tjerë të Autoritetit, z. Altin Hoxha dhe z. Skënder Vrioni, iu përgjigjën pyetjeve që të rinjtë kishin rreth procesit të nisur që prej vitit 2015.
Prezent në workshop ishte edhe z. Ardit Bido, drejtor i Drejtorisë së Arkivave. Z. Bido foli për diferencën mes "arkivave të hapura", si Arkivi Qendror, dhe "arkivave gjysmë-të mbyllura", si Autoriteti i Dosjeve. Ai tha se pavarësisht qëndrimeve "pro" apo "kundër" krijimit të Autoritetit, "shoqëritë ish-komuniste si e jona kanë nevojë për një institucion për të garantuar më tej kohezionin social". Z. Erblin Vukaj, gazetar dhe studiues pranë IDMC, ndau me të rinjtë eksperiencën e tij të punës kërkimore në arkiva si dhe i njohu të rinjtë me shembuj të mbulimeve mediatike me probleme etike në publikimin e dokumenteve arkivore të paautorizuara.
E veçanta e këtij workshop-i ishte se IDMC në bashkëpunim me AIDSSH u ofroi të rinjve mundësinë që të vizitonin për herë të parë ambientet e Autoritetit dhe të njiheshin aty me dosje konkrete. Gjatë kësaj vizite studimore nën drejtimin e drejtoreshës së Arkivës pranë AIDSSH, znj. Ardiana Topi, por edhe specialistëve të tjerë pranë këtij institucioni, të rinjtë u njohën me procesin e punës në këtë institucion dhe hapat konkretë si mund të raportojnë mbi dosjet.
Por ky nuk është workshop-i i fundit me këtë tematikë. Shumë shpejt, në muajin tetor, IDMC do të risjellë "Ditët e kujtesës" për të vazhduar kështu misionin e nxitjes së reflektimit mbi të shkuarën e shoqërisë shqiptare.
Organizator

Partnerët




