Pyet Gjyshërit 6

"Më trego Shqipërinë tënde"
Eksploro dhe zbulo: Jeni gati të zbuloni dhe të ndani me ne histori vendesh të harruara ose të panjohura në Shqipëri? IDMC sjell për ju edicionin e 6-të të konkursit #PYETGJYSHËRIT, i cili këtë vit vjen me moton "Më trego Shqipërinë tënde".
Pse ky konkurs? Ne besojmë se historitë kanë fuqinë të lidhin njerëz dhe vende, të ruajnë kujtesën kolektive dhe të ndërtojnë një të ardhme më të ndritur. Prandaj duam t’i nxitim të rinjtë të hulumtojnë historinë e vendit, fshatit ose qytetit të tyre. Nëpërmjet këtij konkursi, të rinjtë kanë mundësinë jo vetëm të zhvillojnë dhe të thellojnë njohuritë e tyre për historinë dhe kulturën e Shqipërisë, por edhe të mësojnë si të hulumtojnë, të analizojnë dhe të shprehin idetë e tyre në mënyrë krijuese.
Ku t’i gjejmë vendet me interes historik? Konkursi "Më trego Shqipërinë tënde" synon të fokusohet në vendet që lidhen me historinë e Shqipërisë, sidomos ato që kanë rëndësi gjatë periudhës së diktaturës komuniste dhe pas rënies së saj, si dhe në periudhën prehistorike, etj. Për orientimin tuaj këtu gjeni disa sugjerime se ku të kërkoni:
- Vendet arkeologjike prehistorike: Vende ku janë zbuluar rrënoja, objekte, ose artifakte që datojnë nga periudha prehistorike e Shqipërisë, por janë pak ose aspak të njohura për publikun e gjerë.
- Objekte kulti me vlera kulturore dhe historike, që mund të jenë dëmtuar ose t’u jetë ndryshuar funksioni gjatë regjimit komunist.
- Bunkerë dhe objekte nga koha e Luftës së Ftohtë: Shqipëria është e njohur për numrin e saj të madh të bunkerëve të ndërtuar gjatë regjimit komunist. Këto struktura ofrojnë një pasqyrë të drejtpërdrejtë të historisë politike dhe ushtarake të asaj kohe. Njihni objekte të tilla në zonën tuaj që kanë një histori të veçantë personale apo me rëndësi për zonën, komunitetin ku banoni?
- Burgjet dhe kampet e internimit: Vendndodhje që shërbyen si burgje, dhomë hetuesie ose kampe internimi gjatë diktaturës komuniste dhe që tregojnë për aspektet më të errëta të regjimit. Shumica prej tyre janë rrënuar, mbyllur ose dalë jashtë funksionit, prandaj mbase nuk njihen më si për shembull ish-burgu i grave në Kuçovë.
- Vende me rëndësi historike pas vitit 1991, si sheshe ku u mbajtën protesta pas vendosjes së pluralizmit, etj.
- Ndërtesa historike: Ndërtesa që kanë qenë të rëndësishme në jetën sociale, politike dhe kulturore të Shqipërisë, si teatro, shtëpi kulture, shkolla, etj.
- Zona të rindërtuara dhe të zhvilluara pas diktaturës: Vende që kanë përjetuar transformime pas rënies së regjimit komunist dhe që tregojnë për ndryshimet në shoqërinë dhe mjedisin urban.
- Vende historike kontroverse që lidhen me Luftën Nacionalçlirimtare, të panjohura për publikun e gjerë.
- Banesa, lagje, rrugë në të cilat kanë ndodhur ngjarje të caktuara dhe kanë një histori për t’u treguar.
- Etj.
Si? Puna juaj duhet të mbështetet në kërkime, që nga mbledhja e dëshmive gojore tek dokumentet arkivore. Hulumtoni nëpër biblioteka, arkiva, në internet, bisedoni me shokët dhe mësuesit. Gjyshërit, të afërmit tuaj dhe komuniteti ku banoni mund të jenë burime të pasura informacioni për vende historike të panjohura që meritojnë të njihen nga të gjithë.
Krijoni: Përdorni talentin tuaj krijues për të shprehur atë që keni mësuar. Qoftë një ese, një reportazh i shkruar, një video, podkast, apo një projekt multimedial – Shpalosni origjinalitetin dhe pasionin tuaj për historinë!
Kush mund të marrë pjesë? Konkursi është i hapur për gjimnazistë dhe të rinj nga mosha 14 deri në 21 vjeç, të cilët kanë një pasion për historinë dhe dëshirë të eksplorojnë rrënjët e tyre kulturore. Ne inkurajojmë të rinjtë shqiptarë në mbarë vendin që të marrin pjesë, duke sjellë një panoramë të larmishme dhe të pasur të historisë së vendit tonë.
Çfarë synojmë?
Të nxisim të rinjtë:
- Të hulumtojnë dhe të zbulojnë vende që mbartin një histori lokale pak ose aspak të panjohur për publikun e gjerë,
- Të zhvillojnë dhe të përdorin aftësi hulumtuese dhe analitike,
- Të shprehin kreativitetin e tyre nëpërmjet formateve të ndryshme, qoftë në shkrim apo në multimedia,
- Të kontribuojnë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë.
Pse ia vlen të merrni pjesë?
Shfaqni kreativitetin tuaj: Tregoni aftësitë tuaja në analizimin kritik të informacioneve dhe në përdorimin kreativ të tyre.
Zgjeroni horizontin tuaj: Konkursi është një mundësi e shkëlqyer për të mësuar më shumë për historinë e Shqipërisë dhe për ta ndarë këtë me të tjerët.
Fitoni çmime të mrekullueshme: Bashkëpunimi me rrjetin europian të konkurseve historike EUSTORY ju jep shansin të udhëtoni në një kryeqytet europian dhe të merrni pjesë në projekte rinore ndërkombëtare.
Kategoritë e konkursit
- Kategoria 1: Punimet në formë të shkruar – Ese dhe reportazhe, të cilat duhet të jenë të shoqëruara me dokumente arkivore, foto etj.
- Kategoria 2: Punime multimediale – Video, podkaste dhe projekte audiovizuale
Rregullat e pjesëmarrjes në konkurs
- Punimet duhet të jenë origjinale, të papublikuara dhe të paprezantuara më parë në konkurse apo evente të tjera.
- Çdo punim duhet të bazohet mbi një hulumtim.
- Çdo punim duhet të shoqërohet me një përmbledhje të shkurtër (abstrakt) që shpjegon përmbajtjen e temës.
- Punimet e shkruara duhet të jenë 1.000 – 2.000 fjalë, ndërsa ato multimediale nuk duhet të jenë më të gjata se 4 minuta.
- Punimet mund të realizohen në gjuhën shqipe ose angleze.
- Burimet e informacionit dhe referencat duhet të jenë të listuara me përpikëri.
- Punimi duhet të realizohet individualisht, jo në grup.
- Çdo konkurrues duhet të përfaqësohet vetëm me një punim.
- Pjesëmarrësit e viteve të shkuara janë të mirëpritur të marrin sërish pjesë (përjashtim bëjnë vetëm fituesit e edicioneve të kaluara).
- Pjesëmarrja në konkurs është pa pagesë.
Vini re!
- Plagjiaturat ju skualifikojnë automatikisht nga konkursi.
- Nuk do të pranohet asnjë punim që nuk shoqërohet me burime dhe dëshmi, nga ku bazohet informacioni i marrë dhe i përdorur nga ju.
- Nuk do të pranohet asnjë punim që përmban elementë të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit (etnik, gjinor, seksual etj.)
- Konkursi do të jetë i hapur për aplikime dhe dorëzim të punimeve prej datës 20 nëntor 2023 deri më 28 janar 2024.
E drejta e autorit dhe të drejtat e ripërdorimit
- Për çdo person që do të shfaqet në video, film apo fotografi, jeni të lutur të merrni lejen dhe aprovimin e tyre për të drejtën e botimit apo transmetimit.
- Të gjitha të drejtat u mbesin autorëve, por me pjesëmarrjen në këtë konkurs, të drejtat ripërdoruese të punimeve fituese u kalojnë organizatorëve, për ekspozime ose botime të mëtejshme.
- Kjo e drejtë ekskluzive për përkthim, publikim, prezantim brenda dhe jashtë vendit të punimeve fituese nga organizatorët, nuk ka qëllime fitimprurëse dhe zgjat për një afat kohor njëvjeçar pas mbylljes së konkursit.
- Konkurrentët duhet të firmosin një deklaratë ku pranojnë të lejojnë organizatorët e konkursit për të ripërdorur punimet e tyre.
Shpallja e fituesve dhe ndarja e çmimeve
Konkursi do të shpallë gjithsej 7 çmime, njëri nga publiku (Çmimi i Rrjetit).
Të gjitha punimet do të vlerësohen nga një juri e pavarur me ekspertë të fushës, bazuar në kriteret e mëposhtme:
1. Punimet me shkrim (Ese dhe reportazhe)
a. Përmbajtja dhe hulumtimi:
- Thellësia e hulumtimit: Sa me thellësi është hulumtuar tema? A janë përdorur burime të ndryshme dhe të besueshme?
- Origjinaliteti dhe rëndësia e temës: A është trajtuar tema në një mënyrë unike dhe origjinale? Sa mirë lidhet punimi me temën e konkursit dhe me kontekstin historik lokal?
b. Struktura dhe qartësia:
- Organizimi i punimit: A është e qartë struktura e punimit?
- Qartësia dhe stili: A është i qartë dhe i lehtë për t‘u kuptuar punimi? A është i përshtatshëm stili i zgjedhur për temën?
c. Analiza dhe interpretimi:
- Aftësia analitike: Sa mirë i ka analizuar dhe interpretuar autori/ja burimet dhe të dhënat?
- Argumentimi: Sa bindëse janë argumentet?
d. Aspektet teknike:
- Zbatim i rregullave të drejtshkrimit: A janë respektuar rregullat e gramatikës, ortografisë dhe përdorimit korrekt të gjuhës?
- Cilësia e bibliografisë dhe citimeve: A janë përdorur dhe cituar korrekt burimet?
2. Punimet multimediale (Video, podkaste, projekte audiovizuale)
a. Krijimtaria dhe origjinaliteti:
- Inovacioni: Sa kreative dhe origjinale janë mjetet e përdorura për të transmetuar mesazhin?
- Përshtatja me temën: A i shërben puna në mënyrë efektive temës së konkursit?
b. Përmbajtja dhe mesazhi:
- Theksi në historinë lokale: Sa ia ka arritur punimi të zbulojë dhe të tregojë histori lokale dhe të panjohura?
- Fuqia e mesazhit: A është i qartë dhe i fuqishëm mesazhi që transmetohet?
c. Teknikat dhe cilësia e prodhimit:
- Cilësia e audio/video: A është teknikisht cilësore puna (p.sh., cilësia e imazhit, e zërit, montazhi)?
- Përdorimi i teknologjisë: Sa mirë janë përdorur teknologjitë audiovizuale në punim?
d. Inovacioni dhe prezantimi:
- Përdorimi i elementeve audiovizuale: A janë përdorur efektivisht elementet audio dhe vizuale?
- Angazhimi i audiencës: A arrin puna të zgjojë interesin dhe të angazhojë audiencën?
Shpallja e fituesve do të bëhet në ceremoninë mbyllëse të “DITËVE TË KUJTESËS”, edicioni i 9-të, më 26 shkurt 2024.
Bashkëpunimi me EUSTORY
Konkursi organizohet nga IDMC me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer. Për herë të dytë, ky konkurs vjen si një bashkëpunim edhe me EUSTORY - rrjetin e konkurseve europiane të historisë që ofron një platformë për të rinjtë shqiptarë të shfaqin punën e tyre dhe të shkëmbejnë përvoja me bashkëmoshatarët e tyre në vende të tjera.
EUSTORY është një shoqatë ndërkombëtare e përbërë aktualisht nga 22 organizata të pavarura anëtare që drejtojnë konkurse kërkimore për të rinjtë në vendet e tyre respektive.
Fituesit e konkursit "Pyet Gjyshërit 2024" do të kenë mundësinë të marrin pjesë në projekte ndërkombëtare rinore dhe të kryejnë udhëtime në vendet e kujtesës në Europë.
Si të aplikoni?

- Regjistrohuni dhe dorëzoni punimet tuaja deri më 28 janar 2024, ora 23:59.
- Përdorni linkun në faqen tonë Web për të dërguar punimet ose nëse janë më të mëdha se 5 MB, përdorni aplikacionin WeTransfer për t’i dërguar me e-mail: konkursi@idmc.al.
- Të gjitha njoftimet për zhvillimin e konkursit do të publikohen në faqen zyrtare të IDMC-së www.idmc.al, si dhe në rrjetet sociale: Facebook, Instagram, LinkedIn dhe TikTok.
- Facebook: IDMC - Instituti për Demokraci, Media & Kulturë
- Instagram: @idmc.al
- LinkedIn: Institute for Democracy, Media and Culture – IDMC
- TikTok: @idmc.al
- Pjesëmarrësit mund të kërkojnë në çdo kohë informacione të mëtejshme duke kontaktuar në rrjetet sociale të IDMC-së ose në adresën zyrtare e-mail të konkursit konkursi@idmc.al.
Suksese!