Pyet Gjyshërit 3

Konkursi "Pyet Gjyshërit" vijon traditën edhe këtë vit me edicionin e tij të tretë, dhe i fton të rinjtë 15–19 vjeç të reflektojnë për të shkuarën në Shqipëri (1944–1997) përmes një punimi kreativ individual ose në grup.
Me anë të këtij konkursi, IDMC nxit gjimnazistët të tregojnë historitë që ata dinë apo që mund të mësojnë gjatë kërkimeve për konkursin lidhur me periudhën e regjimit komunist në Shqipëri dhe me vitet e para të tranzicionit, në mënyrë sa më kreative. Këto histori mund të jenë histori të familjes, kujtime të prindërve dhe gjyshërve, histori të treguara nga të njohurit apo histori të dëgjuara e të lexuara, të shoqëruara me reflektime dhe interpretime origjinale.
Konkursi pranon punime për një histori të caktuar në tri zhanre të ndryshme:
- Ese
- Arte figurative
- Multimedia
Nën logon #Trego1Histori, IDMC ju inkurajon të hulumtoni, kërkoni në arkiva, të pyesni sa më shumë dhe të ndani historinë tuaj në metodën që ju ndiheni më mirë.
Punët tuaja mund të mbështeten në histori nga:
- Ngjarje të përjetuara nga familjarët tuaj
- Ngjarje të ndodhura në qytetin tuaj
- Lidhje me një objekt që keni në shtëpi
- Arratisjet në kufi
- Rastet e persekutimit/përndjekjes/pushkatimit në diktaturë
- Arti, letërsia dhe muzika
- Shkollimi
- Përditshmëria në diktaturë
- Sportet, lojërat
- Histori dashurie
- E të tjera
Konkursi "Pyet Gjyshërit" synon të ndërgjegjësojë të rinjtë dhe shoqërinë shqiptare për rëndësinë e njohjes me të shkuarën e vendit të tyre, pasi pa njohur të shkuarën nuk ka të ardhme të sigurt.
Ky është konkursi i katërt kombëtar i organizuar nga IDMC mbas "Lindur në 90-ën: Zbulo të shkuarën, krijo të ardhmen" (2015); "Pyet Gjyshërit 1" (2016) dhe "Pyet Gjyshërit 2" (2017).
Përmbledhje
Kushtet e pjesëmarrjes
- Ftohen të marrin pjesë: Gjimnazistët 15‒19 vjeç (për punime individuale ose në grup)
- Zhanret konkurruese:
- Punime individuale në Ese;
- Punime individuale ose në grup në Multimedia (video ose/dhe audio deri në 4 min), dhe
- Arte figurative
- Shpallja e konkursit: 1 shtator 2018
- Mbyllja e aplikimit: 15 tetor 2018
Kriteret
- Punimet mund të dorëzohen në gjuhën shqipe ose angleze.
- Çdo konkurrues mund të përfaqësohet vetëm me një punim.
- Punimet e dorëzuara duhet të kenë të bëjnë me temën e konkursit.
- Pranohen vetëm punë origjinale që nuk janë paraqitur në aktivitete të ngjashme.
- Eseja ose krijimi letrar nuk duhet t'i kalojë 1 000 fjalë.
- Të gjitha produksionet (audio, video etj.) nuk mund të jenë më gjata se 4 minuta. Çdo punë që e kalon këtë minutazh do të shkualifikohet.
- Punimet e dorëzuara në formë posteri apo punimet artistike në telajo nuk duhet të jenë më të mëdha se formati A1.
- Punimet që përmbajnë elemente racizmi etnik, gjinor, seksual etj. nuk do të pranohen në konkurrim.
- Konkursi është pa pagesë.
Fituesit e "Pyet Gjyshërit 2" nuk lejohen të marrin pjesë në kategorinë "Multimedia" në edicionin e këtij konkursi.
E drejta e autorit dhe të drejtat e ripërdorimit
- Për çdo person që del në video, film apo fotografi jeni të lutur të merrni një leje për të drejtën e botimit apo transmetimit.
- Punët e dorëzuara në konkurs duhet të jenë origjinale.
- Plagjiaturat sjellin automatikisht përjashtimin nga konkursi.
- Të gjitha të drejtat u mbesin autorëve, por me pjesëmarrjen në këtë konkurs, fituesit u kalojnë organizatorëve të drejtat ripërdoruese, të palimituara, për ekspozime ose botime të mëtejshme.
- Fituesit e konkursit u kalojnë organizatorëve të drejtën ekskluzive për përkthim, publikim, ekspozim ose transmetim të punimeve fituese për një afat të pacaktuar.
- Fituesit bien dakord që sipas të drejtave të mësipërme të mos marrin honorar tjetër, përveç çmimit.
Dorëzimi i punimeve
Afati i fundit i dorëzimit është data 15 tetor 2018.
Pjesëmarrësit në konkurs duhet të dorëzojnë në konkursi@idmc.al dokumentet e mëposhtme:
- Formularin e aplikimit të plotësuar, ku përveç të dhënave të aplikantit/aplikantëve dhe rënies dakord me kushtet e pjesëmarrjes, përfshihet propozimi për temën e punimit (1 fjali) dhe një abstrakt i shkurtër (gjithsej maks. 1 200 karaktere me hapësirë) ku konkurruesit paraqesin idenë e tyre për punimin dhe shpjegojnë mënyrën si kanë menduar ta realizojnë atë
- Punimin final
Adresat e dorëzimit
- Eseja përmes emailit konkursi@idmc.al
- Punimi multimedial me WeTransfer përmes emailit konkursi@idmc.al
- Artet figurative dorazi në zyrën e IDMC te adresa:
IDMC – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Rr. "Bardhok Biba", Ndërtesa "Trema"
Hyrja A, Kati 11
Tiranë
Pjesëmarrësit do të marrin një konfirmim me e-mail për secilën fazë përzgjedhjeje.
Juria dhe vlerësimi
Konkursi do të shpallë gjithsej 4 çmime (3 çmime për secilën kategori: ese, multimedia, arte figurative si edhe 1 çmim të publikut).
Të gjitha punimet do të vlerësohen nga një juri e pavarur me figura publike dhe ekspertë të fushës, bazuar në kriteret e mëposhtme:
- Risia në paraqitjen e temës
- Kuptueshmëria
- Kreativiteti dhe origjinaliteti
- Aftësia për të tërhequr publikun
- Mesazhi i qartë dhe i fuqishëm
- Stili autentik i krijuesit
- Aftësia për të kryer një vepër të arrirë përmes formave inovative (medieve sociale etj.) dhe mjeteve të thjeshta (smartphone, videokamera amatore etj.) brenda 4 minutave
Fituesit do të shpallen më 30 tetor 2018 në një nga "DITËT E KUJTESËS" dhe do të ftohen në Tiranë për të marrë çmimet e fituara në prani të personaliteteve nga fusha e medies, shoqërisë civile, politikës dhe kulturës.
Organizator i konkursit

Partnerët



