njoftime

Prezantohet studimi "Liria e shprehjes nën kërcënim"

Publikuar më

Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) prezantoi sot rezultatet e projektit "Liria e shprehjes nën kërcënim", një studim dhe një manual për mësuesit, nxënësit dhe studentët rreth mënyrave se si mund të dallohen lajmet e rreme.

Prezantimi u bë në Librarinë "Tirana Times", në prezencën e Ambasadores së Kanadasë, Alexandra Bugailiskis, Drejtuesit të Këshillit Shqiptar të Medies (KSHM), Koloreto Cukali, kryetarit të Unionit të Gazetarëve (UG), Aleksandër Çipa, ekspertes së kurrikulës shkollore, Fatmiroshe Xhemalaj, studentëve dhe nxënësve që u përfshinë në projekt.

Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole tregoi se projekti u shtri për disa muaj me radhë me rezultatet e një monitorimi në mediet online nga janari në tetor dhe me disa trajnime në shkolla dhe universitete.

Ambasadorja Bugailiskis përshëndeti punën e kryer nga IDMC dhe theksoi se media e lirë dhe profesionale është një e mirë publike, e cila kontribuon në vlerat e demokracisë.

"Kanadaja mbetet e angazhuar t'i mbështesë këto vlera."
Bugailiskis
"Zhvilluam trajnime me nxënës dhe studentë në Tiranë, Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër, Vlorë dhe Berat ku morën pjesë 227 të rinj. Trajnimet nxorën në pah nevojën për t'u trajtuar më gjerësisht çështja e dezinformimit. Për këtë ne si IDMC përpiluam një manual për shkollat, në mënyrë që nxënësit të aftësohen më tepër për ta njohur gjuhën e medies, për t'u aftësuar në dallimin mes faktit dhe opinionit."
Godole

"Viti 2019 mund të konsiderohet vit i vështirë për medien në Shqipëri," u shpreh Erblin Vukaj, hulumtues pranë IDMC-së, i cili prezantoi studimin.

"Vështirësitë u shprehën me raportet e ndryshme të organizatave ndërkombëtare, nga Reporterët pa Kufij (RSF), Qendra Evropiane për Liri të Shtypit (ECPMF) apo Platforma e Këshillit të Evropës që promovon mbrojtjen e gazetarëve. Nga monitorimi ynë pikasëm 132 lajme të rreme, ku 57 për qind ishin ribotime. Kjo tregon se lajmet e rreme përhapen më shumë nga mungesa e aftësisë së medies për t'i verifikuar burimet."
Vukaj

Në studimin e IDMC-së vihet në pah problematika e së ashtuquajturës gazetari qytetare, ku qytetarët raportojnë në mediet sociale dhe raportimi i tyre kthehet në burim për mediet tradicionale. Mbi 30 për qind e rasteve burim i lajmeve të rreme ishin pikërisht postimet në rrjet.

Hulumtimi analizon edhe ndryshimet e ligjeve të medies, ndërsa rreshton rreth 30 raste problematike të dezinformimit, ku kryesojnë ato rreth ngjarjeve të tërmeteve.

Kryetari i UG, Çipa, theksoi se problematika kryesore e medieve në Shqipëri është pikërisht mangësia në verifikimin e fakteve, sidomos e komenteve që bëhen nëpër rrjete sociale.

"Në një kohë kur parlamenti, politika, institucionet në tërësi prodhojnë lajme të rreme, gazetarët duhet të jenë ata që t'i japin audiencës një raportim të fakteve dhe jo opinioneve. Prandaj studime dhe manuale të tilla janë tejet të nevojshme në mënyrë që të arrihet vetërregullimi i medieve."
Çipa

Ndërkohë drejtuesi i KSHM-së, Cukali, u ndal te ndryshimet ligjore dhe theksoi se ato e vënë nën presion medien pasi autoritetet marrin më tepër kompetenca, por që "nuk është detyrë e qeverisë të thotë ky lajm është i rremë dhe ky jo". Cukali tregoi se mediet po organizohen dhe shumë shpejt do të bëjnë publike një platformë nga e cila do të sigurohet ndërmjetësim direkt mes audiencës dhe medieve për çdo rast dezinformues.

Ekspertja e kurrikulës, Fatmiroshe Xhemalaj, tregoi se manuali për mësuesit dhe nxënësit është tejet i vlefshëm, pasi parashikon edhe ushtrime. Ajo sugjeroi që ky projekt të vazhdohet.

IDMC rekomandon ngritjen dhe mbështetjen e platformave që verifikojnë lajmet, zhvillimin e trajnimeve të ndryshme me të rinjtë dhe futjen e diskutimit për mediet edhe në shkolla.

Studimi dhe manuali janë pjesë e projektit "Liria e medies në kërcënim", mbështetur nga Fondi Kanadez për Iniciativat Vendore (Canadian Fund for Local Initiatives, CFLI).