"Politika publike dhe qeverisja" në Vlorë

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë organizoi sot në Qendrën e Informimit të Bashkimit Europian në Vlorë trajnimin me temë Politika publike dhe qeverisja, me pjesëmarrjen e 30 të rinjve nga Vlora dhe zonat përreth si Fieri, Gjirokastra, Përmeti etj. Ky trajnim është pjesë e serisë së workshop-eve që IDMC ka organizuar më parë në Tiranë dhe Shkodër në kuadër të projektit Të rinjtë dhe politika.
Qëllimi kryesor i këtij trajnimi ishte përmirësimi i kuptimit, dijeve dhe aftësive politike të të rinjve. Si i tillë, trajnimi synoi t'i njohë të rinjtë me kontekstet e ndryshme të politikave publike, format e veprimit dhe mosveprimit të tyre dhe me rëndësinë që ato luajnë në vlerësimin e nivelit demokratik të një qeverisjeje. Përveç njohurive rreth politikave publike, llojeve të tyre dhe qeverisjes në një kontekst më të gjerë, trajnimi synoi gjithashtu të nxitë aftësitë e pjesëmarrjes dhe vendimmarrjes. U synua gjithashtu që pjesëmarrësit të kuptojnë rëndësinë e të punuarit në grup, sidomos në nivelet e zbatimit të një politike publike konkrete, për të arritur rezultatet e synuara.
Trajnimi u nda në dy pjesë. Në pjesën e parë të trajnimit të rinjtë u njohën teorikisht me konceptin e politikave publike dhe të qeverisjes. Gjatë kësaj pjese, të rinjtë përmirësuan njohuritë e tyre veçanërisht në lidhje me politikat e ndryshme publike dhe dallimet mes tyre. Në pjesën e dytë, pas pushimit të drekës, të rinjtë i aplikuan njohuritë e marra në politika publike konkrete, duke punuar në grupe. Ndarja në grupe solli diskutim dhe debat interesant të moderuar nga trajneri.
Në fund të trajnimit, të rinjtë plotësuan formularin e vlerësimit për trajnimin dhe u pajisën me certifikatë. Në formularin e vlerësimit për workshop-in, ajo që duhet të theksohet është fakti që të rinjtë shprehën dëshirë të madhe për të ndjekur edhe në të ardhmen trajnime që realizohen përmes metodës së edukimit joformal.
Partnerë i IDMC-së për trajnimin "Politika publike dhe qeverisja" në qytetin e Vlorës ishte Qendra e Informimit të Bashkimit Europian, Vlorë.
Informacion rreth trajnerit
- Neritan Sejamini është pedagog i lëndës "Teoria e Lojës dhe Zgjedhja Racionale" në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.